Ekspertët: Kontrollet e autobusëve në Kosovë bëhen rrallë dhe dobët, rreziku për fatalitete permanent

Aktuale

Ekspertët: Kontrollet e autobusëve në Kosovë bëhen rrallë dhe dobët, rreziku për fatalitete permanent

Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 17:48
Ilustrim

Aksidenti tragjik i ndodhur në Bullgari ku humbën jetën 45 shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, që ishin duke u rikthyer nga Stambolli për në vendlindje ka ngritur alarm edhe një herë për sigurinë e automjeteve që përdoren për udhëtime të gjata.

Një nga arsyet më të shpeshta të këtyre aksidenteve fatale, siç raportohet se ishte edhe në këtë rast me autobusin e kompanisë “Besa Trans”, është mungesa e kontrollit teknik të këtyre automjeteve.

“Besa Trans” nuk është kompani kosovare, megjithatë, ekspertët e komunikacionit vlerësojnë se, edhe në Kosovë kontrollet teknike të mjeteve që transportojnë udhëtarë bëhen “shkel e shko”.

Shkak për këtë del të jetë mungesa e inspektimeve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Si bëhet kontrollimi teknik?

Secili automjet që qarkullon nëpër rrugë publike para së të regjistrohet në Qendrën Regjistrimit të Automjeteve e ka për obligim ta kryejë kontrollimin teknik, përderisa autobusët dhe auto-taksit përveç kontrollimit teknik të rregullt, e kanë për obligim ligjor të kryejnë edhe kontrollimin teknik periodik çdo 6 (gjashtë) muaj.

Konform Legjislacionit në fuqi sigurinë në rrugë e mbikëqyrë Policia e Kosovës.

Kryerjen e kontrollit teknik të mjeteve që transportojnë udhëtarë në Kosovë e bëjnë Qendrat e Kontrollimit Teknik të Automjeteve të cilat licencohen nga Ministria e Infrastrukturës.

Megjithatë, personat që kryejnë këtë proces nuk janë të trajnuar, thotë Naser Lajqi, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë – shef i Departamentit të Komunikacionit, në Universitetin e Prishtinës.

Ai përmend kontrollimin e gomave, sistemin elektrik, pajisjen me çekanë, ulëset dhe pajisjet për shuarjen e zjarrit – si disa nga pjesët që duhet pasur parasysh patjetër gjatë kontrollimit teknik.

I gjithë ky proces, sipas tij, zgjatë afërsisht 40 minuta – megjithatë shton se në Kosovë ndodh ndryshe – vetëm 20 minuta.

Lajqi përmend një rast që ka vërejtur gjatë një ekspertize të kontrollit teknik, ku masa e autobusit në anën e majtë dhe në atë të djathtë te rrotat e pasme dallonte për 1,500 kilogramë.

“Kalibrimi i këtyre pajisjeve, janë rezultate shumë të dobëta edhe pse nuk e di se cila qendër e kontrollit teknik e ka bërë këtë”, thotë ai .

Se kontrollet teknike në shumicën e rasteve nuk kryen si duhet në Kosovë e thotë edhe eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti.

Edhe ai në një përgjigje me shkrim deklaron se niveli i sigurisë së autobusëve në komunikacion nuk është i kënaqshëm, megjithatë shton se kohëve të fundit ka vërejtur përmirësim.

“Kontrollet teknike në shumicën e rasteve kanë kaluar automjete me një kontroll të dobët te kontrollimit, kohëve të fundit kanë filluar të përmirësohen. Autobusët nuk janë në nivel të kënaqshëm sigurie duke i përfshirë mungesat e shumë elementeve; një nder to edhe rripat e sigurisë”, thotë Ahmeti.

Fajin për këtë ia hedh Ministrisë së Infrastrukturës dhe Policisë së Kosovës, të cilët sipas tij po bëjnë “inspektim të dobët”.

Pak më ndryshe mendon eksperti i komunikacionit, Vahid Krasniqi.

Ai nuk e mohon që cilësia e kontrolleve teknike është e dobët, megjithatë shton se është hallkë zinxhirore e obligimeve dhe përgjegjësive, duke përfshirë konkurrencën e Qendrave për Kontrolle Teknike të Automjeteve, pronarët e kompanive të autobusëve, inxhinierët dhe inspektoratet.

Sipas tij, për të evituar aksidentet, e rëndësishme është që të shtohen inspektimet në terren.

“Inspektorati duhet ta shpeshtojë së bashku me Policinë kontrollimin e jashtëzakonshëm sipas ligjit, ku del në teren dhe i detyron autobusët apo automjetet për të cilat dyshon se nuk janë në gjendje të rregullt teknike dhe i detyron që të bëjnë kontrollimin e jashtëzakonshëm siç e parasheh edhe ligji”.

Ndërsa, nga Ministria e Infrastrukturës as nuk e pranojnë fajin e as nuk thonë që kanë mungesë të inspektorëve.

Në përgjigjen e tyre nga kjo ministri shkruajnë se “operatorët e transportit rrugorë publikë inspektohen në mënyrë të vazhdueshme”.

“Nga ajo qe kemi parë në teren secili operator i plotëson kushtet administrative për operim si brenda ashtu edhe jashtë vendit, përderisa sigurinë në rrugë e mbikëqyrë Policia e Kosovës”.

Ndonëse ministria thotë se ligji po respektohet, masat ndëshkimore të shqiptuara shpërfaqin tjetër gjë.

Vetëm gjatë këtij viti, sipas të dhënave nga ministria, ndaj operatorëve të transportit rrugorë janë shqiptuar 146 gjoba mandatore dhe 45 vendime për eliminim të parregullsive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat