Deklarohet Hoxhaj pas takimit me Osmanin, tregon dy kërkesat e PDK-së dhe propozon datën e zgjedhjeve

Aktuale

Deklarohet Hoxhaj pas takimit me Osmanin, tregon dy kërkesat e PDK-së dhe propozon datën e zgjedhjeve

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 13:36
Enver Hoxhaj

(E plotësuar 15:15) - Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ka propozuar 31 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Hoxhaj tha se caktimi i datës për zgjedhjet lokale duhet të bëhet pasi të kompletohet KQZ-ja.

Hoxhaj: Kemi kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 31 tetorin e këtij viti

“Ne mendojmë që institucionet që merren me organizimin e zgjedhjeve duhet të kenë mjaft kohë që procesi të jetë I përgatitur mirë. Këtë drejtim kemi kërkuar si datë 31 tetorin e këtij viti. Mendojmë se është brenda afatit kushtetues. Do të lejonte që komunat tona të kenë mjaft kohë të përgatiten për zgjedhje, por mbi të gjitha KQZ dhe institucionet tjera relevante”, tha ai.

Sipas tij, asnjë parti tjetër politike nuk është më e përgatitur se PDK-ja për zgjedhjet lokale.

Hoxhaj: PDK kërkon që para se të merret data për zgjedhje të kompletohet KQZ-ja

“PDK si asnjë subjekt tjetër politikë është e përgatitur shumë mirë për zgjedhjet lokale. Ju e keni pa se javët e fundit me kolegë të partisë kemi qenë në terren. Veçse i kemi emërimet e para për kandidat për kryetar komunash[…]PDK kërkon që para se të merret data për zgjedhje të kompletohet KQZ-ja dhe ne kërkojmë që PDK-së t’i takojë anëtari i dytë në KQZ-së. Mendojmë se gjitha argumentet juridike janë në anën e PDK-së dhe presim prej presidentes që pikërisht në këtë temë të tregojë se përfaqëson interesin e gjitha partive politike dhe qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai.

Lidhur me caktimin e kandidatit për kryetar të Prishtinës, Hoxhaj tha se janë në debat të brendshëm partiak për një emër fitues në kryeqytet.

Hoxhaj: Ne deri më tani kemi pasur një debat të brendshëm serioz

“Ne deri më tani kemi pasur një debat të brendshëm serioz, cili nënkupton se kush mund të jetë ai që paraqet një forcë të mirëfilltë të ndryshimit. Nuk ka një vendim përfundimtar për zotëri Ismaili sepse me procedura dega duhet të propozojë mandej ta miraton kryesia qendrore”, tha ai.

***

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në këtë takim, të thirrur për dakordimin e datës së zgjedhjeve lokale, Hoxhaj ka paraqitur qëndrimin e PDK-së në lidhje me këtë proces.

Hoxhaj ka kërkuar nga presidentja e vendit që para se të shpallë datën e zgjedhjeve, të angazhohet maksimalisht në kompletimin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ).

“Mosveprimi i presidentes mund të rrezikojë apo dëmtojë procesin zgjedhor. Andaj, ne kërkuam nga presidentja që të miratojë të drejtën tonë kushtetuese si parti që të kemi dy anëtarë të KQZ.”, ka thënë kryetari Hoxhaj.

Sa i përket datës, ai ka thënë se presidentja duhet të caktojë një datë që i jep kohë të mjaftueshme KQZ-së për përgatitjen profesionale të këtij procesi.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga presidentja që të caktojë një datë për zgjedhjet lokale e cila i jep kohë të mjaftueshme KQZ-së dhe mekanizmave tjerë të përgatisin një proces zgjedhor sa më të mirë”, ka thënë ai

Në fund, kryetari Hoxhaj ka thënë se Partia Demokratike është duke i bërë përgatitjet e saj maksimale për këto zgjedhje. PDK deri më tani ka prezantuar tri kandidatura për kryetar të komunave në Prizren, Shtime dhe Fushë Kosovë.

***

U.D i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka kërkuar që më 31 tetor të mbahen zgjedhjet lokale.

Këtë kërkesë ai ia ka paraqitur në takim presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

Në anën tjetër, kreu i VV-së, Albin Kurti ka thënë se do të deshironte që zgjedhjet të mbahet sa më herët.

Pas këtyre takimeve, Osmani do t’i takoj edhe përfaqësuesit e partive tjera dhe pasataj do të vendos rreth datës se zgjedhjeve.

***

 Ka nisur takimi në mes të presidentes së vendit Vjosa Osmani me u.d e kryetarit të PDK-së Enver Hoxhaj.

Temë diskutimi edhe e këtij takimi do të jetë koordinimi për caktimin e një date për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Takimi po mbahet me dyer të mbyllura.

Kurti për datën e zgjedhjeve lokale: Sa më herët aq më mirë

Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani për përcaktimin e një date për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vjeshtë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se “sa më herët që ato të mbahen, aq më mirë”.

“Në 38 komunat e Kosovës sivjet do të ketë zgjedhje dhe ato janë tejet të rëndësishme meqenëse jo veç qeverisja qendrore por edhe ajo lokale ndikon në jetën e mirë të cilën e meritojnë qytetarët e vendit.

Për ne sa ma herët aq më mirë.

Gjithçka tregon se sikurse para katër vitesh edhe sivjet tetori do të jetë muaji i zgjedhjeve”, ka thënë ai për mediat, teksa nuk ka treguar se kush do të jetë kandidat i VV-së për kryetar të Prishtinës.

Image

***

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani do të takojë liderët e partive politike për t’u dakorduar për datën e zgjedhjeve lokale që mbahen në vjeshtë.

Së pari, Osmani do të takohet me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, nga ora 13:00, ndërsa pas tij me ushtruesin e detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.

Nga ora 16:00, Osmani pret kreun e LDK-së Lumir Abdixhiku dhe në nga ora 17:00 me përfaqësuesin e AAK-së, Besnik Tahiri.

Takimet do të jenë të mbyllura.

Sipas Ligjit për zgjedhjet lokale, sipas kompetencave të Presidentit të Kosovës të përcaktuara me Kushtetutë, vendimi për të caktuar datën e zgjedhjeve bëhet jo më vonë se katër muaj dhe jo më herët se gjashtë muaj, para datës së zgjedhjeve.

Zgjedhjet nuk mund të mbahen më herët se 60 ditë para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se 30 ditë pas përfundimit të mandatit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat