​PDK: Qeveria Kurti po dështon, shëndetësia, ekonomia dhe arsimi pranë kolapsit

Aktuale

​PDK: Qeveria Kurti po dështon, shëndetësia, ekonomia dhe arsimi pranë kolapsit

Më: 4 shtator 2021 Në ora: 08:54
Blerand Stavileci

Partia Demokratike e Kosovës ka adresuar një varg akuzash ndaj Qeverisë Kurti për menaxhimin e pandemisë COVID-19. Partia më e madhe opozitare po e konsideron shqetësuese dhe pranë kolapsit edhe situatën me ekonominë dhe arsimin në vend. Sipas tyre, ekzekutivi po dështon dhe po prodhon skandale në të gjitha fushat, të cilat nuk kanë qenë asnjëherë më parë në Kosovë.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci në një intervistë thotë se Kuvendi i Kosovës, domosdoshmërish duhet t’i kthehet punës për t’i adresuar gjitha këto sfida, për të cilat sipas tij, Qeveria Kurti nuk po vepron.

Stavileci: Të ndërpritet pushimi i Kuvendit

“Në mungesë të punës dhe angazhimit (të kryeministrit), i cili siç po shihet ka angazhime diku tjetër jashtë Kosovës, siç po e shohim ditëve të fundit, atëherë kryetari (Memli) Krasniqi ka bërë një kërkesë të tillë dhe për më tepër ka dhënë disa propozime që të mblidhet Kuvendi. Meqenëse kryeministri ka të drejtë të bëjë një ftesë të tillë për të thirrur seancë, atëherë deputetët e PDK-së do të jenë të gatshëm për të qenë aty, për të ndërprerë pushimet për çfarëdo mase apo veprimi që shkon në dobi të qytetarëve tanë... Me sa duket përgjigje prej qeverisë nuk do të ketë, sikurse edhe të gjitha mosveprimet e saj, po e shohim se gjithçka po karakterizohet me një apati të kësaj qeverie, çdo ditë po shpërthen një skandal”, deklaroi Stavileci.

Stavileci shprehet se gjendja është e rënduar në vend, por ekzekutivi dhe kryeministri Kurti nuk po bëjnë asgjë.

Stavileci: Kemi një gjendje të rënduar, Qeveria Kurti asgjë nuk ka bërë

“Në ditët e sotme, ndryshe nga e kaluara kur tentohej të gjendej fajtori edhe arsyetimet nuk ka fajtor e as arsyetime. Ai vet e thoshte se nuk ka dështuar sistemi, nuk ka dështuar mjekësia dhe ekonomia, por kanë dështuar qeveria dhe ministrat. Pra nuk kemi asgjë më shumë për të thënë, shtuar e as hequr deklaratës që ai vet e kishte bërë para një viti. I bie që as për një vit kohë edhe pse janë dy në total prej tetorit të vitit 2019, nuk ka bërë asnjë hap që do të mundte të lejonte, të thoshte se është bërë kjo në fushën e arsimit, kjo në fushën e ekonomisë, apo kjo në fushën e shëndetësisë. Përkundrazi asgjë nuk është bërë dhe sot kemi këtë gjendje të rënduar... 13:00 Ne po futemi në një kolaps të natyrës shëndetësore, ekonomike dhe arsimore, këtë deputetët e PDK-së, por edhe të gjithë të tjerët, por edhe qytetarët, jo vetëm ata që e votojnë PDK-së, por edhe të tjerët të organizohen në mënyrë që ta zgjojmë nga gjumi këtë qeveri, pasi po bëhet fjalë për jetë njerëzish, jo numra”, thotë ai.

Sipas Stavilecit, përveç dështimit në fushën e shëndetësisë, Qeveria Kurti po sjell skandale të njëpasnjëshme në shumë fusha të tjera, të cilat, sipas tij asnjëherë nuk kanë ndodhur në vendin tonë.

Ai thotë se mungesa e ambasadorëve në shumë vende mike të vendit po e defaktorizon Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Stavileci: Kemi skandale edhe në fusha të tjera

“Fatkeqësisht të gjithë atë që e folëm dhe po e shohim ne dhe qytetarët, pra dështimin total në menaxhimin e pandemisë, pasojat e saj, madje edhe parandalimit dhe uljes së dëmeve që do të ishte edhe hapi i fundit që do ta bënin, e që s’po bëhet. I tërë ky dështim bëhet edhe më skandaloz kur shohim se edhe në fusha të tjera ka skandale dhe dështime të përmasave të mëdha të cilat asnjëherë nuk kanë ndodhur në vendin tonë. Ato e bëjnë vendin tonë të defakotrizohet”, thotë Stavileci.

Stavileci flet edhe për pritjet e PDK-së për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Ai thotë se fryma e ndryshimit në PDK do t’i rikthejë komunat e mëdha ku nuk qeverisin.

Stavileci: Do ta rikthejmë besimin në komuna

“Ne jemi të vetmit që garojmë në 29 komuna, jemi me numrin më të madh të kandidatëve për asamble, 875, jemi me numrin më të madh të kandidatëve që nuk kanë garuar asnjëherë, pra 17 nga 29. Rreth 50 përqind e listës janë njerëz të rinj që tregon një përfaqësim të natyrës demografike të vendit tonë. Kemi numrin të madh të grave kandidate për kryetare, katër më shumë se të gjitha partitë e tjera politike. Kjo përbën një fakt që do t’i shërbejë asaj që po ndërtohet në PDK, një frymë e re për të rikthyer PDK-në aty ku e ka vendin... me kandidatët që i kemi në garë, me organizimin e ri të PDK-së, me efektivin e ri, duke nisur nga kryetari edhe deri tek grupi parlamentar, asamblistët dhe të gjithë të tjerët konsiderojmë se është një kontingjent i mjaftueshëm i njerëzve për ta rikthyer besimin e qytetarëve në këto komuna”, pohon anëtari i kryesisë së PDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat