“Qytetarët e Kosovës nuk ranë në grackë”, Shasha reagon pas vendimit të Joe Biden

Aktuale

“Qytetarët e Kosovës nuk ranë në grackë”, Shasha reagon pas vendimit të Joe Biden

Nga: P.R Më: 3 qershor 2021 Në ora: 20:35
Joe Biden

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kosovës për vaksina. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i ndajnë Kosovës një numër të konsiderueshëm të vaksinave për COVID-19. Kështu ka njoftuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi në faqen e saj në facebook.

“Më 19 mars 2021, i kam shkruar Presidentit Biden duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 Prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës”, ka shkruar Osmani.

E pas këtij lajmi ka reaguar edhe Demush Shasha, drejtor i Institutit EPIK.

“Prandaj, sot kur shoh efektet e bashkëpunimit të afërt në mes SHBA dhe BE, qoftë në dialog, apo në sigurimin e vaksinave për qytetaret e Kosovës ndjej një satisfakcion moral që qytetarët e Kosovës nuk ranë në grackën anti-perëndimore që dëshironte të përçante besimin e qytetarëve në aleancën e shenjtë”, ka shkruar ndër tjerash Shasha, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Vitin e kaluar u zbatua një fushatë intensive dezinformimi që kishte për qëllim minimin e besimit të qytetarëve të Kosovës në aleancën SHBA-BE. Kjo fushatë e koordinuar u zbatua duke shtyrë në publik narracionin se qytetarët e Kosovës duhet të besojnë një pale më shumë se tjetrës, duke synuar kështu përçarjen e shoqërisë karshi partnerëve perëndimor. Kësisoj minimi i njërës palë të aleancës perëndimore dobësonte pozicionin e aleancës perëndimore në përgjithësi, dhe rrjedhimisht kështu siguronte hapësirë më të madhe vepruese akterëve malinj, sikur Rusia.

Kjo fushatë jo vetëm që ishte e rrezikshme, dhe pjesë e narrativit Rus për minimin e besimit të vendeve të Ballkanit në proceset euro-integruese, por ishte edhe goditje pozicionit më të rëndësishme shtet-ndërtues të Kosovës. Çdo gjë që Kosova ka fituar është produkt i bashkëpunimit SHBA – Evropë, si shembull i projektit unifikues progresiv perëndimor.

Prandaj, sot kur shoh efektet e bashkëpunimit të afërt në mes SHBA dhe BE, qoftë në dialog, apo në sigurimin e vaksinave për qytetaret e Kosovës ndjej një satisfakcion moral që qytetarët e Kosovës nuk ranë në grackën anti-perëndimore që dëshironte të përçante besimin e qytetarëve në aleancën e shenjtë. Ndërsa në anën tjetër për mua mbetet mister pasioni i disa zërave publik për të minuar besimin e qytetarëve në partnerët tanë perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat