Goditje ndaj AAK-së dhe LDK-së, Liburn Aliu ndërpret projekte milionëshe në komunat e tyre

Aktuale

Goditje ndaj AAK-së dhe LDK-së, Liburn Aliu ndërpret projekte milionëshe në komunat e tyre

Më: 4 gusht 2021 Në ora: 10:19
Arban Abrashi dhe Liburn Aliu

Arban Abrashi i LDK-së i nënshkruajti në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës. E Muharrem Nitaj i AAK-së në atë të ministrit në detyrë të Ekonomisë dhe Ambientit.

Megjithatë, memorandumet që të dy këta ish-partnerë koalicioni në nivelin qendror i lidhën gjatë fillimit të 2021-s me disa Komuna, kryesisht të drejtuara nga kryetarë të partive të tyre, ua ka ndërprerë pushteti i ri tash kur këto dikastere i ka bashkuar në një të vetëm.

Është ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu nga radhët e Vetëvendosjes që zhvlerësoi bashkëpunimin me Deçanin, Suharekën, Rahovecin, Gjakovën, Obiliqin & Junikun, që të gjitha komuna të udhëhequra nga AAK-ja. Krahas tyre, edhe atë me Pejën e Gazmend Muhaxherit të LDK-së. Mëshirë, Aliu s`pati as për ujdinë që dikasteri që tash e drejton e pati zyrtarizuar me Mitrovicën, e qeverisur nga Agim Bahtiri, politikan ky i afërt me subjektin e tij, LVV-në.

Kjo vërtetohet me anë të një dokumenti të datës 20 maj 2021, të cilin e ka siguruar.

Me memorandumet e nënshkruara parashihej që Ministritë, atëherë të ndara në dysh, t`ua financonin disa projekte infrastrukturore komunave.

E anulimin e tyre, Ministri Aliu e ka arsyetuar para komunarëve duke përmendur dy arsye, të cilat siç thotë e kanë shtyrë të ndërmarrë këtë veprim.

E para lidhet me fuzionimin e disa ministrive në një të vetme.

Kurse, e dyta me pandeminë.

“Për shkak të situatës me COVID-19 dhe masave të marra nga Qeveria e Kosovës për mbështetje të bizneseve që janë goditur si pasojë e mbylljes së tyre dhe orientimit të fondeve në luftimin e pasojave ju njoftojmë se MMPHI, tërhiqet nga obligimi financiar i marrë në memorandumet e mirëkuptimit për financim të projekteve në komunën tuaj”, thuhet në dokumentin e siguruar nga “Front Online”.

Ministri Aliu “sakaton” Obliqin, kryetari i kësaj të fundit e quan politik vendimin

Arsyetimet e Ministrit Aliu nuk po i pranon Xhafer Gashi, kryetar i Obliqit, njërës nga komunat përfituese.

Politik e ka quajtur anulimin e dy projekteve komunale të tij, njërit për infrastrukturë 900 mijë euro dhe tjetrit për ambient 600 mijë sosh.

“Po flitet për zhvillim ekonomik a këndej e ndalë projektin për infrastrukturë të zhvilllimit industrial rreth 900 mijë euro. Sa i përket projektit të ambientit, ju e dini, ja ka nevojë Obliqi për të tilla memorandume, ja nuk e di cila komunë tjetër”, u shpreh Gashi.

Aliu i “rrafshon” projektet në Rrafshin e Dukagjinit

Komunat që e kanë pësuar më së shumti nga vendimi për anulim i Ministrit Aliu janë ato që ndodhën në Rrafshin e Dukagjinit.

Njëra nga to është Gjakova. Këtu me gjasë do të mbetën pa u asfaltuar shtatë rrugë. E pezullim do të ketë edhe sa i përket ndërtimit të rrugës hyrëse në Gjakovë nga ana veriore, nga drejtimi i Pejës dhe rrugës transite që lidhë rrugën hyrëse nga Peja me rrugën hyrëse nga Prishtina. Kjo meqë mjetet që Ministria e Infrastrukturës i kishte zotuar për këto projekte hyjnë në kuadër të shumave të anuluara nga Ministri Aliu.

Për realizimin e tyre u patën marrë vesh në fillim të 2021-s, Arban Abrashi i LDK-së, atë kohë Ministër i Infrastrukturës dhe Ardian Gjini i AAK-së, kryetar i Gjakovës.

Partitë e tyre, atë kohë, ishin partnere koalicioni në nivelin qendror.

Rahoveci është tjetri qytet i dëmtuar.

Ndërtimin e sheshit këtu nuk do të mbulojë financiarisht Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

I pari i saj, Liburn Aliu, e prishi ujdinë për shëtitoren që e kishin arritur pararendësi i tij, Arban Abrashi dhe kryetari rahovecian, Smajl Latifi.

Këtij të fundit s`po i pëlqen aspak kjo.

“Komunave nuk ish dashtë t`u ndërpriten projektet. Ka pasë linja tjera buxhetore. Se a është vendimi politik ose jo duhet të pyeten ata. Po nuk është aspak mirë që i ka ndalë sepse në komunat e Kosovës punohet”, vlerësoi Latifi.

Ministri Abrashi si Gjakovën, njëjtë e kishte ndihmuar edhe një komunë tjetër të udhëhequr nga AAK-ja, partneri i koalicionit në nivel qendror më 2021.

E kishte shpërblyer me memorandum afër 1 milion euro Klinën për katër projekte infrastrukturore.

Buxheti qendror kah bashkëpartiakët e nivelit lokal

Pas tyre, Abrashi krah u doli edhe komunave që drejtohen nga kolegët e tij të partisë.

Ai ndihmoi Pejën e Gazmend Muhaxherit të LDK-së me 1.4 milionë euro për disa projekte infrastrukturore, realizimi i të cilave u tha të jetë i rëndësishëm.

Për të vetit u përkujdes sa ishte ministër në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit, edhe Muharrem Nitaj.

Ai hodhi firmën e tij në një memorandum mirëkuptimi në vitin 2021, me të cilin dikasteri që drejtonte obligohej të investonte 650.000 mijë euro në disa projekte kapitale në Suharekën e Bali Muharremajt, bashkëpartiakut të tij.

Keq nuk e la as Bashkim Ramosajn, kryetarin e komunës së Deçanit, me të cilin ranë dakord për pesë marrëveshje bashkëpunimi e që kishin të bënin me finalizimin e projekteve të kanalizimit për 18 fshatra.

Këto projekte do të mbesin në gjysmë.

Megjithatë, ato Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, mund t`i financojë prapë.

Të hapur si mundësi këtë e ka lënë vetë i pari i saj, Liburn Aliu, në letrën dërguar kryetarëve të komunave, të prekura nga vendimi i tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat