Shtyhet gjykimi për grabitjen në Veternik ku kishte mbetur i vrarë njëri grabitës

Aktuale

Shtyhet gjykimi për grabitjen në Veternik ku kishte mbetur i vrarë njëri grabitës

Më: 14 shtator 2021 Në ora: 12:55
Foto ilustrim

Në mungesë të dëmtuarit Ridvan Beqiri dhe mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për “grabitje”, Bajram Musa dhe Gzim Braholli, e paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Dy të akuzuarit po dyshohen se në gusht të vitit 2020, së bashku me K.K (tani i ndjerë) dhe me personin NN, kishin tentuar të grabisin në shtëpinë e të dëmtuarit Ridvan Beqiri, i cili pasi i kishte hetuar grabitësit, në një përleshje të armatosur me ta kishte mbetur i vrarë K.K, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Syla bëri të ditur se avokati Berisha e kishte njoftuar gjykatën se për arsye shëndetësore të të dëmtuarit Beqiri, nuk mund të ishin prezent në seancën e së martës.

Përveç tyre, në këtë seancë ka munguar edhe dëshmitari Etnik Avdyli, ndaj të cilit sipas gjykatësit Syla ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, mirëpo policia e kishin informuar gjykatën se nuk kishin mundur ta gjenin adresën e tij.

Në këtë mënyrë, seanca e së martës është shtyrë, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet më 8 nëntor 2021, në ora 09:30.

Sipas aktakuzës se ngritur më 24 gusht 2020, dy të akuzuarit me 27 nëntor 2018, së bashku me K.K (tani i ndjerë) dhe me personin NN, me përdorimin e forcës kishin hyrë nga ana e prapme e në oborrit të shtëpisë së të dëmtuarit Ridvan Beqiri, dhe me forcë kishin arritur ta hapin derën që të shpije drejt në sallon ku ishte duke qëndruar i dëmtari Beqiri.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit i kanë drejtuar armën të dëmtuarit Beqiri, ku më pas i dëmtuari Beqiri ka shtënë në drejtim te tyre me pistolete (të cilën e kishte me leje), me pas është mbështetur për muri në afërsi të derës hyrëse dhe i ka shikuar të pandehurit përmes dritares se vogël, të pandehurit sërish ia kishin drejtuar armën të dëmtuarit Ridvan, i cili në ato momente prapë kishte shtënë në drejtim të tyre, me ç’rast i pandehuri K.K ka mbetur i vrarë në oborr, ndërsa të pandehurit e tjerë kanë arritur të ikin nga aty.

Me këtë veprime, të akuzuarit në bashkëveprim po ngarkohen me veprën penale “Grabitje” nga neni 329 par.3 lidhur me par.1 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat