Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në Kosovë

Aktuale

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në Kosovë

Më: 11 dhjetor 2021 Në ora: 06:10
Protesta

Pjesëtarë të shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut protestuan të premten në Prishtinë kundër siç u tha, padrejtësive e dhunës institucionale ndaj qytetarëve të vendit.

Protesta e organizuar me moton “Mbroj, promovo, Protesto!”, u zhvillua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

“Sot ne kërkojmë prej qeverisë që dhuna në baza gjinore të trajtohet si urgjencë kombëtare, që të monitorohen, sanksionohen apo shkarkohen gjykatësit, prokurorët, policët të cilët janë fajtor për neglizhencën ndaj dhunës sistematike që po i ushtrohet grave”, tha Bjeshka Guri, nga Nisma e të Rinjve për të drejtat e njeriut.

Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut e gjen Kosovën me një shkallë në rritje të dhunës në familje përgjatë pandemisë COVID-19. Ky ishte konstatim i një raporti të hartuar nga Avokati i Popullit në Kosovë lidhur me ndikimin e pandemisë COVID-19 në fushën e të drejtave të njeriut. Sipas raportit, gjatë kohës së masave kufizuese është rritur ndjeshëm numri i rasteve të dhunës në familje dhe se pandemia ka ndikuar edhe në përkeqësimin e statusit ekonomik, duke e thelluar edhe më tepër hendekun e pabarazisë sociale ndërmjet familjeve.

Qeveria e Kosovës tha ndërkaq se respektimi dhe njohja e të drejtave të barabarta për secilin shënon shkallën e lirisë dhe njëkohësisht edhe themelin e demokracisë.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilja Rexhepi, tha për Zërin e Amerikës se qeveria po punon që të respektojë të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Të drejtat universale të njeriut janë e drejta për jetën, e drejta për arsim, e drejta për kulturën e vet, për zakonet e veta, ndaj sot mbështesim në mënyrë të barabartë të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, pa dallim kombësie, pa dallim feje, pa dallim gjuhe që flasin, kështu që ne besojmë se vlerat e popujve të ndryshëm janë pasuri e një shteti, si Kosova që është shumë-etnike”, tha ajo.

Ndërsa, shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark tha për Zërin e Amerikës se është shumë e rëndësishme për njerëzit në Kosovë që të gjithë të respektohen, pavarësisht nga grupet etnike.

Image
Lars-Gunnar Wigemark

“Është thelbësore që të gjithë ata që jetojnë këtu në Kosovë të kenë të drejta të barabarta, të trajtohen në mënyrë të barabartë, por në përgjithësi do të them se Kosova po ecën mirë. Ne kemi parë këtu një qasje shumë ambicioze, përfshirë edhe të qeverisë së re, e cila e di që është shumë e lidhur me të drejtat e njeriut”, tha ai.

Gjendja aktuale e të drejtave të njeriut sipas veprimtarëve humanitarë pasqyron situatën politike dhe ekonomike të Kosovës ku asnjë kategori e popullsisë nuk është e kursyer nga shkeljet e këtyre të drejtave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat