Serbia bllokon mallrat e Kosovës në kufi

Aktuale

Serbia bllokon mallrat e Kosovës në kufi

Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 16:14
Ilustrim

Mallrat e Kosovës janë bllokuar nga Serbia në pikat kufitare Merdarë dhe Dheu i Bardhë.

Që nga e hëna, eksportuesit kosovarë që po dërgonin mallrat e tyre në vendet e Evropës si Gjermani e Zvicër, nuk janë lejuar të kalojnë transit nëpër Serbi.

Atyre iu është kërkuar të dëshmojnë lejen e transportit të vendeve të treta, në të kundërtën janë gjobitur.

Kjo leje lëshohet nga Ministria e Transportit në Kosovë, në bashkëpunim me atë në Serbi.

Por, meqenëse të dyja vendet nuk kanë bashkëpunim mes vete, eksportuesit po detyrohen të paguajnë deri në 100 euro, duke shpresuar që të gjendet një zgjidhje e përhershme.

Ilir Saqipi – pronar i kompanisë transportuese “ILIRIJA” – thotë se kjo është hera e parë që janë bllokuar në pikën kufitare Dheu i Bardhë.

“Na kanë kërkuar lejen e transportit e vendeve të treta që është normale, por atë leje nuk e lëshon shteti i Kosovës. Ministria e Transportit të Serbisë nuk ka bashkëpunim me atë të Kosovës, dhe dmth ajo leje nuk ekziston fare”, deklaron Saqipi.

“Të hënën kanë filluar të na kërkojnë këtë dokument, dhe na kanë fut në terminal doganor, pastaj të martën na kanë ftuar që t’i paguajmë dënimet në vlerë diku 50 euro dhe pas asaj na kanë liruar kamionët”, shton ai.

Siç njoftoi Saqipi, janë rreth 20 kompani kosovare që vetëm gjatë së enjtes janë bllokuar në këto dy pika kufitare.

Ai tha se deri të mërkurën, për çdo kamion që ka hyrë apo dalë nga Kosova përmes këtyre pikave, janë detyar të paguajnë nga 50 euro, ndërsa tani deri në 100.

Ndërsa, terminali doganor tha se kushton diku 20-40 euro.

“Sa herë dalim nga Kosova dhe hyjmë që këtej jemi të detyruar ta paguajmë këtë shumë. Ne kemi leje të vendeve tjera evropiane, por jo të Kosovës sepse nuk ka bashkëpunim mes dy shteteve”.

Media ka provuar të kontaktojë dhe po ashtu i ka dërguar pyetje Shefit të Divizionit të Politikave Tregtare në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Zef Dedaj, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje as nuk ka qenë i qasshëm.

Ndërkaq, nga Zyra për Komunikim Publik e kësaj ministrie i kanë thënë redaksisë se janë të njoftuar për problemin dhe se departamenti përkatës është duke u shqyrtuar.

“Jemi të njoftuar dhe departamenti përkatës është duke e shqyrtuar këtë çështje. Së shpejti do të dalim me një njoftim publik”, kanë thënë nga kjo zyrë.

Media ka provuar po ashtu të kontaktojë me zyrtarë në Doganën e Kosovës, por as ata nuk kanë qenë të qasshëm.

Kjo nuk është hera e parë që Serbia i bllokon mallrat e Kosovës. Një gjë të tillë e pati bëri edhe në prill të vitit 2020, pak pasi Kosova kishte hequr taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe, me kërkesë të ambasadës amerikane në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat