Kurtishi: Mungesa e ilaçit “Herceptin” nuk ka ndikuar në shëndetin e pacientëve

Aktuale

Kurtishi: Mungesa e ilaçit “Herceptin” nuk ka ndikuar në shëndetin e pacientëve

Më: 12 gusht 2021 Në ora: 21:02
Ilir Kurtishi

Pacientët që vuajnë nga sëmundja e kancerit të gjirit dhe të stomakut, për më shumë se tri javë nuk kanë mundur ta marrin ilaçin Herceptin, edhe pse ky medikament është në listën e barnave esenciale.

Vetëm sot, Klinika e Onkologjisë është furnizuar me këtë ilaç, por vetëm për dy muaj.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, tha se mungesa e këtij ilaçi nuk ka ndikuar në shëndetin e pacientëve që po trajtohen në këtë klinikë.

“Gati asnjë pacient nuk e ka ble ilaçin pasi ka qenë i shtrenjtë dhe brenda dy jave me qenë se ilaçi merret për një vjet edhe MSH-ja e sponzorizon do të thotë është bar i listës esenciale e marrin gjatë gjithë kohës dhe neve një pacient i tillë shtetit të Kosovës i kushton gati mbi 50 mijë euro, dhe të gjithë pacientët deri tash e marrin këtë pa asnjë problem. Kjo periudhë kohore sa ka pasur mungesë nuk ska pasur impact në shëndetin dhe ecurinë e sëmundjes”, tha Kurtishi.

Por, Kurtishi thotë se përveç ilaçit Herceptin apo siç njihet ndryshe me emrin Trastuzumab, Klinika e Onkologjisë ka mungesë edhe të disa barnave të tjera.

“ Realisht kemi disa ilaçe një numër i vogël ja që 7-8 ditë mirëpo kjo ka qenë për shkak do të thotë problemeve të cilat i ka SHSKUK-ja me buxhet, mirëpo është realizua edhe kjo dhe shpresojmë që nga java e ardhshme ilaçet e domosdoshme të jenë aty edhe pse shumica e tyre janë “, tha tutje ai.

Kryetari i Shoqatës se Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra, thotë se pacientët që nuk u furnizuan me këtë medikament, duhet të kërkojnë kompensim nga shteti.

“Mosfurnizimi me barna nga lista esenciale është një keqfunksionim i sistemit shëndetësor për të cilën pacientët kanë të drejtë ta padisin shtetin dhe të kërkojnë kompensim për aq sa janë dëmtuar për aq sa kanë blerë barna. Ditët e fundit kemi pa që bari herceptin po mungon për pacient me kancer dhe kjo pa dyshim ju shkakton një dëm të madh pacienteve të cilët përveç sëmundjes detyrohen të hyjnë në borxhe të thella”, foli Kodra.

Sipas Kodrës, mungesa e barnave esenciale apo furnizimi me to është problem që e përcjell shëndetësinë në vend që nga paslufta.

Siç shprehet ai, këtë barrë të keqmenaxhimit në furnizim me barna esenciale po e vuan pacienti i cili, sipas tij, detyrohet t’i blejë këto barna në barnatore private me çmime shumë të larta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat