​Haskuka shpalos planin qeverisës në Gjonaj: Do të punojmë edhe më shumë për të mirën e qytetarëve

Aktuale

​Haskuka shpalos planin qeverisës në Gjonaj: Do të punojmë edhe më shumë për të mirën e qytetarëve

Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 19:56
Foto nga vendi i ngjarjes

Në ditën e parafundit të fushatës zgjedhore, kandidati i Vetëvendosjes për të parin e Prizrenit, njëherësh kryetari aktual, Mytaher Haskuka ka takuar banorët e fshatit Gjonaj, para të cilëve ka prezantuar planin katërvjeçar qeverisës.

Haskuka tha se më 14 nëntor do të vazhdohet ajo e cila nisi më 14 shkurt dhe se nuk do të ketë kthim mbrapa kur është vjedhur në çdo projekt.

Ai tha se tashmë me Qeverinë Kurti edhe Prizreni do të ketë mbështetje më të madhe për realizimin e projekteve infrastrukturore.

Haskuka: Prizreni ka marrë tetë fish më pak se disa komuna në projekte infrastrukturore

"Prizreni ka marrë tetë fish më pak se disa komuna në projekte infrastrukturore. Tani e kemi qeverinë Kurti, i kemi ministrat... të cilët do të jenë afër Komunës së Prizrenit, afër Hasit, afër Gjonajt dhe tash e tutje do të bëjmë edhe më shumë, edhe më mirë për Komunën e Prizrenit, për Hasin, për Gjonaj...Prizreni dhe Prishtina duhet të jenë të Vetëvendosjes ashtu që Albini dhe LVV dhe Lista Guxo të jenë të fortë dhe të vazhdojnë ndryshimet e nisura në Kosovë. Nuk ka kthim mbrapa kur është vjedhur në çdo projekt. Tani e tutje ka vetëm përpara me bashkëqeverisje qeveri - komunë - qytetarë", tha Haskuka.

Pretendenti edhe për një mandat në krye të Prizrenit tha se me ardhjen e tij në Prizren ka ndaluar vjedhja në projekte infrastrukturore.

Haskuka: Qendra e mjekësisë familjare në Gjonaj është në funksion

"Qendra e mjekësisë familjare, ne kemi planifikuar mbi 200 mijë euro për atë qendër te mjekësisë familjare e cila e ka laboratorin, stomatologjinë dhe të gjitha shërbimet tjera mjekësore. Neve na ka dalë 160 mijë euro, me 160 mijë euro e kemi përfunduar, nuk ka asnjë gjë që nuk është aty e që është paraparë me projekt, çka është paraparë me projekt të gjitha janë brenda. Aty na kanë mbetur suficit 50 mijë euro, neve na dalin dhe na thonë 50 mijë euro ia keni kthyer qeverisë, por projekti është bërë dhe qendra e mjekësisë familjare në Gjonaj është në funksion. 50 mijë euro janë kthyer, nuk kanë shkuar në xhepat e hajnisë", tha ai.

Mbështetjen e banorëve të fshatit Gjonaj për Haskukën e ka kërkuar edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i cili tha se punët e mira që ka bërë në gjithë territorin e Prizrenit do të vazhdojnë.

Çeku: Mytaher Haskuka ka dëshmuar se punon për interesin e qytetarëve

"Vizioni ynë që në rastin e komunës së Prizrenit kthehet në vizionin e kryetarit Mytaher Haskuka është i prekshëm dhe i qartë. Ai deri tash ka dhënë dëshmi të mjaftueshme se ka punuar dhe po punon për interesin e qytetarëve edhe për interesin e Gjonajt edhe të Hasit, dhe investimet e tij në infrastrukturë, në shërbime publike, arsim, në shëndetësi më të mirë, në trajtimin e nevojave tuaja të domosdoshme do të vazhdojë edhe gjatë mandatit të dytë", tha ai.

Ministri i Kulturës tha se Haskuka do ta ketë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për të shfrytëzuar të gjithë potencialin e Gjonajt për zhvillim e krijim të vendeve të reja të punës. Mbështetjen e qytetarëve për Haskukën e kanë kërkuar edhe deputetët Enver Dugolli, Arbër Rexhaj, Haxhi Avdyli dhe Mefail Bajqinovci. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat