Dëshmuan rrejshëm kundër “Syrit të Popullit”, ja vendimi për dy agjentët e AKI-së

Aktuale

Dëshmuan rrejshëm kundër “Syrit të Popullit”, ja vendimi për dy agjentët e AKI-së

Më: 21 dhjetor 2021 Në ora: 15:35
Ilustrim

Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI) ka suspenduar dy agjentë të saj, të cilët dyshohet se kanë dhënë dëshmi të rrejshme në një proces gjyqësor kundër anëtarëve të organizatës “Syri i Popullit”.

Burime brenda autoriteteve shtetërore të sigurisë, kanë bërë të ditur se dy zyrtarët e inteligjencës kosovare, të përfshirë në skandalin e AKI-së dhe Prokurorisë të cilin e zbuloi media rreth dy muaj më parë, janë ndëshkuar me suspendim nga puna.

Dy agjentët e AKI-së kanë dhënë deklarata të rrejshme në procesin gjyqësor ndaj anëtarëve të organizatës së ashtuquajtur “Syri i Popullit”, zbuloi shkrimi hulumtues.

Ky hulumtim zbuloi sesi ish-prokurori special, Sylë Hoxha dhe ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi kanë prodhuar dëshmitarë fiktivë për të dhënë dëshmi të pambështetura në një proces gjyqësor. Viktima do të ishin të akuzuarit e rastit “Syri i Popullit”.

Hoxha, në një marrëveshje gojore në janar të vitit 2018 me Gashin, kanë përfshirë dy agjentë të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës në këtë skandal.

Ish-prokurori, tash në pension, dhe ish-kryespiuni i Kosovës ishin marrë vesh gojarisht që AKI t’i pajisë me identitete të rrejshme dy zyrtarët të cilët kishin vëzhguar Sadri Ramabajën në restaurantin Panorama në Zllatar më datë 11 mars 2017.

Me ato identitete ishin prezantuar në gjykatë si dy qytetarë të thjeshtë – njëri cigareshitës, e tjetri i papunë. Në janar të vitit 2018, ata kishin dëshmuar rrejshëm kundër Ramabajës dhe të tjerëve në gjykatë.

Këto dëshmi mbi të cilat është mbështetur aktakuza janë përdorur më vonë nga ish-presidenti Thaçi për të akuzuar kryeministrin aktual, Albin Kurti dhe kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca, për lidhje me terrorizmin, përkatësisht organizatën “Syri i Popullit”.

Ndërkaq, Prokurori i Shtetit paralajmëroi hetimin e skandalit të ish-prokurorit Hoxha dhe ish-shefit të AKI-së Gashi, të dyshuar për “rekrutimin” e dy agjentëve të AKI-së për dhënien e dëshmive të rrejshme në procesin gjyqësor ndaj Ramabajës dhe të tjerëve.

Në një deklaratë për media, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Prokurori i Shtetit thanë se do të ketë reagime ligjore ndaj skandalit të publikuar në mediumin online Paparaci. “Prokurori i Shtetit siguron opinionin se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore lidhur me pretendimet e paraqitura sot në media, dhe çfarëdo shkelje eventuale do të këtë reagime ligjore”, tha KPK-ja.

Organi kryesor i akuzës tha se nuk do të lejojë cenimin e integritetit të sistemit prokurorial.

Protagonisti i skandalit, Driton Gashi është fshehur prapa skandalit.

Rreth dy muaj pas publikimit të hulumtimit që implikon atë në prodhimin e dy dëshmitarëve fiktivë për të dhënë dëshmi të rrejshme në gjykatë, ish-shefi i AKI-së ka heshtur.

Por, njeriu që dyshohet të ketë bashkëpunuar me të, ish-prokurori Sylë Hoxha, ka mohuar të ketë gisht në skandal.

Në një intervistë  në ditën e publikimit të aferës, Hoxha tha se “këto punë nuk bëhen nën kërcënimin e askujt”. Tha se ka kryer procedurën e përcaktuar si prokuror, sikurse në çdo lëndë tjetër.

“Kurrëfarë marrëveshje nuk kemi bo me askënd e kam zhvilluar proicedurën, janë shkresat e lëndës, janë procesverbalet dhe vendimet. Këto punë nuk bëhen me marrëveshje as nuk bëhen nën kërcënimin e askujt”, deklaroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat