Rasti i hidrocentraleve në Deçan, paralajmërohet ankesë disiplinore ndaj Kolegjit të Apelit

Aktuale

Rasti i hidrocentraleve në Deçan, paralajmërohet ankesë disiplinore ndaj Kolegjit të Apelit

Më: 10 qershor 2021 Në ora: 15:27
Konferenca per media

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike do të paraqesë sot ankesë disiplinore ndaj kolegjit te Gjykatës së Apelit. Të njëjtit po e konsiderojnë shkelje të rëndë të së drejtës së organizatave në gjykim të drejtë dhe të paanshëm për të kontestuar vendime të autoriteteve publike përmes rrugës gjyqësore.

Kjo pasi që Gjykata Themelore ka vendosur që të hedh poshtë padinë e GLPS-së dhe Pishtarët dhe i ka lënë jashtë procesit gjyqësor. Të njëjtit konsiderojnë se Gjykata e Apelit në rastin e hidrocentraleve në Deçan ka vendosur kundër ambientit dhe qytetarëve duke e vlerësuar më lart interesin e kompanisë private sesa interesin publik.

Alba Dushi nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike sot në një konferencë për media tha se investimi për ndërtim të hidrocentraleve është minimal në krahasim me fitimin multi-milionësh që mund ta ketë më dekada me radhë.

Sipas saj, Gjykata e Apelit e ka hequr masën pezulluese ndaj hidrocentraleve në Deçan, me arsyetimin se banorët paditës nuk e kanë dëshmuar se po u shkaktohet dëm i pariparueshëm.

Dushi: Gjykata ka interpretuar gabimisht për rastin e hidrocentraleve në Deçan

"Gjykata e Apelit ka konstatuar se dëmi i Kelkos Energy Sh.P.K do të ndikonte indirekt ndaj banorëve të Deçanit qe furnizohet me rrymë, gjë që është e pasaktë sepse këta banorë do të furnizoheshin nga KEDS siç ka ndodhur gjithmonë. Gjykata ka konstatuar se pezullimi i operimit të hidrocentraleve në Deçan është kundër interesit publik që është një interpretuar më se i gabueshëm, thënë më së buti, kur marrim parasysh degradimin e tmerrshëm të natyrës, të ekosistemit, parkut kombëtar, mos përfshirjen e qytetarëve në debate publike dhe mungesën tërësishme të transparencës në vendime", ka thënë Dushi.

Ajo ka theksuar se me këtë vendim Apeli ka shkelur edhe të drejtën e qytetarëve, pasi që ka keqinterpretuar të drejtën dhe ka minuar besimin e qytetarëve në raport me institucionet e drejtësisë.

Dushi: Gjykata Themelore ka vendosur që të hedhë poshtë padinë e GLPS dhe Pishtarët

“Për momentin ekzistojnë dy procedura në gjykatë kundër hidrocentraleve në Deçan. E para është padia e banorëve të Deçanit, Faton Selmanaj dhe të tjerët dhe e dyta është padia e GLPS dhe Pishtarëve, që të dyja të paraqitura në të njëjtën ditë. Gjykata Themelore ka vendosur që të hedhë poshtë padinë e GLPS dhe Pishtarët, e cila ishte paraqitur disa orë më vonë se sa padia e banorëve, me arsyetimin se ekziston gjyq-varësia”, ka thënë ajo.

Për këtë, ajo ka përkujtuar se GLPS dhe Pishtarët kishin paraqitur ankesë në Apelit duke thënë se nuk ekziston gjyq-varësia, pasi që, sipas tyre, edhe lejet e kundërshtuara janë të njëjta.

Ndërsa, Arbër Fetahu nga GLPS ka bërë të ditur se do të paraqesin sot ankesë disiplinore ndaj kolegjit të Gjykatës së Apelit.

Fetahu: Kolegji i Gjykatës së Apelit ka shkelur detyrat e saj

“Sot Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike do të paraqesë ankesë disiplinore ndaj kolegjit të Gjykatës së Apelit, për shkak se në bazë të Ligjit për Procedurën Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Kolegji i Gjykatës së Apelit ka shkelur detyrat e saj duke mos i trajtuar siç kërkohet nga ligji palët në procedurë. Pra nuk i ka trajtuar Pishtarët dhe GLPS sipas ligjit, duke i përjashtuar ata nga procedura dhe duke ua shkelur të drejtën në gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, tha Fetahu.

Në këtë konferencë u tha se kanë informata nga ministria se janë tërhequr nga ankesa, por që Gjykata e Apelit nuk ka marrë parasysh këtë fakt. Më tej, Fetahu është shprehur se vendime të tilla e vendosin edhe më shumë në pah nevojën urgjente për një vetting të gjyqtarëve të Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat