‘Ikja’ e turpshme e Qëndron Kastratit dhe masakra e fakteve të analistëve!

Aktuale

‘Ikja’ e turpshme e Qëndron Kastratit dhe masakra e fakteve të analistëve!

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 15 nëntor 2021 Në ora: 12:16
Qendron Kastrati e mori humbjen e merituar

Analizat më të pakripa janë dëgjuar mbrëmë në T7 për zgjedhjet në Kamenicë.

Pa përjashtim, si nga Valon Syla, Dukagjin Gorani e me radhë vlerësonin se Qëndron Kastrati humbi sepse të gjithë u bën kundër tij, dhe se ai ka qeverisur mirë, dhe se ai u bë viktimë e reformës në arsim.

Vërtetë a e dinë këta se çka është reforma në arsim. A kanë lexuar ndonjë paragraf të vetëm të reformës arsimore?

A e din këta se kush është kompetente të bëjë reforma në arsim?

Komunat po bëkan reforma arsimore!

Jo more të lajthitur, ai nuk ka bërë reforma në arsim, por e ka përdredhur gjuhën, sikurse ju. Ai ka mbyllur shkolla, dhe ka zhvendosur nxënës. Zhvendosja e nxënësve apo grumbullimi i tyre nuk është reformë.

Pas luftës Kosova është ballafaquar me procesin e kundërt, të ashtuquajturës reformë, por, ky dimension është vetëm fizik. Parimi ishte dhe është në fuqi, ende që në një klasë mos të ketë më shumë se 20 nxënës, pra një mësimdhënës për jo më shumë se 20 nxënës.

E në Prishtinë, ka përplot shkolla me telashe të tilla, deri tek problemi thelbësor, që nuk mund të mbahet mësimi tërëditor, kjo para së gjithash për shkak se në një shkollë mësohet në dy ndërrime.

Qëndroni se kishte hallin e reformave. Ai hyri dorëzan, tek ‘kompanitë’ që japin apo mundësojnë projekte dhe zakonisht nuk kërkojnë llogari se çfarë bëhet me ‘reforma’, pasi marrin donacione të majme.

Ai i mbylli 16 shkolla. Ai u bë vrasës i arsimimit të rreth 500 nxënësve. Tashmë dy vjet ai i vuri në flakë, ‘zjarrë’ shkollat në 16 katunde, dhe vetëm në disa katunde që reaguan fuqishëm, nuk e lejuan t’ua vinte “zjarrin”, si Topanica, Rogaçica, Hodonoci etj., katunde me dendësinë më të madhe në komunë, dhe ai donte t’i mbyllte shkollat atje, ose t’i zhvendoste nxënësit nga aty, qoftë edhe duke i shndërruar në çerdhe!

Kamenica dhe Kosova ka derdhur miliona euro, së bashku me pjesëmarrjen në financimin e pjesshëm të tyre nga banorët e fshatrave, dhe ai nuk i pyeti fare.

A e dini more se ai ka shkelur Konventën për të Drejtat e Fëmijëve, për qasje në shkollim!?

A e dini more ju se themeluese e shkollave është Ministria e Arsimit, jo Qëndron Kastrati, që u kthye të jetonte me qira në Kamenicë, pasi u zgjodh kryetar, që as e dinte dhe nuk e kishte mësuar historinë e asnjë shkolle para se t’i mbyllte ato.

A e dini more, se edhe njerëz si unë, që tash po shkruaj kam dhënë kontribut të ndërtohet shkolla ime, dhe ai vendosi ta mbyllte.

Shkelja e Konventës

Ju analistë a e dini more se në Kosovë Konventat ndërkombëtare zbatohen drejtpërdrejtë, përkatësisht me përparësi ndaj Kushtetutës dhe po se po ligjeve vendore!?

KONVENTA PËR TË DREJTAT E FËMIJËS miratuar dhe hapur për nënshkrim, për ratifikim dhe për aderim nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutën e saj 44/25 të datёs 20 nëntor 1989, neni 28 i saj shprehimisht u kërkon shteteve, arsim fillor të detyrueshëm, dhe falas.

Neni 28

1. Shtetet palё njohin tё drejtёn e fёmijёs pёr arsimim dhe, me qёllim që kjo e drejtё të arrihet hap pas hapi dhe mbi bazёn e mundёsive të barabarta, në mënyrë të veçantë ato:

(a) Bёjnё arsimin fillor të detyrueshem dhe falas për të gjithё;

Po ashtu kjo konventë e ndalon diskriminimin e fëmijëve. Ai ua ka hequr këtë të drejtë rreth 500 fëmijëve, dhe po ashtu kjo u ka ndodhur vetëm nxënësve shqiptarë, duke i diskriminuar këta në raport me serbët.

A e dini ju analistë se përveç tjerash e keni inkurajuar Qëndron Kastratin dhe keni shkelur edhe vetë nenin 17 pika ç të Konventës Ndërkombëtare për Fëmijët, duke shkelur të drejtat e fëmijëve autokton.

(ç) Inkurajojnë mjetet e komunikimit masiv pёr tё pasur parasysh sidomos nevojat gjuhёsore të fëmijës që i pёrket një grupi etnik ose qё është autokton;

Shqiptarët janë autokton, dhe vetëm këta i ka trazuar Qëndron Kastrati, ndërsa nuk e ka mbyllur asnjë shkollë në fshatrat serbe.

Po ashtu kjo Konventë në po këtë nen, u kërkon shteteve të marrin masa për ndjekjen e rregulltë të mësimit, dhe të pamundësohet braktisja e shkollave nga fëmijët.

(d) Marrin masa për të inkurajuar frekuentimin e rregullt të shkollës dhe uljen e pёrqindjes tё braktisjes sё shkollёs.

Qëndroni ka kryer edhe disa vepra të natyrës penale duke shkelur ligjet e vendit, si Ligjin e Punës, Ligjin për Marrëdhëniet detyrimore, prishjen e njëanshme të kontratave me mësimdhënës, dhe krijimin e borxheve financiare Komunës me këto raste. Kjo sepse të gjithë arsimtarët e larguar nga puna i kanë fituar proceset gjyqësore ose do t’i fitojnë padiskutim.

Mbyllja e shkollave

Thelbi i ‘reformës’ së Qëndronit ishte mbyllja e sa më shumë shkollave, dhe nxjerrja nga puna të mbi 40 % të punëtorëve arsimor, sipas parimit të tij personal, ‘të rinjtë duhet t’ia lëshojnë vendin të vjetërve’, dhe se po ashtu ka shkelur ligjin duke krijuar humbje buxhetore, pasi ua ka mundësuar mësimdhënësve më në moshë, të lindur me 1958 e më parë, që të dalin në pension të parakohshëm, jo për shkak të shëndetit, por për pikë të qejfit, duke marrë 100 % të pagës deri në pension.

Sepse në emër të reformës, ka vendosur që në arsim t’i mbajë më të moshuarit dhe t’i largojë nga vendi i tyre i punës, arsimtarët më të rinjë, duke ua dhënë 70 % pagës, dhe ata t’i marrin këto nga shtëpia. Një shkelje tjetër kjo penale ligjore nga ana e tij.

Por, për pagesat e të dyja këtyre kontingjenteve Inspektorati i Ministrisë së Arsimit është duke i konsideruar të paligjshme, kështu që Kastrati ka krijuar një rropulli edhe më të madhe me këto ‘paga’ dhe kontrata të paligjshme.

Kamenica dhe disa nga fshatrat ku u mbyllën shkollat janë kufitare, me Serbinë. Mbyllja e shkollave çon drejtpërdrejt në shpopullim, në ndryshim edhe të strukturës etnike të Komunës.

Qëndron Kastrati humbi sepse ai doli kundër shqiptarëve, arsimit shqip, dhe konfliktit që e krijoi vetë me banorët e atjeshëm.

Qëndroni nuk kishte se çka të qeveriste në Kamenicë, më shumë se sa me arsimin, por atyre u shkaktuar dëm psikologjik dhe shëndetësor qindra arsimtarëve, prindërve, dhe familjarëve të tyre, të cilët mund të ushtrojnë qindra padi ndaj tij, edhe tani!

Të gjitha këto i bëri pa asnjë studim, pa asnjë analizë të brendshme me njerëz kompetentë në komunë, dhe pa pranuar të dialogojë me të prekurit nga reforma, por duke u sjellë si diktator ndaj tyre, të cilët në ditën e fundit edhe e sulmuan ta rrihnin!

Atë e pritën me ‘lule’ kamenicasit duke e parë si shpresë pas keqqeverisjes së gjatë në Kamenicë, por shumëkush ndoshta donte ta rrihte dje, të shfryhej në njeriun që u prit si shpëtimtar, dhe iku si i marrë!

Atje nuk fitoi Vetëvendosje, që nuk ua zgjidhi fare problemet me arsimin kamenicasve, por pakënaqësitë e pafundme deri në revoltë të qytetarëve, që dhjetëra herë kanë protestuar dhe janë anashkaluar nga të gjithë!

Edhe gjykatës, prokurorë, hetues duhet të japin llogari për mosveprim, dhe nxjerrje të vendimeve të paligjshme!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat