Nënkryetarja e LDK-së i reagon Qeverisë Kurti: Nuk mund të shmangë obligimin për të raportuar para Kuvendit

Aktuale

Nënkryetarja e LDK-së i reagon Qeverisë Kurti: Nuk mund të shmangë obligimin për të raportuar para Kuvendit

Nga: N. H Më: 7 korrik 2021 Në ora: 10:14
Lumir Abdixhiku dhe Shqipe Mjekiqi

Grupi i ekspertëve, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, sot do të takohen me palën serbe në Bruksel.

Në lidhje me këtë takim, por edhe takimin e djeshëm në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel, ka reaguar nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi-Sadiku.

Nënkryetarja e LDK-së përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk mund të shmangë obligimin për të raportuar para Kuvendit të Kosovës, si para ashtu edhe pas secilit takim që zhvillohet në kuadër të këtij procesi të ndjeshëm.

Ja shkrimi i saj:

Nga mediat mësuam se dje është zhvilluar një takim në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel. Një takim tjetër thuhet se do të ndodhë sot. Çmojmë lartë rolin e mediave për informim, në kohën kur Qeveria e Republikës së Kosovës ka zgjedhur mos-transparencën para qytetarëve dhe injorimin ndaj partive opozitare.

Qeveria e Kosovës deri dje deklaronte që nuk kishte njohuri për procesin e deritanishëm të dialogut dhe që dialogu është një proces i ri. Ndërkaq, dje ajo paska njoftuar BE-në për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Si duket, Qeveria e Republikës së Kosovës do t'i dalë zot e vetme këtij procesi. Por, nuk mund të shmangë obligimin për të raportuar para Kuvendit të Kosovës, si para ashtu edhe pas secilit takim që zhvillohet në kuadër të këtij procesi të ndjeshëm.

Për më tepër, deklarimi i djeshëm i z. Lajçak se dialogu mbetet krejtësisht politik është në kundërshtim me tendencën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të rikthyer procesin politik në atë teknik - e që, si duket po e bën vetëm për konsum të brendshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat