​KDI: Në procesin e tenderit të ndërtimit të Spitalit të Prizrenit është shkelur Ligji për Prokurim Publik

Aktuale

​KDI: Në procesin e tenderit të ndërtimit të Spitalit të Prizrenit është shkelur Ligji për Prokurim Publik

Më: 26 qershor 2021 Në ora: 12:42
KDI

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka gjetur një numër të madh të shkeljeve të institucioneve të përfshira në procesin e tenderit të ndërtimit të Spitalit të Prizrenit. KDI ka vlerësuar se është shkelur Ligji i Prokurimit Publik nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës. Ndërkohë, që kjo organizatë vlerëson se sa kishte zgjatur procesi i prokurimit, pronari i kompanisë fituese ishte ish-ministri Blerim Kuçi. Po ashtu, ka siguruar të dhëna se ndërrimi i pronësisë të “Hidroterm” ishte bërë më 1 dhjetor të vitit të kaluar, derisa kërkesa për interpretim se mos kishte pasur konflikt interesi ishte ende në tavolinën e Agjencisë kundër Korrupsion.

Në konferencën për medie lidhur me publikimin e rastit studimor për tenderin e ndërtimit të Spitalit të Prizrenit, KDI tha se nuk ka pasur trajtim të denjë nga të gjitha institucionet, sa i përket këtij rasti.

Diana Metushi-Krasniqi nga KDI ka thënë se ka pasur ankesa të shumta në lidhje me këtë tender, dhe se për tetë muaj radhazi kanë analizuar ankesat dhe veprimet e institucioneve.

Metushi-Krasniqi: KDI vlerëson se në këtë procedurë është shkelur Ligji i Prokurimit Publik

"Analiza shpërfaq probleme nga më të shumtat në të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces. KDI vlerëson se në këtë procedurë është shkelur Ligji i Prokurimit Publik dhe rregullat dhe udhëzuesi operativ për prokurim publik. Sepse operatori ekonomik fitues i këtij tenderi nuk i kishte përmbushur kriteret e dosjes së tenderit mbi gjendjen ekonomike dhe financiare. Ku specifikisht janë kërkuar deklaratat tatimore të dorëzuara në ATK për tri vitet e fundit, nga data e njoftimit për kontratë për jo më pak se 8 milionë euro”, ka thënë ajo.

Më tej, ajo ka shtuar se shkelje të ligjit ka bërë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, pasi kontrata është nënshkruar vetëm gjashtë ditë pas dhënies së kontratës, e jo dhjetë ashtu siç e definon Ligji për Prokurimin Publik.

Metushi-Krasniqi: ShSKUK kishte bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik

“Analiza kishte shpërfaqur se në vendimin e fundit nga OShP edhe pse paneli shqyrtues i këtij institucioni pajtohej me mendimin e ekspertit shqyrtues të angazhuar nga po kjo e fundit, përfundimisht paneli kishte marrë vendim që të mbështes vendimin e ShSKUK-së për vazhdimin me dhënie të kësaj kontrate. Po ashtu, KDI ka gjetur se ShSKUK kishte bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, pasi që kontrata është nënshkruar vetëm gjashtë ditë pas dhënies së kontratës, e jo dhjetë ashtu siç e definon Ligji për Prokurimin Publik. Për më shumë gjatë kësaj analize KDI ishte ballafaquar me mungesën e transparencës nga ShSKUK, ku dokumentet e kërkuara me 18 shtator 2020 ishin siguruar vetëm me 7 dhjetor 2020 pas intervenimit nga Avokati i Popullit”, ka shtuar ajo.

Për më tepër, KDI ka gjetur se kompania e shpërblyer me këtë kontratë, në ofertën e saj poashtu kishte dorëzuar vetëm vërtetimin nga Gjykata Themelore, se e njëjta nuk ishte e falimentuar, por jo edhe certifikatën nga Departamenti për Krime të Rënda.

Metushi-Krasniqi: Sa kishte zgjatur procesi i prokurimit, pronari i kësaj kompanie ishte Blerim Kuci

“Në tërë periudhën sa kishte zgjatur ky proces i prokurimit, pronari i vetëm i kësaj kompanie të shpërblyer me kontratë ‘Hidro-term’, me 100 për qind të aksioneve, ishte Blerim Kuçi. Ky i fundit me 5 qershor 2020 kishte pranuar detyrën si ministër i Ekonomisë dhe Mjedisit. Bazuar në këtë fakt KDI kishte ngritur dyshimet se dhënia e kontratës për Hidroterm, pronari i së cilës tashmë ishte një zyrtar i lartë publik, përbënte konflikt interesi. Për këtë me 28 gusht 2020 i ishte drejtuar me shkrim Agjencisë kundër Korrupsion. Pas plot katër muajve nga data e dorëzimit të kërkesës dhe afër tre muajsh pasi ishte nënshkruar kontrata me hidroterm, Agjencia kundër Korrupsionit më në fund me 24 dhjetor ishte përgjigjur në kërkesën duke thënë se nuk kishte prova të mjaftueshme që të argumentojmë për ekzistimin e mundshëm të konfliktit të interesit.

KDI ka siguruar të dhënat se ndërrimi i pronësisë të “Hidroterm” ishte bërë me 1 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa kërkesa për interpretim se mos kishte pasur konflikt interesi ishte ende në tavolinën e këtij institucioni. Kjo organizatë u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të drejtësisë që të merrën me këtë proces dhe të marrë hapat e duhur ndaj atyre që kanë shkelur ligjin. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat