PDK-ja reagon ndaj deklaratave të Alban Hysenit

Aktuale

PDK-ja reagon ndaj deklaratave të Alban Hysenit

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 17:45
Alban Hyseni

Riad Rashiti, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, e ka cilësuar “të kalkuluar politikisht” deklaratën e Alban Hysenit, kryetarit në ardhje të Gjilanit, për përafrimin e qëndrimeve mes LVV-së dhe PDK-së në Gjilan.

Rashiti, tha të mërkurën se deklarata e Hysenit është kalkulim politik sepse “pa PDK-në nuk mund të formohet qeverisje stabile në Gjilan”.

“Konsideroj se është një deklaratë politike e z. Hyseni, sepse ai e di që pa PDK-në ata [Lëvizja Vetëvendosje, v.j] nuk ka mundësi të formojë qeverisje stabile në Komunën e Gjilanit. Është e vërtetë se ne kemi bashkëpunuar në opozitë, por nuk mund të them se ka ndryshuar diçka pas zgjedhjeve”, u shpreh Rashiti.

I pari i PDK-së në Komunën e Gjilanit tha se ende nuk ka një qëndrim mbi një koalicion të mundshëm LVV-PDK në Gjilan.

“Nuk kemi pasur asnjë kontakt, as jozyrtar e as zyrtar. Kësisoj nuk mund të them asgjë në lidhje me një koalicion të mundshëm. Ne si Parti Demokratike e Kosovës gjatë ditëve të ardhshme do të ulemi dhe do të shqyrtojmë mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ai.

Rashiti deklaroi se Partia Demokratike e Kosovës është e interesuar për reforma të thella në Komunën e Gjilanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat