MASHTI rishikon udhëzuesin për mësim në kohë pandemie, skenari bazë rikthimi i plotë në shkolla

Aktuale

MASHTI rishikon udhëzuesin për mësim në kohë pandemie, skenari bazë rikthimi i plotë në shkolla

Më: 3 shtator 2021 Në ora: 12:41
Dukagjin Pupovci

(E plotësuar 13:46) - Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka rishikuar udhëzuesin për mësim në kohë pandemie, i cili javën e ardhshme do të jetë në dispozicion të drejtorive për arsim dhe shkollave. Përveç tre skenarëve të paraparë edhe vitin e kaluar, është shtuar edhe një skenar bazik që parasheh mësimin në shkolla me prezencë të plotë.

Nga MASHTI është bërë e ditur se deri më tani janë vaksinuar 77 përqind e mësimdhënësve, derisa është potencuar se nga ministria janë bërë të gjitha përgatitjet që të fillojë viti i ri shkollor.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, bëri të ditur se kanë rishikuar udhëzuesin për mësim në kohë pandemie, për çka tha se janë skenarët A, B, C dhe si skenarë bazik është mësimi në shkolla me prezencë të plotë.

Ai potencoi se MASHTI ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor dhe deklaroi se presin që situata të përmirësohet dhe më 13 shtator të nis mësimi me prezencë në shkolla.

Pupovci: Skenar bazik që parasheh mësimin në shkolla me prezencë të plotë

“E kemi rishikuar edhe udhëzuesin për mësim në kohën e pandemisë, i cili është hartuar vitin e kaluar dhe ky versioni i ri që sot është gati dhe javën tjetër do të jetë në dispozicion të DKA-ve dhe shkollave. Me këtë udhëzues parashihen skenarët e mundshëm për zhvillimin e mësimit në kushtet e pandemisë, përsëri janë ata skenarët A, B, C nga viti i kaluar, por është shtuar tani si skenar bazik një tjetër skenari i rikthimit i cili parasheh mësimin në shkolla me prezencë të plotë”, tha ai.

Pupovci bëri të ditur se deri më tash janë vaksinuar 77 përqind e mësimdhënësve, derisa u ka bërë thirrje të njëjtëve që të vaksinohen.

Pupovci: 77 përqind e mësimdhënësve të vaksinuar

“Sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve, sipas informatave që kemi nga 2/3, nga 19 komuna ku punojnë 2/3 e punonjësve të arsimit shkalla e vaksinimit është 77 përqind, që është për 5 përqind më e lartë se javën e kaluar kur e kishim shkallën e vaksinimit 72 përqind. Këto të dhëna duhet t’iu them që nuk janë të plota siç ju thash kemi vetëm 19 komuna, por i kemi 2/3 e mësimdhënësve që punojnë në Kosovë dhe meqë nuk janë të plota ne mund të supozojmë se kjo përqindje është diç më e madhe se 77 përqind. Ndërkaq nga raporti i IKSHPK-së nxjerrim përfundim se deri tani janë vaksinuar 2 mijë e 369 nxënës dhe 54 mijë 438 studentë, do të thotë edhe këtu kemi një shkallë të konsiderueshme të vaksinimit”, deklaroi ai.

Sa i përket vendimit të qeverisë që nga 13 shtatori të gjithë punonjësit publik duhet të posedojnë ndonjë certifikatë vaksinimi apo test negativ, Pupovci tha se i njëjti do të vlejë edhe për mësimdhënësit qoftë në institucionet arsimore private ose publike.

Pupovci: Mësimdhënësit ose duhet të jenë të vaksinuar ose duhet të sjellin test çdo 72 orë

“Për institucionet arsimore ekziston në vendim një normë e veçante e cila vlen edhe për institucionet publike, por edhe për institucionet private. Pra, të gjithë punonjësit e arsimit ose duhet të jenë të vaksinuar ose çdo 72 orë të sjellin provën se nuk janë të infektuar, pra testin PCR ose atë testin serologjik. Ata nëse nuk i sjellin testet e tilla atëherë nuk do të mund të hyjnë në klasë dhe ajo nuk do të konsiderohet si mungesë e arsyeshme nga puna. Pastaj, aty ka sanksione kur njerëzit mungojnë pa arsye nga puna”, u shpreh ai.

Pupovci foli edhe për afatin e dytë të testit të maturës, i cili është mbajtur javën e kaluar. Ai bëri të ditur se për shkak të përdorimit të telefonit nga testi janë larguar 41 nxënës të cilëve u është anuluar testi, ndërsa për shkak të menaxhimit jo të duhur të situatës në klasa janë larguar tetë administrues./

​Pupovci: Vaksinohen 77 përqind e mësimdhënësve

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka deklaruar se deri më tani janë vaksinuar 77 përqind e mësimdhënësve.

Pupovci ka bërë të ditur se kanë bërë rishikimin e udhëzuesve për mbarëvajtjen e procesit mësimor në pandemi dhe të njëjtit do të shpërndahen nëpër shkolla.

Ai tha se si MASHTI i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor.

"Tani më e kemi shikuar edhe udhëzuesin për mësim në pandemi dhe versioni i ri do të jetë në dispozicion të shkollave. Përsëri janë ata skenarët A, B, C dhe është shtuar skenari i rikthimit me prezencë fizike të plotë në shkolla", tha ai.

"Shkalla e vaksinimit është 77 përqind, që është 5 përqind më e lartë nga java e kaluar", tha ai.

Zëvendësministri bëri të ditur se ka nisur edhe shpërndarja e teksteve shkollore.

"Sa i përket teksteve shkollore ka përfunduar dhe do të përfundojë me kohë. Mësimdhënësit tani më e kanë vërë përzgjedhjen e teksteve alternative dhe në bazë të tyre po bëhet shpërndarja e tyre", tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat