Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit në mes të ZKA-së dhe Autoritetit të Auditimit të Maqedonisë Veriore

Aktuale

Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit në mes të ZKA-së dhe Autoritetit të Auditimit të Maqedonisë Veriore

Më: 25 maj 2021 Në ora: 17:17
Pamje nga takimi

Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës dhe Autoriteti i Auditimit i Maqedonisë Veriore nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi, me qëllim të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve institucionale për auditim efektiv dhe efikas në fushën e auditimit të fondeve nga IPA.

Nënshkrimi i këtij memorandumi u bë sot në Prishtinë nga Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani dhe homologu i tij nga Maqedonia Veriore Adem Curi.

Osmani ka vlerësuar se ky memorandum është mundësi e mirë që auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës të forcojnë njohuritë e tyre për specifikat e auditimeve të fondeve IPA.

“Përafrimi i Kosovës në procesin e integrimeve evropiane do të sjellë nevojën e zbatimit të këtyre auditimeve për të cilat aktualisht ne nuk kemi ndonjë përvojë të veçantë”, tha ai.

Edhe Auditori i Përgjithshëm i Autoritetit të Auditimit të Maqedonisë Veriore Adem Curi e ka vlerësuar të rëndësishëm nënshkrimin e këtij memorandumi, duke thënë se shkëmbimi i praktikave profesionale mundëson përmirësimin e kapaciteteve audituese të dy institucioneve.

Ky bashkëpunim parasheh shkëmbimin e përvojës në qasjen e auditimit dhe metodologjinë e përdorur në pajtim me standardet e auditimit; shkëmbimin e përvojës dhe mësimet e nxjerra në fushën e auditimit; ofrimin e ndihmës dhe bashkëpunimit nga eksperti në fushën e auditimit; organizimin e hulumtimeve, takimeve, konferencave, trajnimeve, vizitave studimore, dhe praktikave profesionale për përmirësimin e kapaciteteve audituese te të dy institucioneve si dhe organizimin e vizitave të përbashkëta tek organet dhe institucionet profesionale në fushën e auditimit.

Ndryshe, në ceremoninë e sotme të nënshkrimit morën pjesë edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla dhe zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë Veriore Fatmir Bytyqi, të cilët mirëpritën një bashkëpunim të tillë mes dy shteteve për forcimin e marrëdhënieve bilaterale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat