Krasniqi: Pas investimeve në rezervuaret me oksigjen janë shpëtuar shumë jetë të pacientëve

Aktuale

Krasniqi: Pas investimeve në rezervuaret me oksigjen janë shpëtuar shumë jetë të pacientëve

Më: 5 shtator 2021 Në ora: 22:06
Valbon Krasniqi

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës Valbon Krasniqi, ka vizituar sot spitalet e Pejës dhe Gjakovës, ku ka parë nga afër punën në repartet COVID.

Krasniqi pohoi se pas investimeve në rezevuaret me oksigjen janë shpëtuar shumë jetë të pacientëve.

Ai ka biseduar nga afër edhe me pacientët që janë të infektuar me COVID-19 që po marrin shërbime në këto spitale.

“Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka vizituar sot spitalet e përgjithshme, të Pejës dhe Gjakovës. Në takime është pritur nga Skender Dreshaj, drejtor i Spitalit të Pejës dhe Hilmi Shala, u.d. drejtor i Spitalit të Gjakovës”, njofton Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.

“Gjatë vizitës në Spitalin e Pejës mori pjesë edhe dr. Hanumshahe Kingji, anëtare e Bordit Drejtues tē SHSKUK-së. Duke folur për investimet e bëra në spitalet e përgjithshme, drejtori Krasniqi, pohoi se pas investimeve në rezervuaret me oksigjen të lëngshëm, janë shpëtuar shumë jetë pacientësh”.
“Gjatë vizitës, ka parë nga afër punën në repartet COVID-19 të këtyre spitaleve dhe ka biseduar me disa nga pacientët që po marrin shërbime shëndetësore në këto spitale.Ai ka falënderuar të gjithë punëtorët e spitaleve që përkundër mbingarkesës, po kujdesen maksimalisht në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët”.

“Drejtori i spitalit të Pejës dhe ai i Gjakovës, kanë njoftuar se në këto spitale vazhdojnë të trajtohen numër i madh i pacientëve me COVID-19. Ata kanë falënderuar drejtorin Krasniqi për investimet e bëra në këto spitale, si në rezervuaret me furnizim të lëngshëm me oksigjen, por mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme për spitalet e përgjithshme në furnizim me barna, material shpenzues dhe masa mbrojtëse kundër COVID-19”.

“Mes tjerash, drejtori i SHSKUK-së, tha se po zbatojnë planin për menaxhim të situatës me COVID-19, në QKUK, por edhe në spitalet e përgjithshme, në të cilat kapacitetet për trajtim të pacientëve me COVID-19, janë zgjeruar sipas nevojave që janë paraqitur.Ai theksoi se njëra nga synimet ka qenë që spitalet të trajtojnë pacientët me Covid-19 dhe mos të ngarkohet QKUK, e kjo ështē duke u realizuar me sukses. Duke folur edhe për rëndësinë e vaksinimit, ai ka ftuar të gjithë qytetarët që të vaksinohen, ngase është mundësia e vetme për ta mundur virusin dhe për ta tejkaluar këtë situatë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat