Kastrati nuk pendohet për reformën 2-vjeçare që Rahimaj ia “rrëzoi” me një nënshkrim

Aktuale

Kastrati nuk pendohet për reformën 2-vjeçare që Rahimaj ia “rrëzoi” me një nënshkrim

Më: 30 dhjetor 2021 Në ora: 16:52
Qëndron Kastrati

Pothuajse krejt beteja gati dy-vjeçare e Qëndron Kastratit për reformimin e arsimit në Kamenicë, është “rrëzuar” në një ditë. Atë e ka hedhur poshtë pushteti i ri në Komunën e Kamenicës. Kastrati, e ka quajtur “populist” dhe “të kundërligjshëm” vendimin e Kadri Rahimajt, pasardhësit të tij. 

Qëndron Kastrati nuk është penduar për nisjen e një beteje të gjatë, me shumë sfida, për reformën në arsim, edhe pse ajo është anuluar pjesërisht 27 ditë pas skadimit të mandatit të tij si kryetar i komunës.

Kadri Rahimaj, kreu i ri i Komunës së Kamenicës, shfuqizoi sot pjesërisht reformën në arsim të nisur nga paraardhësi i tij, Qëndron Kastrati. Vendimi i shefit të ri të komunës, u nxor rreth tri javë ditë pas ngjitjes së tij në pushtetin lokal të Kamenicës.

Në një deklarim përmes telefonit të enjten, Kastrati e cilësoi të pritshëm vendimin e nxjerrë sot nga pasardhësi i tij, qasjen e të cilit në raport me reformën në arsim e vlerësoi “elektorale”. Por, vendimin e cilësoi “të kundërligjshëm”.

“E para: ky vendim është kundërligjor dhe e dyta: është në kurriz të një edukimi më cilësor”, tha Kastrati të enjten. “Kjo qasje është elektorale, ashtu siç [Kadri Rahimaj, v.j] e ka thënë edhe gjatë fushatës, e ka realizuar në fillimin e mandatit të tij qeverisës.”

Sipas Kastratit, reforma në arsim të cilën ai e ka nisur më 2020 me premisat për ofrimin e shërbimeve cilësore të arsimit në komunë, është e mbështetur në ligj.

Kësisoj, thotë ai, shfuqizimi i vendimeve në kuadër të reformës së arsimit në komunë parasheh shkelje të ligjit.

“Nëse i sheh vendet më të zhvilluara numrin e nxënëseve në klasa e kanë prej 20 deri në 25 nxënës, të rregulluara me ligje. Edhe Kosova e ka të rregulluar me ligj që numri i nxënësve nëpër klasa duhet të jetë deri në 30 nxënës”, tha ish-kreu i Komunës së Kamenicës.

Vendimi i sotëm i komunës kundër reformës në arsim të nisur nga Kastrati, kanos një “rrezik të përgjithshëm” për stafin dhe nxënësit e disa prej shkollave, ka thënë ish-kryetari i Kamenicës.

“Disa prej objekteve të institucioneve arsimore të përfshira në vend nuk kanë as pranim teknik dhe si pasojë, kjo shkakton rrezik të përgjithshëm për mbarëvajtjen e mësimit”, tha Kastrati.

Pothuajse e gjithë beteja gati dy-vjeçare e Qëndron Kastratit me komunitetet lokale që kundërshtonin reformën dhe me nivelin qendror të qeverisjes, është “rrëzuar” në një ditë. Me një firmë të hedhur në letër nga kryetari i ri, Kadri Rahimaj.

Megjithatë, për të “lufta” nuk ka përfunduar. Kastrati ka paralajmëruar ndërmarrjen e hapave ligjorë kundrejt vendimit të Rahimajt, veprimet e të cilit, sipas tij, pasqyrojnë fatkeqësinë e mënyrës së politik-bërjes në Kosovës.

Kastrati ka akuzuar Rahimajn për vënien në rrezik të së ardhmes së fëmijëve të Kamenicës.

“Kjo është fatkeqësia në Kosovë që kemi politikanë dhe subjekte politike të cilat kanë qasje populiste, me qasje për të marrë një grusht votash dhe mund të ia shkatërrojnë të ardhmen fëmijëve dhe qytetarëve”, thotë Kastrati.

Kastrati, nuk gjen arsye pendese për veprimet e tij kundrejt reformës që e shihte aq të nevojshme për nxënësit, ndonëse thotë të jetë në dijeni për koston elektorale që rrodhi si pasojë e saj.

“Unë ndihem shumë mirë që kam kontribuar në këtë reformë”, shprehet ish-kryetari. “Jam prej atyre që populizmi nuk më determinon atë çka konsideroj se është e drejtë. Unë e kam ditur se do të ketë kosto elektorale, por në anën tjetër ndihem mirë për veprimet e mia, të cilat konsideroj se kanë qenë në të mirë të qytetarëve”.

Rahimaj, anë anën tjetër, nuk është konsultuar me Kastratin para nxjerrjes së vendimit për shfuqizimin e pjesshëm të reformave për të cilat komuna – e udhëhequr nga ish-kryetari – zhvilloi një betejë të gjatë burokratike, ligjore e administrave.

Kastrati, tha se komunikimi i fundit i tij me pasardhësin e tij mbi reformën në arsim i takonte ditës kur ai dorëzoi detyrën.

“E kam lënë një letër dhe e kam njoftuar se shfuqizimi i reformave në arsim është i kundërligjshëm”, shpjegoi Kastrati.

Rahimaj, i shfuqizoi pjesërisht vendimet e ish-kryetarit Kastrati, për riorganizimin e arsimit në Kamenicë.

Sipas një njoftimi për media, kjo është bërë me propozim të Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe këtë propozim e ka aprovuar Rahimaj.

“Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, ka aprovuar propozimin e DKA-së, dhe bazuar në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale (Nr.03/L-040) më saktësisht Nenet 13 dhe 58 si dhe Nenit 78 të Statutit Sh.01.Nr.005/2008 të datës 26.09.2008 dhe vendimit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Statutit Sh.01.Nr.15/2010 të datës 31.05.2010 të Komunës së Kamenicës, Neni 53 paragrafi 1,2 dhe 3 të Ligjit Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative”, thuhet më tej në një njoftim për media.

Mbi 400 nxënës nuk kishin vazhduar mësmin në disa shkolla të Kamenicës, pas vendimit për reformën në arsim nga ish-kryetari, Qendron Kastrati.

Kjo kishte filluar edhe me një betejë në Gjykata mes Kastratit dhe prindërve, si pasojë e mospajtimeve për këtë reformë. Komuna e Kamenicës kishte ushtruar padi ndaj 23 prindërve që nuk kishin dërguar fëmijët e tyre në shkollë.

Gjykata Supreme, në korrik të këtij viti kishte konstatuar se 23 prindërit nga Kamenica që nuk e respektuan vendimin e Komunës së Kamenicës për ‘reformën’ në arsim kanë kryer kundërvajtje.

Drejtoria Komunale e Arsimit në Kamenicë më datë 11 shkurt 2020 kishte iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj 23 prindërve nga fshatrat e Kamenicës që nuk iu bindën vendimit të ish-kryetarit Qëndron Kastrati për t`i dërguar fëmijët në shkollat e përcaktuara nga komuna.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat