Danimarka pret të marrë me qira 300 qeli burgu në Kosovë

Aktuale

Danimarka pret të marrë me qira 300 qeli burgu në Kosovë

Më: 17 dhjetor 2021 Në ora: 06:24
Ilustrim

Në Kosovë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, konfirmoi të enjten se ka një marrëveshje në parim me Danimarkën për t’i dhënë hapësira për 300 të burgosur, të cilët pas vuajtjes së dënimit do të dëboheshin nga Danimarka.

Qeveria daneze tha se projekti synon të lehtësojë mbipopullimin e burgjeve që është rritur për 19 për qind që nga viti 2015. Ajo tha se numri i të burgosurve në Danimarkë ka arritur në më shumë se 4 mijë në fillim të këtij viti.

Ministri danez i drejtësisë Nick Haekkerup, citohet nga mediet daneze të ketë thënë se “është rënë dakord që të merren me qira 300 qeli burgu në Kosovë dhe të zgjerohet kapaciteti i burgjeve në Danimarkë për disa qindra vende”.

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, tha se çështja është negociuar nga ish qeveritë dhe bëhet fjalë për burgun e qytetit të Gjilanit. Ajo tha se është arritur një marrëveshje në parim, për hollësitë e së cilës do të debatohet gjatë një vizite të ministrit danez të drejtësisë, javën e ardhshme.

“Do ta vizitojmë edhe këtë qendër korrektuese. Kjo marrëveshje përfshinë edhe mbështetje financiarë për Kosovën, ndonëse unë detajet sot nuk mund t’i them sepse ato do të shpalosën shumë shpejt dhe po ashtu investim në energji të ripërtërishme, që është nevojë urgjente e Kosovës, por edhe mbështetje me donacione që lidhen me sundimin e ligjit”, tha ministrja Haxhiu, duke theksuar se marrëveshja nuk është nënshkruar ende dhe duhet të miratohet në parlamentin e Kosovës, meqë bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare.

“Konsideroj që nëse Kuvendi i Kosovës i jep mbështetje kësaj marrëveshjeje, sepse na duhen dy të tretat e votave, atëherë konsiderojmë që përveç që do të fuqizojmë bashkëpunimin me shtetin e Danimarkës, do të kemi mundësi që të zhvillojmë institucionet tona përmes financave nga marrëveshja”, tha ajo.

Sipas ministres Haxhiu “të burgosurit nuk do të jenë të tillë që kanë vepra të terrorizmit ose probleme mendore. Pra ne kemi kërkuar që të mos përfshihen këta. Do të jenë persona që do të jenë të dënuar për krime tjera. Nacionaliteti po besoj që do të dihet nga ministri i drejtësisë i Danimarkës kur të vije në Kosovë dhe besoj që do të adresohen pyetje edhe në drejtim të tyre”, tha ajo.

“Kjo është një shenjë e mirë që Danimarka vlerëson se si trajtohen të burgosurit në Republikën e Kosovës, sepse paraprakisht është bërë një vlerësim se si shtetet, posaçërisht ato të Ballkanit Perëndimor, i trajtojnë të burgosurit, sa respektohen të drejtat e tyre dhe Kosova ka dalë ndër vendet që më së shumti respekton të drejtat e të burgosurve, sepse natyrisht është barrë e rëndë edhe për Danimarkën që t’i dërgoj në një vend ku nuk respektohen të drejtat e burgosurve”, tha ministrja Haxhiu.

Praktika të tilla janë zbatuar në vendet evropiane edhe më parë, përfshirë Norvegjinë dhe Belgjikën që kishin marrë me qira qeli burgu në Holandë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat