Gastronomët “kërcënojnë” Qeverinë Kurtin me votë

Aktuale

Gastronomët “kërcënojnë” Qeverinë Kurtin me votë

Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 18:59
Ilustrim

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka “kërcënuar” Qeverinë e Kosovës me votë në zgjedhjet e balotazhit të 14 nëntorit, në rast se nuk i lehtëson masat kundër COVID-19.

Sipas tyre, qeveria po aplikon standarde të dyfishta duke i mbajtur të mbyllura disa biznese, ndërsa në anën tjetër fushatat dhe tubimet elektorale “po mbahen pa kontroll dhe me grumbullime massive”.

“Qeveria fatkeqësisht është shumë e zënë me fushatat politike, gjersa nuk kemi asnjë strategji për ti ndihmuar bizneset të cilat po luftojnë përditë për ti mbajtur në punë më shumë se 30 mijë punëtorë, e aq më pak për ata të cilët vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllur e që punuan shkurtimisht gjatë verës”.

Ndaj, gastronomët kanë kërkuar hapjen e klubeve të natës, dasmave në pajtueshmëri me protokolet shëndetësore, duke i lejuar vetëm të vaksinuarit të futen brenda, “ose të miratoni masa financiare për t’i ndihmuar këto biznese të cilat fare nuk po punojnë!”.

Po ashtu, kanë kërkuar që “bizneseve të gastronomisë të ju zgjatet orari i muzikës në përputhje me atë të punës; Të rritet kapaciteti i punës në hapësira të brendshme në shërbimet e HORECA-s; Të hiqet ora policore, ose të mos ketë për personat e vaksinuar dhe ata që kanë dëshmi”.

“Të punojmë me strategji dhe eksperiencën me pandemi e kemi tash e 609 ditë, ndërsa punën që po e shohim në këtë drejtim po lë shumë për të dëshiruar!  Për fund, me pak fjalë po e shohim që duke u marrë me zgjedhje na keni harru neve, ato takimet që i kemi pasë me të gjithë kandidatët për kryetarë të komunave nuk do të kenë ndikim përderisa kur duhet dhe mund të veproni, ju nuk bëni asgjë. Prandaj KUJDES SE JEMI SHUMË! Pra, PRESIM VENDIMIN TUAJ NESËR, DHE JU TREGOJMË VENDIMIN TONË ME 14 NËNTOR!”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat