Sveçla dërgon në hetuesi disa kontrata të MPB-së: Gjendja është rënduar si rezultat i keqpërdorimeve

Aktuale

Sveçla dërgon në hetuesi disa kontrata të MPB-së: Gjendja është rënduar si rezultat i keqpërdorimeve

Më: 21 korrik 2021 Në ora: 11:21
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike

(E plotësuar 14:16) - Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla ka dërguar në hetuesi të Policisë së Kosovës disa kontrata dhe parregullsi të ndodhura gjatë vitit 2020 në dikasterin që udhëheq.

Duke raportuar në Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku u shqyrtua raporti i auditimit të MPB-së për të njëjtin viti, Sveçla tha se ka kërkuar hetim për kontratën kornizë lidhur me nevojat për ushqim dhe shtesat e marra në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave(AME).

Ai, para deputetëve, tha se të gjeturat e raportit të auditorit janë shqetësuese dhe konfirmim i gjendjes së rënduar në MBP, vjen si rezultat i keqpërdorimeve të vazhdueshme.

Sveçla: Jemi të shqetësuar me të gjeturat e dala nga ky raport

“Jemi të shqetësuar me të gjeturat e dala nga ky raport i cili është konfirmim i gjendjes së renduar në MPB si shkak i keqpërdorimeve të vazhdueshme[...]gjetjet janë si në vijim: jo menaxhim i kontratave në përgjithësi, specifikacionet teknike jo profesionale, mungesë e hulumtimit të tregut të çmimeve, personel jo adekuat për menaxhim të kontratave, ofertat të pranuara nga operatorët ekonomik të pa analizuara nga autoritetit kontraktues dhe shpeshherë dhe të panënshkruara. Gabime teknike në kontrata që i humbin kuptimin neneve të kontratave në fjalë[...]duke analizuar llojin e të gjeturave kemi konkluduar dhe kategorizuar në tri lloje të shkaqeve të të gjeturave, si keqmenaxhim dhe keqpërdorimi buxhetit të shtetit, gabimet gjatë regjistrimit në sistemin e pasurisë dhe kontabilitetit dhe mangësi të sistemit të pasurisë. Bazuar në të gjeturat, qëndrimi ynë është se të gjitha çështjet që kanë rezultuar në keq menaxhim i parasë publike dhe në kundërshtim me Ligjin për ndarjen buxhetore janë adresuar në Polici për hetim”, tha ai.

Ai u zotua se brenda tre muajve të ardhshme do të del me raport të detajuar dhe vendimmarrje, lidhur me pagesën e 20 qytetarëve serbë, të cilët nuk kanë vijueshmëri të punës në MBP.

Sveçla: Këto janë çështjet që i kam dërguar në hetuesi

“Shuma e kompensimit për stafin që nuk janë zjarrfikës, përfshirë edhe kontributin e punëdhënësve ishte 107 mijë 57 euro. Për këtë vlerë nuk është ofruar ndonjë dëshmi që arsyeton shpenzimin e ndodhur për punën shtesë, ndërrimin e natës apo punës gjatë festave[...]E gjetura tjetër është kompensimi i pagave pa vijueshmëri në punë. Ish MAP ka qenë e obliguar të sistemoj 20 punëtorë të komunitetit serbë, zyrtarë të lartcekur gjatë vitit 2020 nuk ishin paraqitur në vendin e tyre të punës, përderisa ministria i kishte bërë pagesën e pagave të tyre në vlerë 100 mijë e 593 euro[...]plani im është që të bëjë një analizë të thellë të këtij rasti, tek këta 20 punëtorë, të bëhet vlerësimi i saktë se pse këta punëtorë nuk vijojnë punën e tyre të rregullt dhe pse vazhdon të pagesa e saj. Unë këtu mund të them se brenda tre muajsh mund të vijë me një raport të detajuar për këtë çështje. E gjetura tjetër, tejkalimi i kontratës kornizë. AKSP me 13 qershor kishte lidhur kontratë publike kornizë me një operator ekonomik, procedurë e negociuar pa publik të njoftimit për kontratë me qëllime të përgatitjes dhe furnizimit për nevojat për ushqim. Vlera totale ishte 206 mijë e 394 euro. Me këtë rast janë bërë tejkalime mbi normën e lejuar për 30 përqind[...]ndër masat që kam ndërmarrë është se kjo çështje është dërguar në hetuesi për keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve”, tha ai.

Por përgjegjësi ndaj këtyre keqpërdorimeve kërkoi Fadil Nura nga PDK, i cili tha se gjysmën e vitit të kaluar, Sveçla ka qenë në ekzekutiv.

Nura: Gjysmën e periudhës së vitit të kaluar ke qenë ministër në këtë resor

“Gjysmën e periudhës së vitit të kaluar ke qenë ministër në këtë resor. Përkatësisht ushtrues detyre dhe ministër, a e ndieni vetën fajtor për këto të gjetura. A jo që ju referuan gjitha hapat në zbatim të rekomandimeve, në fakt e pamë edhe ato që i keni referu në hetuesi, por për gjitha këto thatë se do të merret masa, por se katër muaj nuk kemi bërë asnjë veprim konkret”, tha ai.

Megjithatë, ministri tha se ai nuk e ndjen vetën fajtor dhe as përgjegjës për të gjeturat e raportit të auditorit gjatë vitit të kaluar.

Ndërsa, kryetarja e komisionit nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se vëmendje duhet t’i kushtohet çështjeve të gradimeve në Polici, pasi për shkak të gradimeve jo ligjore po shpenzohet buxheti para kohe në këtë institucion të sigurisë.

Bajrami: Përshkak të këtyre gradimeve jo ligjore buxheti shpenzohet para kohe në Polici

“Çështja e gradimeve në Polici e vë ministrinë e juaj gjithmonë në pozitë jo të favorshme. Për shkak të këtyre gradimeve, do të thosha joligjore dhe jashtë rregullave gjithmonë shpenzohet buxheti para kohe”, tha ajo.

I pyetur nga deputetët opozitar, ministri Sveçla foli edhe për arrestimet e anëtarëve të PSD-së gjatë protestës së javës së kaluar, ku tha se ai s’ka gisht në çështjet operacionale të Policisë së Kosovës.

Sveçla: S’mundem me urdhëru policinë për veprime operacionale

“Është jashtë kompetencave të mija ligjore me urdhëru policinë për veprime operacionale. As nuk kam bërë, as nuk do ta bëjë. Nuk kam qenë në Prishtinë dhe ngjarje për këtë protestë”, tha ai.

Sveçla: Në MPB ka pasur tejkalim të vlerave të kontratës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se ka gjetur një mori shkeljesh ligjore në dikasterin që drejton.

Duke raportuar në Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku u shqyrtua raporti i auditimit të MPB-n për vitin 2020, Sveçla tha se disa prej shkeljeve i ka dërguar edhe në hetuesi.

“Ka pasur tejkalim të vlerave të kontratës kornizë me procedurë jo publike. Vlera e saj ishte mbi 200 mijë euro ku janë bërë tejkalime mbi normën e lejuar”, tha ai.

Image

Shqetësime për të gjeturat e auditorit për pasqyrat financiare të Ministrisë̈ së Punëve të Brendshme për vitin 2020 ngirtën edhe anëtarët deputet të Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat