Lavdi, Lavdim, marrëzisë së Drejtësisë!

Aktuale

Lavdi, Lavdim, marrëzisë së Drejtësisë!

Nga: Idriz Morina Më: 13 dhjetor 2021 Në ora: 16:17
Lavdim Krasniqi, fiton të drejen e rikthimit në vendin e punës ku u arrestua!

Dy ngjarje të ndryshme që janë transmetuar sot nga mediat, të bëjnë që ta mendosh gjatë nëse në këtë vend do të kemi mundësi për drejtësi, dhe më e rëndësishmja për barazi.

Lajmi i parë ka të bëjë me një prej skandaleve në drejtësi, ku një zyrtar i një institucioni të pavarur është protagonist i një incizimi se si merrë para, ryshfet për të ndikuar në drejtësi për t’ia ulur dënimin një të dënuari, dhe për ta zvarritur ekzekutimin e të njëjtit.

Rasti i Lavdimit!

Kuptohet që ai nuk ishte vetëm, por për më keq, drejtësia thuajse nuk veproi fare. Ndërsa, lënda e tij ende nuk ka marrë një zgjidhje të prerë në drejtësi, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) e ka aprovuar ankesën e Krasniqit kundër shkarkimit të tij nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, ku ky mbante detyrën e drejtorit të sekretariatit.

Lavdim Krasniqi dyshohet se ka kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “ushtrimi i ndikimit” dhe veprën penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Sipas aktakuzës, “të pandehurit Lavdim Krasniqi, dhe A.K., në cilësinë e Drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga janari i vitit 2018 e në vazhdimësi, në bashkëkryerje, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjetrin nga personi me inicialet B.M., me qëllim të ushtrimit të ndikimit të tyre në vendimmarrje për uljen e dhe shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për të njëjtin”.

Po ashtu ky skandal është pasqyruar nga mediat, sepse ekziston edhe një incizim, që gjykata e ka refuzuar si provë, pavarësisht argumentimit në të për krim.

Kur gjykata refuzon prova parësore në emër të procedurës, ndërsa zyrtari është pikërisht njeriu që i janë besuar detyra besimi të fisnikërisë është e papranueshme.

Për më tepër, një njeri me karakter kaq të ulët, që sipas kërkesës së prokurorisë nuk guxon të kthehet për vite në punë publike, KPMShCK, e kthen në vendin e njëjtë të punës, në të cilin u arrestua për krim!

Kjo tregon se si agjencitë e pavarura janë të pandërgjegjshme, jo profesionale dhe joetike. Kjo të çon, në dilemën se nëse dikush në këtë KPMShCK është njësoj në vendimmarrje sikurse Krasniqi!

A duhet prokuroria ta hetojë edhe KPMShCK-në? Sigurisht se po, dhe të mos dalë nga aty pa prova për arrestim!

Rasti Bulleshkaj

Kamber Bulleshkaj u dënua të hënën me 17 vite burgim nga Gjykata Themelore në Pejë, pasi u shpall fajtor për vrasjen e A.D. me tetë plumba, në shtator të vitit 2018 në fshatin Istog i Poshtëm.

Sipas aktakuzës i ndjeri kishte shkuar në shtëpinë e të pandehurit, ku mosmarrëveshjeve, i pandehuri me një armë automatike e godet me tetë plumba në vende të ndryshme në trup, dhe si pasojë e plagëve ai vdes në vendin e ngjarjes.

Autori i krimit në përpjekje për ta fshehur vrasjen, e merr veturën e të ndjerit, dhe e vendos trupin e tij në të, dhe kur arrin tek ura e lumit Shushicë, e hedhë në ujë, ndërsa vazhdon me veturë vazhdon në drejtim të Mitrovicës, dhe në lagjen “Bair” e braktisë veturën. Kufoma e të ndjerit ishte gjetur pas disa orësh. Por, autori i krimit qe arrestuar vetëm më 13 dhjetor 2018.

Ajo që bie në sy, është se që të dy kishin një relacion në Serbi. Sipas dëshmisë në gjykatë, autori i vrasjes së shokut të tij, ‘shumë të afërt’, tri ditë para ditës kritike, ishin pajtuar që të shkonin në Serbi, për “disa punë të të ndjerit” dhe për nxjerrjen e dokumenteve të Serbisë.

Si është e mundur që për një krim makabër, vrasje me tetë plumba, dhe përpjekje për zhdukje të kufomës, të dënohet kaq pak i akuzuari.

Fakti se ai ka shtënë tetë herë, dhe që as mbrojtja nuk ka dhënë fakt, se nëse ka qenë i sulmuar apo i rrezikuar nga viktima, është dëshmi, se ai e ka tejkaluar çdo lloj kundërpërgjigje për rrezik.

Më e keqja dëshmon se ai në vazhdimësi përpiqet ta argumentojë se e ka pasur shok të afërt viktimën.

Si mundet, që herën e parë ta godasë me tetë plumba, dhe që pastaj t’ia zhduk kufomën shokut të tij?

Mbrojtja nuk e ka pranuar krimin, por nuk ka ofruar alternativë, se ku mund të jetë kryer krimi, dhe kush mund të ketë qenë autor. Po ashtu nuk ka ofruar alibi për dorasin.

Çfarë duhet bërë me këtë sistem të drejtësisë, me këto institucione të pavarura, që nuk dihet për kë punojnë dhe si, e më së paku ju ofrojnë drejtësi qytetarëve.

Ky shtet dhe segmentet e tij nuk janë të kapura vetëm nga krimi i partive politike, por edhe nga çdo lloj krimineli, deri tek ata që drejtojnë institucione të shëndetit mendor, dhe vuajnë nga sëmundje të rënda psikologjike, psikopatësh dhe skizofrenë, të cilët i ofrojnë qytetarëve ‘shëndet mendor’ “të sigurtë”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat