Specializantët do të protestojnë, kërkojnë të kthehen të rregullt dhe t’iu paguhen kujdestaritë

Aktuale

Specializantët do të protestojnë, kërkojnë të kthehen të rregullt dhe t’iu paguhen kujdestaritë

Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 14:25
Specializantët

Të gjithë specializantët e angazhuar në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) me financim nga Ministria e Shëndetësisë dhe ata me vetë financim nesër nga ora 09:00 do të protestojnë. Ata përmes këtij marshi protestues po kërkojnë që ata që janë me vetëfinancim të kthehen në të rregullt dhe të gjithëve tu paguhet kujdestaria sidomos gjatë vikendeve.

Sami Pnishi, specializant në Klinikën e Neokirurgjisë tha se marshi protestues do të nis nga Administrata e QKUK-së, drejt objektit të Qeverisë së Kosovës për të përfunduar tek Ministria e Shëndetësisë.

Pnishi: Specializantët do të protestojmë me dy kërkesa kryesore

“Nesër në orën 09:00 specializantët me financim dhe ata me vetë financim të dy palët së bashku do të organizojmë një protestë dhe do marshojmë drejtë Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë me qëllim që të mos neglizhohemi për kërkesat tona që janë bërë vazhdimisht në drejtim të MSH-së dhe Qeverisë. Dy pikat kryesore për të cilat ne do të protestojmë janë kalimi I specializantëve me vetëfinancim në specializantë me financim në formë të rregullt dhe pika e dytë është që të kthehen kujdestaritë siç kanë qenë dhe të paguhen çdo kujdestari sidomos edhe vikendet sepse ne jemi të obliguar me mbajtur kujdestari edhe për përgatitje sa më të mirë profesionale por edhe për shkak të kërkesës për punën që duhet me bë brenda klinikave sepse ka fluks të madh të pacientëve”, tha ai.

Ndërsa, Uran Halimi specializant me vetëfinancim në Klinikën e Kirurgjisë Orale tha se kërkesat e tyre janë legjitime

Duke e konsideruar si marsh protestues përmes të cilin kërkojnë kthimin e dinjitetit të mjekëve, Halimi tha se në kohën kur kishin nënshkruar kontratat me ministrinë e Shëndetësisë për specializim me vetëfinancim u ishte premtuar se në buxhetin e vitit 2021 do të parashihen të kthehen në të rregullt, gjë që nuk ndodhi.

Halimi paralajmëroi edhe protesta dhe bojkotim të punës në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Halimi: Do të protestojmë dhe do bojkotojmë punën nëse kërkesat nuk merren parasysh

“Këtë vit për MSh-në janë ndarë 5 milionë euro më pak sesa vitin e kaluar përafërsisht në vitin e kaluar kanë qenë 60 milionë euro për shëndetësinë ndërsa këtë vit janë 55 milionë euro dhe me një ndarje kaq të vogël për shëndetësi ne nuk mendojmë se në këtë mënyrë mund të ndalet ikja e mjekëve nga Kosova, prandaj ne sot bëjmë thirrje që nesër specializantët dhe mjekët të tjerë të na bashkohen nga ecjen tonë[...]Kur është hapur konkursi në nëntor të vitit të kaluar për kategorinë me vetëfinancim me pretekstin që për momentin nuk kemi buxhet por në vitin 2021 do t’iu parashohim në buxhetin e vitit të ardhshëm. kjo nuk ka ndodhur për shkak të qeverisë neve politikat nuk na interesojnë dhe kemi mbetur kështu siç jemi, mirëpo prapë se prapë ne kemi qenë mund të themi të obliguar ose ta zgjedhim atë lloj specializimi ose të mbetemi dhe të largohemi tërësisht nga Kosova[...]Protesta do jetë një ditore për të enjten duke vazhduar të premten e kemi mbledhjen dhe pastaj pretendojmë edhe mendojmë që protesta do të ketë vazhdimisht por edhe bojkote”, theksoi Halimi.

Uran Halimi po ashtu tha se është koha shteti ta kthej vëmendjen ndaj specializantëve, pasi vetëm brenda këtij viti nga Kosova kanë ikur 170 specializantë.

Halimi: Të kthehet fokusi ndaj specializantëve në të kundërtën nuk ndalohet ikja e trurit nga Kosova

“Që nga viti i kaluar e deri më tani Kosovën e kanë lëshuar ose janë në proces të ikjes rreth 170 specializantë kjo na bënë me dije se duhet të kthehet fokusi ndaj specializantëve për arsye se duhet të krijohen kushtet në mënyrë që ta parandalojmë ikjen e trurit. Në pikën e parë duke e bazuar argumentin tonë nga kalimi i vetëfinancimit në kategorinë e rregullt duhet të theksohet se impakti në buxhet është vetëm 600 mijë euro pra që i bie stilistikisht 0.01% e buxhetit të shtetit është një kosto e cila është e përballueshme dhe që do të zgjidhte një problem mjaftë të madh”, tha ai.

Kujtojmë që në nëntor të vitit të kaluar rreth 1 mijë e 500 specializantë ishin bërë pjesë e sistemin publik shëndetësor në Kosovë. Punësimi I tyre ndodhi gjatë udhëheqjes së ministrisë së Shëndetësisë nga Armend Zemaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat