Dy agjentët e AKI-së dëshmuan rrejshëm kundër tij – reagon Sadri Ramabaja

Aktuale

Dy agjentët e AKI-së dëshmuan rrejshëm kundër tij – reagon Sadri Ramabaja

Më: 22 tetor 2021 Në ora: 15:59
Sadri Ramabaja

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, ndaj të cilit dëshmuan rrejshëm në gjykatë dy agjentë të AKI-së, ka thënë se “po fillon zbërthimi i krimit shtetëror” pas publikimit të skandalit.

Media ka zbuluar se ish-prokurori special, Sylë Hoxha në një marrëveshje gojore me ish-drejtorin e AKI-së, Driton Gashi, kanë përfshirë dy agjentë në dhënien e dëshmive të rrejshme në gjykatë.

Ata kanë dhënë dëshmi të rrejshme në gjykatë pikërisht kundër Sadri Ramabajës, i cili akuzohet për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës terroriste nga Murat Jashari.

Rambaja, duke iu referuar skandalit të zbuluar nga mediumi, në një reagim publik të premten tha se regjisori real i skandalit “është në krye të Republikës”.

“Në fjalën time të mbrojtjes pata potencuar se rasti ndaj meje është tërësisht i montuar dhe se regjisori real është në krye të Republikës. Fatkeqësisht, ai dhe krerët e SHIK-ut, tok me lakejt e tyre me emrat Sylë Hoxha, Driton Gashi, për 20 vite e kishin mbajtur Republikën peng”, tha Ramabaja.

Një hulumtim i publikuar sot në Paparaci, ka zbuluar se ish-prokurori special, Sylë Hoxha në një marrëveshje gojore me ish-drejtorin e AKI-së, Driton Gashi, kanë përfshirë dy agjentë në këtë skandal.

Në janar të vitit 2018, Sylë Hoxha dhe Driton Gashi ishin marrë vesh gojarisht që AKI t’i pajisë me identitete të rrejshme dy zyrtarët të cilët kishin vëzhguar Sadri Ramabajën në restaurantin Panorama në Zllatar më datë 11 mars 2017.

Këtë e kanë thënë dy agjentët e AKI-së të cilët kanë raportuar para eprorëve të tyre rreth këtij rasti.

AKI ka të drejtë me ligj dhe rregullore t’i pajisë agjentët me identitete fiktive, por pas përfundimit të misionit, ato identitete fshihen nga sistemi.

Në rastin konkret, identitetet e tyre janë ende aktive. Sipas Ligjit për AKI-në, puna e agjentëve përfundon me rastin e dorëzimit të raporteve në Prokurori apo tek kryeministri.

Këto raporte nuk janë dhe nuk mund të përdoren si prova materiale në Gjykatë.

Në rastin e misionit të “Syrit të Popullit” në janar të vitit 2018, atyre u ishin dhënë identitete fiktive. Me ato identite ishin prezantuar si dy qytetarë të thjeshtë – njëri cigareshitës, e tjetri i papunë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat