Ambasadori amerikan: Dezinformimi gjatë pandemisë ka tensionuar partitë politike

Aktuale

Ambasadori amerikan: Dezinformimi gjatë pandemisë ka tensionuar partitë politike

Më: 9 qershor 2021 Në ora: 17:16
Phillip Kosnett

Pandemia, zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe marrëdhëniet me Serbinë kanë ndikuar në shpërndarje të madhe të dezinformatave. Kështu u tha gjatë konferencës me temën “Rritja e dezinformimit në demokracinë digjitale” të organizuar nga NDI dhe USAID.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Phillip Kosnett, ka theksuar se dezinformata nuk është vetëm taktikë e regjimeve autoritare, por edhe e shteteve demokratike.

Derisa ka shtuar se të njëjtat me fokus gjatë pandemisë kanë tensionuar marrëdhëniet politike në Kosovë.

“Dezinformimi mund të vijë nga çdo drejtim, qeveritë kanë qenë një nga synimet kryesore, jo vetëm këtu në Kosovë por në të gjithë botën, në Amerikë ne pamë se si përdorimi i dezinformimit, gënjeshtra e madhe çoi në një sulm në Kapitol, më 6 Janar. Në Kosovë, NDI ka zbuluar se dezinformimi ishte i përqendruar në pandeminë COVID-19, dhe ka acaruar tensionet politike midis partive, duke promovuar pakënaqësi’, ka shtuar ambasadori Kosnett.

Presidenti i Institutit Kombëtar Demokratik, Derek Mitchell tha se rritja e dezinformimit është sfidë globale, ndërkohë që ka shtuar se ky është problemi më i madh, i cili po shkakton dëme në botë.

“Informata e manipuluar e ul besimin te qeveria dhe te institucionet dhe te institucionet mbikëqyrëse qeveriate dhe te mediat. Kosova nuk është imune nga ky kërcënim. Vlerësimet e NDI e kanë parë që mjedisi i informimit në Kosovë është i stërmbushur me informata të tilla dhe forma të tjera të manipulimit kemi gjetur dëshmi të forta të akterëve vendorë e ndërkombëtarë që shfrytëzojnë dezinformimin për të lëkundur rezultatet e votimit për të ulur mbulueshmërinë mediale dhe për të shfrytëzuar ndarje të tilla sociale. Ka pasur shumë situata që e kanë fuqizuar këtë, pandemia, zgjedhjet e fundit, marrëdhëniet me Serbinë. Të gjitha këto kanë kontribuar, po ashtu lajmet që ndahen në shqip dhe serbisht kanë kontribuar në këtë drejtim”, tha ai.

Glenn Kessler kryeredaktor dhe autori kryesor i The Fact Checker ka theksuar se pandemia ka ndikuar në shtimin e përhapjes së dezinformatave. Ai shtoi se kjo mbetet shqetësim në SHBA dhe po ashtu kërcënim për Washington Post.

Ne ishim kuriozë, se një nga gjërat që Presidenti Trump bëri, ishte që ai përsëriste vazhdimisht pretendime të rreme dhe ne donim të shihnim nëse në të vërtetë ai informacion i rremë po depërtonte në mendjet e njerëzve, a filluan ata t’i besonin atij? Dhe ne bëmë një hulumtim për rreth dy vjet gjatë mandatit të tij… dhe ajo që gjetëm ishte se as mbështetësit e Trump-it nuk u besonin pretendimeve të tij të rreme. Në janar, shumica e amerikanëve kuptuan se ato që ai kishte thënë për kundërshtarët e tij nuk ishin të vërteta”, u shpreh ai.

Zëvendësdrejtori i NDI në Kosovë ka prezantuar gjetjet nga monitorimi i mediave dhe hulumtimit të opinionit publik, duke thënë se janë fokusuar në fushatën e zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ndërsa ka pohuar se akterët politikë janë ata të cilët po shpërndajnë më së shumti dezinformata.

“NDI ka gjetur që kryesisht ambienti apo mjedisi informativ ose informacione në Kosovë kanë pasur çrregullime, informacione të pasakta, ka pasur informacion të pavërtetë, falsifikim dhe është përfshirë ekzagjerimi në informacion. Gjithashtu ka pasur edhe qëllim dëmtimi. Prej 260 prej 5 burimeve apo artikujve të cilat kanë pasur një çrregullim të informacionit dhe informacion të pavërtetë, janë analizuar apo janë përfunduar 6252 shpërndarje. Qoftë përmes portale apo mediave sociale, të cilat në fund e kanë pasur një shtrirje prej 32 milionë reach apo përdoruesve”, ka njoftuar ai.

Kurhasani ka shtuar se për këtë hulumtim janë monitoruar edhe mbi 140 faqe online, prej ku është vërejtur një shpërndarja e madhe e lajmeve jo të sakta. Për më tepër, ka theksuar se nga një portal në tjetrin është shpërndarë lajmi mesatarisht për 40 minuta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat