Tregu ka energji për shitje, por ne nuk kemi xhep...

Aktuale

Tregu ka energji për shitje, por ne nuk kemi xhep...

Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 00:09
Ilustrim

Njohësi i energjetikës, Bekim Jakupi ka deklaruar se Kosova asnjëherë në historinë e pasluftës nuk ka prodhuar energji të mjaftueshme për të adresuar nevojat e saj.

Jakupi, përmes një shkrimi në Facebook, ka deklaruar se \tregu ka energji për shitje, por ne nuk kemi xhep për t’a blerë me çmimet aktuale apo jo!'

Shkrimi i plotë:

Po më provokojnë opinione e deklarata nga një numër i konsiderueshëm i akterëve politik, “kuadro” të sektorit energjetik, e të tjerë, në lidhje me situatën energjetike, prandaj:

1. Kosova asnjëherë në historinë e pasluftës nuk ka prodhuar energji të mjaftueshme për të adresuar nevojat e saj. Nëse sot themi se ka krizë energjetike, atëherë mund të konkludojmë se Kosova gjithmonë ka qenë në krizë energjetike…sepse kriza nënkupton “pamjaftueshmëri” dhe këtë pamjaftueshëri e kemi përjetuar të gjithë.

Tregu ka energji për shitje, por ne nuk kemi xhep për t’a blerë me çmimet aktuale apo jo!

Pra mungesa në këtë rast po evidentohet tek kuleta dhe jo te pamjaftueshmëria e energjisë në treg, dhe rrjedhimisht del konkludimi që nuk ka krizë energjetike- por krizë ekonomike në stade fillestare!

2. Akuzat e kontra-akuzat, kritikat e opinionet për zgjidhjen e komplikimeve në sektorin energjetik, të gjitha më gjasojnë në mekanizma për trajtimin e simptomeve të këtyre komplikimeve, dhe jo zgjidhje praktike që do të çonin në sanim të situatës energjetike.

3. Çmimet e energjisë elektrike janë rritur papritmas dhe ka zënë në befasi vetëm ata që nuk dojnë apo nuk dinë që në tregjet financiare spekulohet edhe me energjinë elektrike. Me fjalë tjera, dy palë në treg mund të lidhin një marrëveshje (energy futures), për të blerë një sasi të energjisë me një çmim të caktuar paraprakisht, dhe e cila energji do të mund të furnizohet/liferohet në të ardhmen me po atë çmim. Natyrisht, ky është mekanizëm për t’u mbrojtur në rast të luhatjeve të çmimeve në treg dhe ka kostot e saj, por që në këtë kontekst do të kishte qenë spekulimi më i qëlluar.

Nëse akterët relevant në sektorin energjetik në Kosovë, do të kishin qenë më të kujdesshëm dhe sikur të kishin angazhuar funksione organizative me burime njerëzore të mirëfillta dhe të ishin më dorëlirë me kostot e realizimit të kontratave të tilla, sot humbjet do t’i kalkulonin agjentët e bursave, e jo ne.

4. E kam thënë dhe e them prapë- çmimet e energjisë do të ngriten. Qeveria mund të subvencionoj diferencën, por nuk mund të ndaloj ngritjet e çmimeve, dhe pastaj nuk do të mund t’i subvencionoj më tutje. Përderisa importojmë rrymë, Kosova do të vendosë kërkesa blerjeje të energjisë elektrike nëpër ankande shitblerjeje krahas dhe kundrejt vendeve shumë më të fuqishme ekonomikisht, dhe natyrisht do të humbasë.

Në ndërkohë, ne, populli, do të duhet të pajtohemi dhe mjaftohemi me pamjaftueshmërinë që kemi tash e 20 e sa vite, prandaj:

Mos ofendoni inteligjencën, “earn your wages”- punoni për të zgjidhur këtë katrahurë të trashëguar por edhe të krijuar rishtazi. Ndërtoni kapacitetet e reja prodhuese dhe kaq!

BJ

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat