Aksioni “Subvencioni 2021”, flet ministri Peci

Aktuale

Aksioni “Subvencioni 2021”, flet ministri Peci

Më: 30 qershor 2021 Në ora: 21:58
Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci është deklaruar pas aksionit dytë policor “Subvencioni 2021”, ku u arrestuan 21 persona, nga të cilët 14 janë zyrtarë të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Peci deklaroi se Ministria e Bujqësisë është duke u ballafaquar me probleme të shumta.

“Ministria e Bujqësisë është duke u ballafaquar me një varg problemesh, që janë të akumuluara për një dekadë rresht. Fatkeqësisht mënyra si janë vlerësuar projektet, si janë shpërndarë subvencionit, dhe jo vetëm subvencionet, por mendoj që kanë me u shpërfaqë edhe probleme në kategorinë e granteve”, deklaroi ai në Debat Plus.

Tutje, ai pohoi se të gjithë ata që janë përfshirë në afera korruptive duhet të dalin para drejtësisë.

“Grupet e interesit që kanë vepruar në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, një numër i madh i tyre është goditur nga aksioni, pjesa tjetër i takon organeve të drejtësisë. Megjithatë unë mendoj se kjo ndërmarrje duhet të shkojë deri te zyrtari i fundit që është i përfshirë në aferat korruptive”, theksoi ministri.

Ndryshe, operacioni policor është zhvilluar në disa komuna të Kosovës, si në Prishtinë, Pejë, Gjilan dhe Istog.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat