VOA: Kosova thellon masat kufizuese për shkak të COVID-19

Aktuale

VOA: Kosova thellon masat kufizuese për shkak të COVID-19

Më: 13 shtator 2021 Në ora: 00:38
Klinika Infektive

Nga e hëna në Kosovë hyjnë në fuqi masa shtesë në kuadër të përpjekjeve të autoriteteve për të frenuar zgjerimin e infektimeve nga COVID-19.

Që nga një shtatori e deri të dielën, janë regjistruar 291 viktima, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit 23 veta kanë humbur jetën nga pasojat e COVID-19.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit janë konfirmuar 424 raste të reja të të prekurve nga koronavirusi që shënon një rënie të numrit të të infektuarve.

Qeveria e Kosovës vendosi të dielën që të vazhdojë edhe për dy javë masat kufizuese ndërsa shtoi edhe masa të reja. Sipas vendimit të qeverisë, deri më 26 shtator do të vazhdojë kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22 deri në orën 5 të mëngjesit, shtyhet fillimi i vitit të ri shkollor dhe kufizimi i orari të punës së bareve dhe restoranteve.

Ministri i shëndetësisë, Arben Vitia tha se me gjithë rënien e numrit të të infektuarve, situata epidemiologjike mbetet e paqëndrueshme.

“Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollorë dhe qëndrimit ditorë pezullohet deri me datën 26 shtator 2021. Ky pezullim vlen edhe për aktivitetin mësimor me prezencë fizike në institucionet publike dhe private të nivelit universitar. Për familjet me fëmijë të regjistruar në institucione parashkollore dhe me dy prindër të punësuar njëri prind lirohet nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë gjatë periudhës 13 deri 26 shtator”, tha ai.

Masat e qeverisë përfshijnë edhe vërtetimin për vaksinim apo testeve negative për COVID-19.

“Studentët në mënyrë që t’i mundësohet regjistrimi në konvikt duhet të posedojnë njërën ndër dëshmitë e cekura që kemi përmendur siç janë certifikata e vaksinimit, testi PCR apo serologjik. Studentët në institucionet publike apo private universitare duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura në mënyrë që t’u lejohet hyrja në objektin e institucionit”, tha ai.

Në grup qytetarësh protestoi të dielën para ndërtesës së qeverisë së Kosovës kundër sic u tha vaksinimit të detyrueshëm.

“Kryeministri e ka shti në terr popullatën dhe nuk dëshiron të dëgjojë për askënd. Nuk respektohen të drejtat tona dhe me Kushtetutë është shkelje e të drejtave tona. Andaj nuk lejojmë që dhunshëm me u shpu dhe as fëmijët tanë nuk do i lejojmë të na i vaksinojnë”, tha njëri nga organizatorët e protestës, Arian Xhezairi.

Protestuesit paralajmëruan që çështjen do ta dërgojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese

Image

 

Ministri i shëndetësisë, Arben Vitia tha se në Kosovë vaksinimi nuk është i detyrueshëm.

“Ne nuk kemi bërë vaksinimin e obligueshëm, janë edhe mundësitë tjera, janë testi PCR jo më i vjetër se 72 orë, është testi serologjik që tregon që secili pacient ose ka kaluar COVID-in, është vaksinuar më herët por ka antitrupa për të qenë i mbrojtur ose testet rapide dhe prapë po e përsërisë, nga të gjitha këto zgjedhje që kanë qytetarët e Kosovës vaksinimi është zgjidhja më e mirë, më e lirë dhe më e sigurt. Asnjë opsion nuk është më i sigurt se kaq por kjo mbetet në zgjedhjen e secilit qytetarë dhe nuk mund ta bëjmë obligative”, tha ai.

Deri të dielën janë vaksinuar 688 mijë qytetarë prej të cilëve 358 mijë me dy doza të vaksinave./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat