Gazetari i medias gjermane: Ky është mesazhi i fuqishëm për Vetëvendosjen, ja çfarë ka mësuar tani Albin Kurti

Aktuale

Gazetari i medias gjermane: Ky është mesazhi i fuqishëm për Vetëvendosjen, ja çfarë ka mësuar tani Albin Kurti

Nga: P.R Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 19:30
Albin Kurti

Gazetari shqiptar i mediumit gjerman, Deutsche Welle, Bahri Cani, përmes një postimi në facebook ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Sipas Canit, Vetëvendosja e ka lexuar gabimisht mesazhin e zgjedhjeve nacionale.

“Vetëvendosja e ka lexuar gabimisht mesazhin e zgjedhjeve nacionale, sepse kjo nuk ishte vetëm votë e Vetëvendosjes apo lëvizjes Guxo. Një pjesë e konsiderueshme ka qenë votë ndëshkimi për ata që kanë punuar keq. Zgjedhjet në Kosovë nuk fitohen me duar në xhepa, këtë e di më së miri Isa Mustafa. E tani e ka mësuar edhe Arben Vitia, më mirë të them Albin Kurti. Humbja e Prishtinës, Prizrenit dhe Mitrovicës është një mesazh shumë i fuqishëm për LVV. Çdo përpjekje e LVV për t'u justifikuar tani do të ishte gabim”, ka shkruar Cani, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Mesazhet e zgjedhjeve

Zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë kanë dërguar mesazhe të fuqishme, e një prej mesazheve më të fuqishme ishte që zgjedhësi kosovar nuk të falë, nuk e ka problem fare të votojë tjetrin, të të denojë për punën e keqe.

Këtë mesazh më së miri e kanë kuptuar Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Ato e kanë kuptuar se me avazin e vjetër nuk shkon. I ndërruan kryetarët e partive, kryesitë dhe nisën punën. Në heshtje, në qetësi, punuan me njerëz në terren... Mesazhin e kuptoi jashtëzakonisht mirë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila në garën për zgjedhje lokale futi më të mirët e saj - edhe në vendet ku e dinte se nuk ka shansa të fitojë, si për shembull në Prishtinë apo Podujevë.

Ndërsa Vetëvendosja e ka lexuar gabimisht mesazhin e zgjedhjeve nacionale, sepse kjo nuk ishte vetëm votë e Vetëvendosjes apo lëvizjes Guxo. Një pjesë e konsiderueshme ka qenë votë ndëshkimi për ata që kanë punuar keq.

Zgjedhjet në Kosovë nuk fitohen me duar në xhepa, këtë e di më së miri Isa Mustafa. E tani e ka mësuar edhe Arben Vitia, më mirë të them Albin Kurti. Humbja e Prishtinës, Prizrenit dhe Mitrovicës është një mesazh shumë i fuqishëm për LVV. Çdo përpjekje e LVV për t'u justifikuar tani do të ishte gabim. Ajo duhet t'i analizojë rezultatet dhe të reflektojë. Duhet të bëjë edhe ndryshime në politikë dhe struktura, sa më shpejtë, sa nuk është bërë tepër vonë.

Fakt është që zgjedhjet lokale nuk janë të ngjashme me ato nacionale. Por humbja është shumë e thellë.

Mesazhin e zgjedhjeve lokale duhet ta lexojnë mirë edhe Memli, Lumiri dhe Ramushi... Në përgjithësi politikanët duhet të kuptojnë se ata janë votuar për të ulur kokën dhe për të punuar, për t'i shërbyer popullit, komunës dhe vendit. Sa më parë e kuptojnë, aq më mirë, sepse zgjedhësi kosovar të denon, nuk ta falë. Nuk duron arrogancë...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat