Kush i dha pronën e shtetit biznesmenit të afërt me njeriun e Veselinoviqit

Aktuale

Kush i dha pronën e shtetit biznesmenit të afërt me njeriun e Veselinoviqit

Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 19:25
Mentor Beqiri

Një vit para se Zvonko Veselinoviq dhe grupi i tij kriminal të viheshin në listën e zezë së ShBA-së, një biznesmen i lidhur me një njeri të afërt të udhëheqësit të krimit të organizuar në veri, përfitoi një privilegj të madh nga shteti.

Shteti ia dha në shfrytëzim tokën me sipërfaqe më shumë se dy hektarëshe Jahë Osmanit, një afaristi të hetuar për kontrabandë të mallrave në bashkëkryerje me Mentor Beqirin, bashkëpunëtorin e afërt të Zvonko Veselinoviqit.

Osmani, një biznesmen nga Mitrovica, mori në shfrytëzim një pronë të Ministrisë së Drejtësisë në Vushtrri më 2 nëntor, 2020. Kontratën për dhënien e kësaj toke në shfrytëzim e nënshkruan ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi dhe ish-drejtori i ShKK-së, Nehat Thaçi.

Prona të cilën Osmani e përfitoi në shfrytëzim për 15 vite nga shteti, më parë ishte shfrytëzuar nga hoteli “Vicianum”. Kishte sipërfaqe prej 2 hektarësh e 12 ari tokë.

Kontrata mes Shërbimit Korrektues dhe biznesmenit Osmani ishte nënshkruar për 381,600.00 euro.

Pesë muaj më vonë, kontrata ishte anuluar nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet.

Ministria e Drejtësisë, e udhëhequr nga Albulena Haxhiu, kishte ushtruar kallëzim penal ndaj ish-ministrit Selimi dhe ish-drejtorit Thaçi. Kishte kërkuar nga Prokuroria e Shtetit hetimin për korrupsion të dy ish-zyrtarëve shtetëror.

Por, Prokuroria e rrëzoi kallëzimin penal ndaj Selimit e Thaçit në nëntor të këtij viti, “në mungesë të provave”.

Pas hudhjes së kallëzimit penal, Selim Selimi tha se do të kërkojë 300 mijë euro dëmshpërblim nga zëvendësministri Blerim Sallahu, i cili ushtroi kallëzimin penal në emër të MD-së.

Ish-ministri i Drejtësisë në Qeverinë Hoti tha muajin e kaluar se është në përgatitje të padisë.

“Jam në përgatitje të një padie civile ndaj zëvendësministrit Blerim Sallahu për shkak se i njëjti ka përdorur shpifje dhe ka përhapur të pavërteta ndaj meje me rastin e ushtrimit të padisë penale kundër meje më 26 prill të këtij viti”, tha Selimi.

Jahë Osmani, sipas një hetimi të EULEX-it, dyshohet si i përfshirë në kontrabandë të mallrave, shmangie nga tatimi dhe pastrim parash në bashkëkryerje me Mentor Beqirin, një bashkëpunëtor të Zvonko Veselinoviqit.

Mentor Beqiri, përmendet si një nga bashkëpunëtorët e Veselinoviqit në një raport të hetuesisë së EULEX-it, Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit.

Dosja e EULEX-it, e cila kishte hetuar grupin kriminal të Vesellinoviqit, e implikon Mentor Beqirin në operimet ilegale me udhëheqësin e Krimit të Organizuar në Veri.

Beqiri, sipas hetimeve të kryera nga EULEX-i, ishte përfshirë në kontrabandimin e karburanteve në veri të Kosovës. Këtë aktivitet ilegal e kishte realizuar me Vesellinoviqin, thuhet në raportin hetues të EULEX-it.

Ai, përshkruhet si “shqiptari i njohur nga Kosova” që kishte ndihmuar Vesellinoviqin në kontrabandimin e 50 kamionëve me karburantë të cilët “dyshohet se është importuar nga rafineria në Pançevë (Serbi)”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat