Ish-kryetari i OSHP-së: Punët në Kosovë janë lëmsh për shkak të interesave

Aktuale

Ish-kryetari i OSHP-së: Punët në Kosovë janë lëmsh për shkak të interesave

Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 19:18
Hysni Hoxha

Ish-kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, thotë se në Kosovë nuk është bërë asnjëherë luftë e mirëfilltë kundër korrupsionit.

Ai deklaron se punët në Kosovë janë lëmsh për shkak të interesave dhe se nuk kanë ekspert të mirëfilltë në institucionet e ndjekjes që i dinë procedurat e prokurimit.

“Është koha që Kosova të ketë një Gjykatë Administrative ku kanë nevojë shumë institucione administrative siç është Organi Mbikëqyrës i Pavarur, siç është OSHP-ja, siç janë institucionet e agjencitë e tjera. Tash për të pasur siguri më të madhe, sepse çdo kund kredibilitetin më të madh, në secilin shtet e kanë institucionet e drejtësisë dhe mirë është që edhe ky institucion të futet nën ombrellën e institucioneve të drejtësisë.”, tha Hoxha.

Tutje ish udhëheqësi i OSHP-së deklaroi se aktakuza ndaj tij është ngritur sepse nuk ua ka bërë qejfin operatorëve ekonomikë. Sipas tij ata kanë dashur me njerëz të fuqishëm të arrijnë te diçka që ka qenë e paligjshme.

“Kam qenë tepër i sigurt që jo vetëm që nuk kisha shkelë asnjë procedurë të prokurimit, por isha përndjekë vetëm  e vetëm pse mbroja, qoftë autoritetet kontraktuese qoftë operatorët ekonomikë, të cilët kishin të drejtë dhe të cilat ju garantonte ligji i prokurimit publik. Këtu në Kosovë është shumë problem të mbrosh të drejtën e të mbrosh ligjshmërinë, sepse ka shumë interesa ka shumë grupe të interesave të cilët janë të fuqishëm dhe janë kudo të ulur në të gjitha institucionet, që janë më relevante te Kosovës siç janë institucionet e ndjekjes, prokuroria gjyqësori e të gjitha.”

Hoxha tha se jo vetëm institucionet e prokurimit publik janë fajtore kujdestare të përditshme për korrupsion në Kosovë, por janë edhe shume faktorë dhe institucione të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat