​Policia Kufitare bëhet me 20 vetura të reja, donacion nga Gjermania

Aktuale

​Policia Kufitare bëhet me 20 vetura të reja, donacion nga Gjermania

Më: 23 gusht 2021 Në ora: 14:51
Foto ilustrim

Gjermania i dhuroi Kosovës 20 vetura të reja, e që do të shërbejnë në të gjitha pikat kufitare anë e kënd vendit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në një prononcim për media tha se veturat e reja të cilat do të përdoren për patrullimet në pikat kufitare do të shërbejnë në luftimin e trafikimit të armëve, mallrave, narkotikëve dhe në luftën kundër migracionit të parregullt.

Mehmeti: Automjetet do të përdoren në të gjitha pikat kufitare në luftën kundër trafikimit

"Ky është kontingjenti i dytë i automjeteve që kanë ardhur ndihmë për policinë kufitare nga qeveria gjermane. Shfrytëzoj rastin që të falënderojmë Ambasadën gjermane dhe qeverinë gjermane për ndihmën që ka dhënë për Policinë Kufitare dhe policinë në përgjithësi. Këto automjete do të përdoren kryesisht për luftën kundër trafikut të armëve, trafikut të ndryshëm, qoftë të armëve, të narkotikëve, të mallrave dhe, natyrisht ne luftën kundër migracionit të parregullt. Të gjitha këto mjete dedikohen kryesisht për Policinë Kufitare dhe do të jenë në përdorim në patrullim në vijën e gjelbër dhe në patrullimet kufitare anë e kënd Kosovës", tha ai.

Kurse ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde tha se ky donacion dëshmon bashkëpunimin e mirë që kanë dy institucionet përkatëse të sigurisë.

Ai theksoi se një bashkëpunim i tillë do të vazhdojë edhe në ngritjen e kapaciteteve të tjera.

Rohde tha se me këtë donacion do të rritet prezenca e policisë në pikat kufitare, e si rrjedhojë edhe kapacitetet e saj.

Rohde: Donacioni i sotëm dëshmon bashkëpunimin e ndërsjellët

"Jam shumë i lumtur që për herën e dytë po bëjmë shpërndarjen e donacionit të dytë të 20 veturave të modelit Dacia, prej Policisë Federale gjermane. Ky donacion dëshmon bashkëpunimin që kemi ndërmjet institucioneve tona policore. Mendojmë që me këtë donacionin e dytë do të ngrihen kapacitetet dhe prezenca policore në pikat kufitare. Do të shikojmë që në të ardhmen të ngrisim kapacitetet edhe më tutje", tha ai.

Ky është kontingjenti i dytë i automjeteve që Gjermania i ka dhuruar Policisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat