Kurti: Vettingu forcon drejtësinë dhe demokracinë në vendin tonë

Aktuale

Kurti: Vettingu forcon drejtësinë dhe demokracinë në vendin tonë

Më: 13 tetor 2021 Në ora: 10:46
Mbledhja e Qeverisë

Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept-dokumentin për hartimin e vetingut në drejtësi. Në mbledhjen e sotme, vetingu u konsiderua i rëndësishëm në forcimin e drejtësisë dhe demokracisë në vend.

Kryeministri, Albin Kurti, tha se vetingu do të tentohet të bëhet përmes amendamenteve kushtetuese, por si mundësi e dytë është edhe ndryshimet ligjore relevante.

Kurti: Koncept-dokumenti që kemi përpara e forcon drejtësinë dhe demokracinë në vendin tonë

“Grupi punues i themeluar nga Ministria e Drejtësisë kanë hartuar koncept-dokumentin dhe kanë propozuar metodologjinë e mbarëvajtjes së tij përmes votimit të amendamenteve kushtetuese që do të lejonin hapësirë të mjaftueshme për hartimin e ligjit për vetingun. Duke e konsideruar se edhe pasqyra aktuale ligjore lejon hapësirë për mbarëvajtje të procesit të vetingut përmes plotësim ndryshimeve të ligjeve relevante, Grupi punues ka propozuar si mundësi të dytë ndryshimet ligjore. Faza e parë e vetingut do të mbulojë vlerësimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, zyrën e Kryeprokurorit të shtetit, Gjykatës Supreme, rrjedhimisht pozitat e larta drejtuese. Vetingu do të bëhet përmes një mekanizmi të pavarur nga gjyqtarët dhe jo gjyqtarët të zgjedhur nga Kuvendi dhe presidenca për hirë të balancimit të pushteteve me prani të ndërkombëtare... koncept dokumenti që kemi përpara i hapë rrugë këtij procesi kaq të rëndësishëm për forcimin e drejtësisë dhe demokracisë në shtetin tonë”, tha ai.

Miratimin e këtij koncept-dokumenti e mirëpriti edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se ekzekutivi është i vendosur për reforma në sundimin e ligjit.

Haxhiu: Ne jemi të vendosur që të ketë reforma të rëndësishme të sundimit të ligjit

“Sundimi i ligjit është shumë i rëndësishëm, andaj më shumë se kurrë ne jemi të vendosur që të ketë reforma të rëndësishme të sundimit të ligjit. Të kemi integritetin dhe profesionalizimin në institucionet e drejtësisë dhe të kthejmë besimin e qytetarëve”, tha ajo.

Vetingu në drejtësi ka qenë premtim i kahershëm i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat