PSD-ja largon flamujt para Qeverisë, vendos batanije në shtiza

Aktuale

PSD-ja largon flamujt para Qeverisë, vendos batanije në shtiza

Më: 24 dhjetor 2021 Në ora: 15:04
PSD-ja largon flamujt para qeverisë, vendos batanije në shtiza

Partia Socialdemokrate (PSD) ka vendosur batanije në shtizat e oborrit të Qeverisë të Kosovës, me të cilat ka zëvendësuar flamujt shtetëror, si shenjë pakënaqësie me mënyrën e menaxhimit të krizës energjetike nga ekzekutivi.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi tha para mediave se batanijet e vendosura janë simbol i dorëzimit të qeverisë Kurti përballë situatës energjetike.

Ajo tha se qeveria me të gjitha instrumentet e saj është vënë në shërbim të KEDS-it, dhe se reduktimet e paralajmëruara për dy orë, po zgjasin deri në 10 orë.

Kuçi: Batanijet e vendosura këtu, simbol i dorëzimit të qeverisë Kurti para krizës energjetike

“Sikurse flamuri i bardhë, i cili është simbol i dorëzimit, batanijet e vendosura sot këtu janë simbol i dorëzimit të Qeverisë Kurti përballë problemit me energjinë elektrike. Në kohën kur po përballemi me probleme dhe krizën më të madhe të energjisë në vend, kemi një kryeministër, i cili na udhëzon që mënyra për t’u mbrojtur nga të ftohtit është batanija. Në anën tjetër, kemi ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila fajin e hedhë tek njerëzit, të cilët po e përdorin rrymën për komoditet. Në anën tjetër kemi shefen e GP të LVV, Mimoza Kusari-Lila e cila ofroi edhe një zgjidhje tjetër për këtë problem, e cila është, reduktimi i rrymës për të zgjidhur këtë problem... Thënien se ‘do t’i kemi dy orë reduktime të energjisë elektrike në vend’, ndërsa kemi zona rurale, besa edhe në qytet, me deri në 10 orë reduktim të energjisë elektrike”, tha ajo.

Sipas saj, përderisa qeveria është vënë në shërbim të KEDS-it, qytetarët dhe bizneset kanë mbetur keq nga ndërprerjet e paparalajmëruara të energjisë.

Ajo dha edhe përkufizimin e PSD-së për qeverinë Kurti gjatë këtij viti.

Kuçi: Qiri dhe batanija do të jenë simbol i këtij dimri të ftohtë

“Nëse mund të përmblidhet një vit i kësaj qeverie unë do ta përmbledhja në tri etapa, unë do ta përmbledhja në tri etapa: një kohë e krizës me menaxhim të pandemisë, një rritje enorme e çmimeve, pra inflacionit, dhe pjesa e tretë, të ftohtit dhe mungesa e energjisë elektrike. Sigurisht që, qiri dhe batanija do të jenë simbol i këtij dimri të ftohtë, do të jenë simbol i një ekonomie të shkatërruar dhe simbol i një qeverie të dështuar”, tha ajo.

Ditë më parë, PSD ka mbajtur aksion edhe para KEDS-it.

Image
Natyra Kuçi
Image
PSD-ja vendos batanije në shtiza

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat