““Open Balkan” s’ka të bëjë me Jugosllavinë e Madhe”, Rama tregon shtetet që do në samitin e ardhshëm

Aktuale

““Open Balkan” s’ka të bëjë me Jugosllavinë e Madhe”, Rama tregon shtetet që do në samitin e ardhshëm

Më: 21 dhjetor 2021 Në ora: 07:41
Konferenca e përbashkët Rama-Vuçiq-Zaev

(E plotësuar 14:55) - Rama: Ballkan i Hapur do vijojë edhe pse Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi nuk marrin pjesë

Kryeministri Edi Rama deklaroi për Euronews Albania se nisma ‘Ballkani i Hapur’ do të vijojë edhe pse Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina nuk kanë pranuar që të jenë pjesë e saj.

Kryeministri theksoi se do të hiqen barrierat mes 3 vendeve edhe pse Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina refuzojnë pjesëmarrjen.

“Ne këtyre njerëzve do iu kthejmë barrierat meqë tre vende nuk duan të heqin barrierat për njerëzit e tyre, për subjektet që punojnë në vendet e tyre? Patjetër që jo. Ky është Ballkani i Hapur. Ballkani i Hapur nuk është konspiracion”, tha Rama.

Ai nënvizoi se marrëveshjet e firmosura sot u vijnë në ndihmë popujve të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Sot në këto vendime që kemi marrë janë faktikisht dhjetëra e mijëra njerëz që përfitojnë drejtpërdrejtë. Vetëm nga Shqipëria janë midis 600-700 subjekte që pavarësisht nga Ballkani i Hapur, pavarësisht nga Kombet e Bashkuara apo nga NATO, shkojnë e vijnë në këto territore, eksportojnë në Serbi, eksportojnë në Maqedoninë e Veriut dhe janë shumë më tepër sesa 600-700 ato që më pas importojnë nga këto vende”, tha Rama.

Do e njihte Serbia Kosovën në Open Balkan? Vuçiç përgjigjet

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u pyet nga gazetarja e Euronews Albania, Eksiola Shehu nëse Kosova bëhej pjesë e Open Balkan a do të ishte pjesë e bisedimeve me emrin dhe flamurin e saj.

Për Vuçiç diçka e tillë nuk ishte aspak problem.

“Beogradi dhe Prishtina kanë pikëpamje të ndryshme, por kjo nuk është arsye që ne të mos flasim dhe kjo nuk është arsye që dikush mos të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur,” – deklaroi presidenti serb.

Sipas tij nuk është produktive që ftesa të vijë nga vetë presidenti serb, sepse pikërisht prej tij Kosova nuk do pranonte të bëhej pjesë e nismës Open Balkan, por sidoqoftë prania e tyre nuk ka lidhje me zgjidhjen e çështjes politike që për Vuçiç është juridiksion i Brukselit.

Presidenti serb tha se është shumë i gatshëm të punojnë sa i takon çështjeve ekonomike dhe lëvizjes së lirë. Ai i drejtoi ftesën dhe Malit të Zi e Bosnje Hercegovinës në mënyrë që dhe njerëzit e tjerë të dëgjojnë përfitimet e kësaj iniciative.

Sipas Vuçiç ata që nuk pranojnë nismën do të humbasin kohë për t’u integruar në BE dhe për aq kohë sa Open Balkan mbështet vetëm urat e bashkëpunimit nuk ka nevojë t’i luten askujt që nuk tregon përgjegjësi apo seriozitet dhe fut në mes kapriçot politike.

***

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se iniciativa e “Ballkanit të Hapur” s’do të ndalet asnjëherë, pasi është interes i gjithë shqiptarëve.

Në konferencën e përbashkët për medie në samitin e Tiranës, Rama tha se vendet refuzuese të kësaj iniciative po humbasin kohë, pasi ndërkohë do t’i bashkohen.

Rama: “Ballkani i Hapur” s’do të ndalet është interes strategjik i shqiptarëve

“Ajo që ndryshon me Ballkanin e Hapur është se nuk ka nevojë për konsensus, kush do të vrapoj vrapon, kush do të eci ecë, kushdo që rrinë vend rri, kushdo që dëshiron të kërcejë në vend kërcen dhe kushdo që kthehet prapa kthehet. Të gjithë janë të lirë të bëjnë atë që duhen. “Ballkani i Hapur” nuk ndalet dhe është interes strategjik i Shqipërisë dhe Shqiptarëve përtej interesit të përbashkët rajonal. Do të vijnë në “Ballkanin e Hapur”, por vetëm do të humbasin më shumë kohë”, tha ai.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se “Ballkani i Hapur” s’ka të bëjë asgjë me ish Jugosllavinë dhe duke ironizuar tha se para se të mësojë serbisht, dëshiron të mësojë gjuhën gjermane.

Rama: Ballkani i Hapur s’ka të bëjë asgjë me ish Jugosllavinë

“Duke qenë së nuk kam qenë asnjëherë në Jugosllavi dhe Ballkani i Hapur s’ka të bëjë asgjë me Jugosllavinë, ndoshta Aleksandri do që të mësojë shqip, por unë para se të mësoj serbisht dua të mëshoj gjermanisht për shembull”, tha ai.

***

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka folur sot në Tiranë për marrëdhënien e Beogradit me Prishtinën zyrtare. Ai tha se tashmë dihet qëndrimi i Serbisë për këtë çështje, ndërsa shtoi se Kosova është e lirë që të marrë pjesë në nismën ‘Ballkani i Hapur’. 

Mes të tjerash ai tha se do donte që të fitonte ça pikë si nacionalist në Serbi, meqë tre muaj më pas janë zgjedhjet, por vendosi që të mbante një gjuhë neutrale. Sipas tij, me rëndësi është vendosja e urave të komunikimit.

“Besoj se ne jemi përgjigjur këtë për raste të ndryshme. Zgjedhjet do të zhvillohen në Serbi për 3 muaj. Do ju përgjigjem sot, drejtpërdrejtë që të fitoj ca pikë nacionaliste në vendin tim. Do ju habis me përgjigjen time, tejet racionale. Do ju përgjigjem se pse po e bëjmë këtë. Kemi pikëpamje të ndryshme lidhur me Kosovën. Serbia, Shqipëria, Maqedonia, kanë pikëpamje të ndryshme me këtë çështje, Beogradi dhe Prishtina kanë pikëpamje të ndryshme. Nuk mendoj që është produktive për mua që t’i ftoj sepse në momentin që ftoj dikë nga Prishtina, thonë që meqë e bëri ai ftesën, ne nuk do të vijmë.

Kjo nuk është arsye që mos të flasim. Ne mund të përmendim pikat e kalimit kufitar në Jarinjë, megjithatë, të flasim për thelbin. A do të jetë më e lehtë për shqiptarët dhe serbët nëse s’do të kishte të tillë kufijtë apo radhë që njerëzit të lëviznin lirisht?! Këto krijojnë probleme të pafundme. Do ishte më e lehtë që mos të ishin. S’ka njeri, qoftë në Prishtinë, apo në Mitrovicë, Beograd dhe Tiranë, që s’do të ishte dakord kështu. Do të humbasin kohë, ata që nuk i bashkohen. Ka vetëm përfitime nga kjo nismë. Dje këshilltarët e mi, zyrtarë, më thanë se do të kthehemi, kemi zgjedhje në 3 muaj.

Më thonin se nuk duhet të shkoja në Shqipëri, se pati probleme me flamurin. Por të tjerë njerëz e bënë këtë, dhe Rama erdhi në Beograd. Nëse çështja është se kush djeg më shumë flamuj, nuk është kjo zgjidhja. Jemi për të ndërtuar ura komunikimi. Miliona fusha bashkëpunimi shtrihen para nesh. Miliona fusha, por duhet treguar përgjegjësi. Mos të bëhemi apo të patronizojmë politikat e përditshme. Duhet të sigurohemi që të ruajmë paqen. Ky është projekt paqeje.”,
tha Vuçiç.

Mbështetja e BE-së, liderët e “Ballkanit të Hapur” sërish i bëjnë ftesë Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës

Tre liderët rajonal të “Ballkanit të Hapur” i kanë bërë ftesë sërish Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë Hercegovinës që t’i bashkohen kësaj nisme, pas mbështetjes edhe të Bashkimit Evropian.

Në samitin e Tiranës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se “Ballkani i Hapur” është një nismë gjithëpërfshirëse në përpjekje për ta çuar përpara ekonominë e Ballkanit Perëndimor.

Kreu qeveritar në konferencë të përbashkët për medie me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se “Ballkani i Hapur” është vetëm njësi zbatimi i Procesit të Berlinit.

Rama: BE-ja mbështet “Ballkanin e Hapur”, tri vendet refuzuese të rajonit të na bashkohen

“Ballkani i Hapur është njësi zbatimi i Procesit të Berlinit dhe njësi realizimi i tregut të përbashkët rajonal. Kjo është arsye pse ne jemi angazhuar rreth kësaj nisme. Kjo është arsyeja pse qysh në ditën e parë e kemi shpallur këtë nismë si gjithëpërfshirëse. Kjo është arsyeja që i ftojmë tri vendet tjera të rajonit që të na bashkohen për të mirën e secilës palë dhe të mirën e qytetarëve të secilit prej gjashtë pjesëmarrësve në përpjekje për të çuar përpara ekonominë e Ballkanit Perëndimor. Sot është e qartë dhe e thënë se Komisioni Evropian e mbështet plotësisht ‘Ballkanin e Hapur’ dhe fton tre vendet e tjera t’i bashkohen”, tha ai.

Thirrje për përfshirje në “Ballkanin e Hapur”, tri vendeve refuzuese iu bëri edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Ai tha se kjo nismë rajonale nuk ka të bëjë me asnjë teori të “Shqipërisë së madhe”, apo “Serbisë së madhe”, por vetëm për bashkëpunim rajonal.

Vuçiq: Tri kryeqytetet refuzuese të “Ballkanit të Hapur” të bëhen pjesë e jona

“Kjo nismë s’ka të bëjë me asnjërën, e as me ndonjë Maqedoni të madhe, le të mos humbasin në këto diskutime që kanë të bëjnë me të shkuarën, pasi duke folur për këto gjëra ne nuk do të bëjmë asgjë për të ardhmen...ne dëshirojmë që këto tre kryeqytetet të bëhen pjesë e jona në këtë nismë dhe të bëhen disa gjëra të prekshme. Si mund të kemi më shumë turistë në vendet tona”, theksoi ai.

Ndërsa, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kontribuojnë së bashku për t’i zhvilluar ekonomitë e vendeve pa barriera.

Zaev: Ne inkurajojmë të gjitha vendet që të kontribuojnë së bashku për t’u lidhur me njëri-tjetrin

“Ne inkurajojmë të gjitha vendet që të kontribuojnë së bashku për t’u lidhur me njëri-tjetrin, për tu zhvilluar ekonomisht pa barriera për nevoja të njerëzve tanë. Ne kërkojmë që të ketë kontribut që nisma e Ballkanit të Hapur të jetë nismë e Ballkanit Perëndimor përmes një tregu të përbashkët rajonal”, tha ai.

Tre liderët rajonal përshëndetën arritjen e marrëveshjeve të sotme dhe thanë se efekti pozitiv i tyre do të shihen qysh në fillim të vitit 2022.

***

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij deklaroi se ‘Open Balkan’ nuk ka të bëjë me Jugosllavinë e Madhe për të cilën është akuzuar.

Ai gjithashtu theksoi se qëllimi është zhvillimi i mëtejshëm ekonomik, ndërsa shtoi se kanë vendosur që në gjashtë muajt e ardhshëm do të ftojnë Italinë, Greqinë dhe Hungarinë që t’i bashkohen këtij Samiti.

“Ka një prirje nga ata njerëz që nuk duan që kjo nismë të ketë sukses, apo ta ndjekin këtë. Kur thonë se kjo është të kthehesh në të shkuarën apo të rikrijosh Jugosllavinë. Unë dua ta them në shqip . Ballkani i Hapur nuk ka të bëjë fare me Jugosllavinë. Ndërkohë në samitin e ardhshëm na duhet të trajtojmë barrierat tarifore. Në samitin vijues duam të kemi Italinë, Greqinë dhe Hungarinë sepse kemi kuptuar që nuk mjafton për njerëzit tanë të kenë tregti të lirë plotësisht , ata kanë nevojë të kenë edhe më pak pengesa kur mbërrijnë ne BE. Pra do të kontaktojmë me vendet e BE dhe ta bëjmë procesin bashkë në kuadër  të Ballkanit të Hapur në tregun e përbashkët Europian. Kjo është mënyra si ndihmon Ballkani i Hapur. Kush do të na besonte nëse ne nuk tregojmë me vepra se mund të jemi në nivelin e ambicies se BE. Pra jo vetëm ndihmon në aspektin ekonomik”, tha Rama.

Vuçiq shqiptarëve: Duam ta shihni Serbinë si shtëpinë tuaj të dytë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i cili po qëndron në Tiranë në kuadër të takimeve për ”Ballkanin e hapur”, ka bërë një thirrje për shqiptarët e maqedonasit, që Serbinë ta shohin si shtëpinë e tyre të dytë.

Kjo madje sipas tij meqë ngjashëm duan të ndihen edhe serbët, kur vizitojnë Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut.

”Kemi arritur që gjërat të ecnin në mënyrë që të qytetarët e vendeve tona të shohin arritjen. Kjo nismë s’ka të bëjë as me Serbinë e madhe, as me Shqipërinë e madhe. Le të mos humbasin në këto diskutime që kanë të bëjnë me të shkuarën, sepse duke folur për këto gjëra, nuk mund mund të shkojmë kah e ardhmja”.

”Ne duam të shohim më shumë turistë nga Tirana, nga Shkupi, nga të dyjat shtetet”.

”Dua t’ju mirëpresim në Serbi, që Serbinë ta shihni si shtëpinë tuaj të dytë, sepse edhe ne duam që të ndjehemi të tillë kur vijmë në Shqipëri, apo edhe në Maqedoninë e Veriut. Kjo në mënyrë që të mos ketë më kufij për kompanitë tona. E pamë se sa të kënaqur ishin ata gjatë kësaj iniciative të nisur”.

Takimi i radhës për “Open Balkan” mbahet në Shkup

Takimi i radhës së “Open Ballkan” do të mbahet në Shkup.

Lajmin e ka konfirmuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili vuri edhe disa pika që duhen arritur deri në takimin e radhës.

Në fund, Rama ia la fjalën personit që do të çelë samitin e Shkupit, Dimitar Kovaçevski. Duke folur për të, Rama tha se prandaj jeta është e bukur në Ballkan pasi mund të ndodhë gjithçka dhe jo si në BE ku dihet se çfarë do të ndodhë dhe se çfarë jo.

“Tri pika nga ana ime. Uroj së pari në fund të shkurtit, kur ne të kemi takimin tjetër, përfaqësuesit e universiteteve në fushën e bujqësisë, të vijnë, të bashkohen me ne për të nënshkruar një marrëveshje mes tyre, e cila do të përfshijë bashkëpunimin në nivelin e programeve të tyre dhe të aktiviteteve të tyre dhe po kështu për të pasur një bashkëpunim që të shtrihen e të komunikojnë edhe me rrjetin akademik të BE-së.

Së dyti, do të uroja fort që të dy ministrat që folën si edhe pala e Maqedonisë së Veriut të sigurohen që në fund të Shkurtit ne të kemi më shumë lajme të mira për t’u dhënë njerëzve sa u takon kufirit. Duhet të sigurohemi që gjithkush që merr rrugën për të shkuar nga një vend tek tjetri, e tek tjetri sërish të ketë të njëjtin rrugë të thjeshtë, pra të udhëtojnë siç mund të udhëtonin nga një pikë në tjetrin brenda një vendi. Pra asnjë barrierë tarifore dhe jo tarifore. Kemi mësuar duke punuar se ajo çfarë mund të bësh nëse përqendrohesh vërtetë për dy ditë mund mos ta bësh as për dy vjet. Kështu që le ta bëjmë. Së treti do ia jap fjalën dikujt që dua ta përmbyllë këtë takim dhe do të çelë samitin në Maqedoninë e Veriut. Jeta është e bukur në Ballkan. Çdo gjë mund të ndodhë. Nuk është si në BE që ti e di se çdo ndodhë dhe nuk do ndodhë. Kështu që kolegut tonë të dashur dhe të nderuar të ardhshëm, flas edhe në emër të Aleksandrit, i jap fjalën të thuash ç’të dëshirosh”, tha Rama.

LIVE: Konferenca e përbashkët Rama-Vuçiq-Zaev

Ka nisur konferenca e përbashkët Rama-Vuçiq-Zaev.

Pesë marrëveshjet e nënshkruara në samitin e “Open Balkan”

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan këtë të martë pesë marrëveshje bashkëpunimi mes tyre, në kuadër të samitit “Open Balkan”.

Të gjitha marrëveshjet e nënshkruara:

1-Marrëveshje për qasjen e lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.

2-Marrëveshje për ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor

3-Marrëveshje e bashkëpunimit në fushën e veterinarisë, ushqimit, sigurisë ushqimore dhe fushën hidrosanitare në Ballkanin Perëndimor.

4-Marrëveshje dypalëshe mes Serbisë dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për njohjen e ndërsjellë të operatorëve të autorizuar ekonomikë për autorizimet e sigurisë dhe sigurimet.

5-Marrëveshje dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për njohjen e ndërsjellë të operatorëve të autorizuar ekonomikë për autorizimet e sigurisë dhe sigurimet.

Krah Vuçiqit e Zaevit, Rama fton Kosovën dhe dy vendet e rajonit në “Open Balkan”, edhe BE del pro nismës

 Aleksandër Vuçiq, presidenti i Serbisë, gjatë takimit të “Ballkanit të Hapur” që po zhvillohet në Tiranë, u shpreh se objektivi i kësaj iniciative është lidhja e njerëzve me njëri-tjetrin.

Do të them një fjali të mirë të bërë nga Franklin Rusvelst: Ndoshta nuk do të kemi mundësi për të përgatitur të ardhmen për fëmijët tanë, por mundemi të përgatisim fëmijët tanë për të ardhmen”, tha mes tjerash Vuçiq.

“Kjo është një iniciativë më e madhe se ne të tre. Do të krijojë bazën e themelet për fëmijët tanë”, tha Vuçiq.

Objektivi më i rëndësishëm është që të lidhim njerëzit me njëri-tjetrin. Ata njerëz që kanë menduar më shumë për të shkuarën sesa për të tashmen dhe për të ardhmen.

Kam biseduar dje me përfaqësuesit e bizneseve shqiptare dhe pashë një dëshirë shumë të madhe për të investuar e bërë biznes”, shtoi Vuçiq.

***

BE mbështet ‘Ballkanin e Hapur”

Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, dha një mesazh me “Skype” në takimin e “Ballkanit të Hapur”, që po zhvillohet në Tiranë mes kryeministrit Edi Rama, Presidentit Aleksandër Vuçiç, dhe kryeministrit Zoran Zaev.

Komisioneri Varheyli mbështeti nismën për tregun e përbashkët rajonal, ndërsa ju bëri thirrje tri vendeve të tjera të rajonit, që t’i bashkohen kësaj nisme, pasi sipas tij, nëse nuk bëhen të gjithë bashkë në tryezë, përfitimet nuk do të jenë të plota.

“Është e lehtë të jesh mik i Ballkanit, kur siç e dini unë jam nga Hungaria. Ndoshta kjo më jep një nivel më të afërt kuptimi të nevojave që ka Ballkani dhe mënyrës si mund ta ndihmojmë për t’u rritur shumë më shpejt e për të ardhur më afër BE. Për të qenë i ndershëm, kam qenë gjithmonë i prirur shumë pozitivisht ndaj këtij propozimi, që u quajt në fillim mini-shengen. Më pas, u përpoqëm brenda procesit të Berlinit dhe krijuam tregun e përbashkët. Për fat të keq, me disa zgjedhje në rajon, kjo nismë u la mënjanë. E konsideroj këtë nismë si një pasardhëse apo një zëdhënëse, derisa të gjithë të jenë rreth tryezës. Ju duhet të vazhdoni ta nxisni këtë nismë, sepse rajoni kërkon të jetë një i tërë sa i takon ekonomisë, shoqërisë. Rajoni kërkon të jetë bashkë, siç jemi ne në BE. Admiroj faktin se sa fort e ndjeni këtë nismë, sepse së pari ka qenë një nismë që vjen nga Ballkani, nuk është BE që doli me këtë nismë, por ka ardhur prej jush, prej tri aktorëve që shoh rreth tryezës edhe sot. Ju vazhduat ta shtynit përpara edhe kur ne nuk arritëm të tërhiqnim pjesëmarrjen e të gjithëve. Ju kuptuat rëndësinë e integrimit rajonal, mënyrën si kjo mund të ndryshojë gjendjen e qytetarëve tuaj, por edhe si mund të integrojë Ballkanin në BE. Ky është mesazhi më i mirë që rajoni mund të përçojë, që jo vetëm është gati për bashkëpunim rajonal, por po e bën këtë bashkëpunim.

Ne në BE mendojmë se në bazë të rregullave të BE, çdo bashkëpunim rajonal është i mirëpritur, por edhe në të mirë të të dyja palëve. Do të ishte ideale që të gjendej një mënyrë për t’u kthyer në tregun e përbashkët rajonal. I ftoj tri partnerët e tjerë t’i kthehen këtij bashkëpunimi rajonal, sepse jo vetëm shton mundësitë për biznese, ofron shtim të punësimit, por mund të ndryshojë realitetet në terren. Realitetet në terren janë shumë të zymta. Nëse ka diçka që ju citoj kryeministri Rama, është se vetëm përmes bërjes konkrete të tregut të përbashkët rajonal, Ballkani mund të shtojë 1/3 rritje të PPB ekzistuese. Pjesa tjetër e PPB mund të arrihet përmes një përplotësuesi thelbësor, që është plani ekonomik, që BE e ka mbështetur.

Nuk ka arsye që t’i lidhësh të gjitha kryeqytetet me rrugë e hekurudha, në mënyrë që trenat të ndalen në çdo pikë kufiri. Nuk ka asnjë kuptim që të krijojmë një plan ekonomik, nëse burokracia i kundërvihet qarkullimit të lirë të shërbimeve. Gjatë krizës së Covid-it ju e bëtë të ditur se çfarë dallimi, ndryshimi, mund të bëhet me këtë. Jam i kënaqur që së paku ju të tre të vazhdoni dhe shpresoj që tre të tjerët të bashkohen shumë shpejt, sepse pa këtë plani nuk mund t’iu sjellë të gjitha përfitimet. Ne po ofrojmë një investim për së paku 1/3 e PPB të gjithë rajonit, por kjo do të funksionojë, nëse të gjithë do të marrin pjesë. Është me rëndësi që t’i tregojmë botës se kur angazhoheni, ju bëni atë që thoni dhe jepni rezultate. Ne jemi gati t’iu ndihmojmë që rezultatet të jenë të shpejta”, tha Varhehyi.

“A e mbështet BE Ballkanin e Hapur?”, Rama prezanton me batutë Varhelyin në takim: Një ‘PO’, do ishte lajmi i ditës

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në kudër të takimit për nismën ‘Ballkani i Hapur’ prezantoi edhe Oliver Varhelyin, Komisionerin për zgjerimin në BE.

Kreu i qeverisë shqiptare, duke mos i kursyer batutat për lidhjen përmes platformës online me komisionerin, kërkoi nga ky i fundit një konfirmim për ‘Ballkanin e Hapur’ nëse ka apo jo mbështetjen e BE.

“Kur nisëm ishit i ngrirë, tani jeni i shkrirë. Ju nuk ndiqeni vetëm nga ne por dhe nga ekranet e tv. Ata duan të dinë që; A e mbështet BE Ballkanin e Hapur?! Ky do të ishte lajm i ditës.”, tha Rama.

“Do të jetë pjesëmarrja ime e fundit”, Zaev: Vendet tona të mos mbahen peng nga dështimet e BE, me ‘Ballkanin e Hapur’ lëmë pas të shkuarën tonë të trazuar

Kryeministri i Maqedonisë të Veriut, Zoran Zaev deklaroi se me nismën ‘Ballkani i Hapur’ lihet pas e shkuara e trazuar në Ballkan.

Gjatë fjalës së tij në prani të kryeministrit Rama dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, Zaev pohoi se kjo do të ishte pjesëmarrja e tij e fundit e drejtpërdrejtë, për shkak të zhvillimeve në qeverinë maqedonase.

“I dashur Edi, i dashur Aleksnadër, të dashur miq. Është vërtetë nder dhe kënaqësi që jemi së bashku sot, Faleminderit Edi që na ke mirëpritur sot këtu dhe në Elbasan. më lejoni që të shpreh kënaqësinë që kam në lidhje me hapat e fundit që janë marrë sa i përket Ballkanit të hapur. Ne kemi suksese për të treguar, rezultate. Të tre delegacionet kanë bërë një punë të shkëlqyer. Nuk është e lehtë në BE dhe në Ballkan, por kemi hapa të dukshëm për të treguar. Kjo do të jetë pjesëmarrja ime e fundit në formë të drejtpërdrejtë, në këtë mision. Që në fillim të kësaj iniciative.

Këto kapacitete i kemi terruar te institucionet në BE dhe në lidhje me integrimin. Kur kemi qenë së bashku me Vuçic dhe Ramën, dhe krijim këtë iniciativë, treguam se tre vendet tona nuk do të mbaheshin peng në këtë proces integrimit. Ky proces mund të ndalohet në Bruksel, por europianzmi jo. Ballkani i Hapur na ka sjellë së bashku si tre udhëheqës, kjo është miqësia e madhe që kemi mundur të krijojmë ne të tre bashkë. Dëshiroj që t’ju përçoj një mesazh të gjithëve; ruani dhe zhvilloni këtë iniciativë, Ballkanin e Hapur. është në të mirën e qytetarëve tanë. Ballkani i Hapur është rruga për të ecur para, rruga e duhur për BE. është instrument që ta lëmë të shkuarën tonë të trazuar, në të shkuarën dhe të ecim para drejt BE. Do të kemi suksese me këto marrëveshje. Përqasje në tregun e punës është një nga marrëveshjet. Ne do të kemi dhe një marrëveshje tjetër që ka të bëjë me numrin e identifikimit që palët kontraktuese të japin qasje për kontratën e bujqësisë, si dhe reduktim të pritjes në dogana. Ne kemi më shumë punë. Vendet anëtarë te BE e kanë kuptuar të mirën e kësaj iniciative. Ne do të vazhdojmë që të punojmë edhe më fortë.”, tha Zaev.

“Kalojmë te tregu i përbashkët”, Rama për “Ballkanin e Hapur”: Nga janari s’ka më dhimbje koke e stres nëpër kufij

Në fjalën e tij, në takimin “Ballkani i Hapur”, kryeministri Edi Rama deklaroi se duke filluar nga viti 2022 fermerët, eksportuesit dhe importuesit nuk do të presin më nëpër kufij, pasi do të ketë shumë lehtësira për lëvizjen e tyre në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut.

“Bazuar në atë që do të bëjmë, shumë shpejt në fillim të vitit të ri, ata nuk do të përjetojnë më ato dhimbje koke e stres të pritjes në kufij. Gjithçka do të ecë mirë”, tha kryeministri shqiptar, ndërsa renditi disa marrëveshje dypalëshe apo trepalëshe, mes Shqipërisë dhe dy vendeve të tjera që janë pjesë e kësaj nisme.

“Ne po nënshkruajmë sot marrëveshje dypalëshe mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë e Serbisë, duke shënuar një hap përpara në lehtësimin e lëvizjes së mallrave dhe njerëzve. Në fushën e lëvizjes së njerëzve ne sot nënshkruajmë marrëveshjen trepalëshe, duke bërë që qytetarët tanë të lejohen të qëndrojnë në vendet tona. Ne flasim për gjëra konkrete dhe po marrim hapa konkrete përpara për të liberalizuar tregjet tona të punës.

Na duhet ta hapim rajonin. Në fushën e lirisë së lëvizjes së shërbimeve sot kemi bërë një hap të parë, duke përmirësuar ndërlidhjen, që do të thotë hapja e rrugës së shërbimeve elektronike për qytetarët tanë. Ka edhe një gamë të gjerë shërbimesh, ku ne duhet të bashkëpunojmë. Duhet të ecim përpara drejt njohjes së ndërsjellë të operatorëve turistikë. Duhet të thellojmë bashkëpunimin për lëvizjen e lirë kapitale. Duhet të bëjmë ndryshime të mëtejshme të mendësisë për të kaluar nga klisheja e konkurrencës, te një treg i përbashkët.

I kemi kërkuar BE që të eksplorojë bashkë me ne në disa fusha kyçe, ku ne të kemi qasje në novacion, kërkim, bujqësi, tregti, shërbime elektronike. Kemi ftuar në Samitin në Tiranë rektorë dhe dekanë të Universitetit të Bujqësisë të vendeve tona, që ata të krijojnë lidhje dhe bashkëpunim. Duhet të nisim një rrjet të ekspertëve të nivelit të lartë, për realizimin e marrëveshjeve të Ballkanit të Hapur dhe kërkoj që ky rrjet të mbështetet nga partnerët. Dua të theksoj se çfarë është pjesa më e rëndësishme e kësaj nisme. Ballkani i Hapur shërben për të injektuar dinamizëm në bashkëpunimin rajonal, qoftë mes nesh, apo të gjashtëve, në kuadër të tregut të përbashkët.

Ky bashkëpunim është dypalësh ose trepalësh dhe synimi është zbatimi i shpejtë i lirive të tregut, që vendet tona të bashkohen me tregun e përbashkët të BE. Sot, nënshkrimi i marrëveshjeve të përgatitura me mjaft gatishmëri, shërbejnë për të përçuar mesazh shumë konkret te njerëzit, sidomos te fermerët, eksportuesit, importuesit, të cilët janë tashmë duke punuar në këtë hapësirë të përbashkët. Mesazhi është që me këto marrëveshje, 2022 do të jetë një epokë e re, fillesa e diçkaje krejt të ndryshme për ta, kur vjen fjala e shkuarjes nga pika A, te pika D, dhe për të kaluar nëpër kufij të ndryshëm. Bazuar në atë që do të bëjmë, shumë shpejt në fillim të vitit të ri, ata nuk do të përjetojnë më ato dhimbje koke e stres të pritjes në kufij. Gjithçka do të ecë mirë. Kjo ndërlidhje jo vetëm do të jetë për subjekte që tashmë operojnë, por edhe për të tjerë. Kjo hapësirë do të jetë edhe më dinamike… qarkullimi i mallrave i njerëzve është tashmë praktikë. I falënderoj Aleksandrin dhe Zaron dhe të tjerët që i janë bashkuar sot kësaj tryeze”, deklaroi Rama.

Vuçiç: ‘Open Balkan’ një iniciativë gjithëpërfshirëse, s’kemi pse u kërkojmë ndjesë atyre që s’duan të bëhen pjesë

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç në fjalën e tij gjatë seancës hapëse të samitit Open Balkan që po mbahet në Tiranë e cilësoi Open Balkan një iniciativë të madhe që do t’i shërbejë të ardhmes së të rinjve të rajonit.

Qëllimi, tha Vuçiç është hapja e kufijve për njerëzit duke lehtësuar tregtinë dhe biznesin mes qytetarëve të vendeve tona.

Krah Vuçiqit e Zaevit, Rama ka një ftesë për Kosovën dhe dy vendet e rajonit

Kryeministri Edi Rama ka qenë i pari që ka hapur fjalën në takimin e sotëm në kuadër të Open Balkan.

Që në nisje të fjalës së tij, në krah të presidentit Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Rama ftoi Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë Hercegovinën që të jenë pjesë e kësaj aspirate.

“I dashur Aleksandër, i dashur Zoran, të dashur miq të rajonit, është kënaqësi e vërtet që t’ju urojë mirëseardhje në Tiranë sot. jam i kënaqur t’ju them se sot është një moment kyç i procesit tonë, pasi marrëveshjet që do të nënshkruhen, do të përcaktojnë një hap të rëndësishëm përpara drejt objektivit tonë; të garantojmë lirinë e plot të lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. Më lini që të kaloj nëpër secilën shtyllë të Ballkanit të Hapur duke përsëritur thirrjen për gjithkënd që të bëhet pjesë, pasi Ballkani i Hapur është nismë përfshirëse dhe sigurisht duke inkurajuar tri të tjerët në rajon që të jenë pjesë e kësaj përpjekje. Ndërkohë që ne po ecim përpara për më të mirën e njerëzve tanë. Në fushën e lirisë së lëvizjes së mallrave do nënshkruajmë marrëveshjen tripalëshe për eksportet, për kafshët e gjalla dhe njohjen e certifikatave të akreditimit dhe lehtësimin e eksporteve dhe importeve për mallrat. sot do të nënshkruajmë dhe marrëveshjen në bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, në fushën ushqimore, etj. Më lini që t’i kthehem faktit që sa herë kemi folur për këtë gjë, përmes procesit t Berlinit, është ‘Ballkani i Hapur’ që po e bën këtë gjë. Mund të tingëllojë teknike, por marrëveshja përfaqëson një gur kilometrik në këtë rrugë. Ajo heq në praktikë një pengesë të vazhdueshme për fermerët e hapur. Ballkani i Hapur është aspiratë më shumë se nismë. Është një hap përpara që e hap Ballkanin dhe e përgatit atë për integrimin në BE”, tha Rama.

Rama pret Vuçiqin e Zaevin në Pallatin e Brigadave

Ka nisur takimi i tre liderëve, Rama-Vuçiq-Zaev në Tiranë, në kuadër të nismës "Open Balkan".

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka arritur në Pallatin e Brigadave për “Open Ballkan”.

Ai u prit nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Image
Aleksandër Vuçiq, Edi Rama dhe Zoran Zaev

Bashkë me Ramën dhe Vuçiqin i pranishëm do të jetë edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Fillimisht të tre liderët do të zhvillojnë një takim të shkurtër pa praninë e delegacioneve të tyre dhe më pas do të zhvillohet seanca plenare ku do të ketë diskutime për të ardhmen e axhendës së “Ballkanit të Hapur”.

Rreth orës 11:30 është parashikuar të mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve dhe më pas forumi i Agrikulturës dhe Kooperimit Rajonal.

Në orën 13:00 të tre liderët do të dalin një konferencë për mediat. Gjatë këtij takimi është parashikuar që të përmbyllen 5 marrëveshje.

Marrëveshja e parë është për kushtet për aksesin e lire në tregun punës, ndërsa marrëveshjet e tjera kanë të bëjnë me: skemat e përbashkëta për identifikimin elektronik të qytetarëve në pikat kufitare, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë ushqimore dhe për njohjen e ndersjelltë për operatorët ekonomikë.

Në kuadër të “Open Ballkan” pritet të nënshkruhen pesë marrëveshje

Është publikuar agjenda e plotë e takimeve të sotme në kuadër të “Open Ballkan”.

Sipas agjendës, në këto takime pritet të diskutohen dhe nënshkruhen pesë marrëveshje:

1-Një treg i përbashkët dhe i lirë pune mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

2-Ngritja e një skeme të përbashkët ndërlidhjeje elektronike identifikimi për qytetarët në Ballkanin Perëndimor.

3-Marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore, atë të fitosanitarisë në Ballkanin Perëndimor.

4-Marrëveshje Shqipëri-Serbi për njohjen e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).

5-Marrëveshje Shqipëri-Maqedoni e Veriut për njohjen e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).

Po ashtu është planifikuar edhe mbajtja e Forumit Rajonal pët Agrikulturë dhe Bashkëpunim Rajonal.

Konkluzionet e këtij takimi të “Open Balkan” do të bëhen publike nga kryeministri Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, rreth orës 13:00 të së martës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat