Kusari-Lila reagon pas denoncimit të saj në prokurori nga AAK-ja

Aktuale

Kusari-Lila reagon pas denoncimit të saj në prokurori nga AAK-ja

Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 22:54
Mimoza Kusari – Lila

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për Komunën e Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, ka reaguar pas denoncimit që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Prokurori,

Kusari – Lila ka thënë se kryetari aktual i Gjakovës, Ardian Gjini, është duke u thirrur në një letër të cilën kjo e fundit ia ka dërguar ministrit Zharkut. Ajo ka shtuar se për këtë rast janë dënuar dy zyrtarë të Gjinit me burg.

“Familja Bakija janë kumari me Ramush Haradinajn. Rrethrrotullimi ka qenë i buxhetuar prej ish-kryetari Pal Lekaj. Vendimi është marr nga Asambleja Komunale, ndërsa Ardian Gjini çka ka bë? Thirret në një letër që unë ia kam dërguar ministrit Zharku, derisa dy zyrtarë të tij për këtë rast janë të dënuar me burg”, tha ajo.

Kujtojmë se, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjakovë sot ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ndaj ish-kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila.

AAK-ja po pretendon se Kusari-Lila e ka keqpërdorur detyrën zyrtare në kohën sa ka qenë në krye të Komunës së Gjakovës.

Sipas kallëzimit penal, me vendimin e 25 marsit 2014, Kuvendi i Komunës së Gjakovës kishte marrë vendim për shpalljen e interesit publik për pronat private në dobi të Komunës së Gjakovës, për realizimin e projektit të rrethrrotullimit, në kryqëzimin e rrugëve “Tirana” dhe “Skënderbeu”, në parcelat e evidentuara në emër të familjes Bakija.

Tutje thuhet se, Kusari-Lila duke qenë në cilësinë e kryetares së Komunës së Gjakovës, ka arritur marrëveshje me familjen Bakija edhe pse jo në formë të shkruar, por se në bazë të dokumentacionit vërtetohet një gjë e tillë, ashtu që kompromisi është arritur për zhvendosjen e rrethrrotullimit, me ç’rast është krijuar hapësira e konsiderueshme në favor për familjen Bakija, respektivisht është shtuar sipërfaqja prej 930 metra katrorë.

Konfirmimin e këtij propozimi në fjalë, sipas kallëzimit penal ish-kryetarja e ka vërtetuar edhe përmes kërkesës zyrtare të 17 qershorit 2015, drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës, përkatësisht ish-ministrit Lutfi Zharku.

Këto veprime, sipas AAK-së, janë bërë me dashje në kundërshtim me Planin Rregullues Urban Revidimi Orize 1/8, sipas të cilit në një pjesë të këtij lokacioni parashihet gjelbërimi.

Tutje sipas tyre, këto veprime ajo i ka ndërmarrë krye në vete dhe në këtë mënyrë duke mënjanuar apo anashkaluar miratimin e këtij ndryshimi përmes procedurave të kërkuara.

Sipas kallëzimi penal, Kusari-Lila, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar dhe i ka tejkaluar kompetencat e saj, duke mos respektuar projektin e aprovuar të rrugës dhe rrethrrotullimit , dhe jo ta zhvendos atë.

Gjithashtu, sipas kallzimit penal ajo ka vepruar në kundërshtim me planin rregullues në fuqi, sipas të cili pjesa e vogël e mbetur nga prona e familjes Bakija kishte qenë e paraparë për gjelbërim dhe si të tillë ta shpronsojë, dhe jo ta rrisë këtë sipërfaqe duke krijuar hapësirë të mjaftueshme ndërtimin e objektit kolektiv për dobi të familjes Bakija, pa miratimin e Asamblesë Komunale në Gjakovë dhe në këtë mënyrë duke i shkaktuar dëm Komunës së Gjakovës.

AAK –ja i ka propozuar prokurorisë që të merret aktvendim për fillim të hetimeve për këtë rast.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat