Falsifikimi në tenderin milionësh – ndiqen penalisht tre biznesmenë, ja emrat

Aktuale

Falsifikimi në tenderin milionësh – ndiqen penalisht tre biznesmenë, ja emrat

Më: 31 dhjetor 2021 Në ora: 17:12
Ilustrim

Tre biznesmenë nga Kosova mund të përfundojnë në burg mbi dyshimet për keqpërdorime të kryera në një proces tenderues publik të vlefshëm 1.3 milion euro.

Sipërmarrësit Gent Pupa, Sahin Skeya dhe Bekim Syla, akuzohen për përfitimin e një kontrate publike nga Komuna e Prizrenit përmes falsifikimit të dokumenteve.

Gent Pupa dhe Sahin Skeya, pronarë të kompanisë private “NABS” Sh.P.K. dhe Bekim Syla, pronar i kompanisë “Cons ENG”, dyshohet se përfituan jashtëligjshëm kontratën që peshonte 1.3 milionë euro.

Me dokumente fiktive, “NABS” Sh.P.K, e ndihmuar nga “Cons ENG”, dyshphet se përfitoi kontratën për instalimin e ndriçimit publik në Komunën e Prizrenit.

Dyshimet për keqpërdorime në tenderin milionësh, kanë aktivizuar Prokurorinë e Shtetit.

Organi i akuzës ka ngritur të premten aktakuzë kundër Pupës dhe dy të tjerëve nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve – personave juridik dhe G.P., S.S., B.S., – persona përgjegjës në kuadër të personave juridik, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik dhe Falsifikimi i dokumenteve”, njoftoi Prokuroria të premten.

Sipas aktakuzës, Gent Pupa dhe Sahin Skeya, afaristë nga Prizreni, kanë shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertimit për tenderin e vlefshëm 1.3 milion euro. Akuzohen se kanë paraqitur dokumente të rreme me qëllim të mashtrimit në këtë tender.

“Me qëllim të plotësimit të kushteve për pjesëmarrje në tender, për ta dëshmuar kapacitetin teknik dhe profesionale të biznesit, prezantojnë faturën fiktive të datës 01.05.2020, kinse kanë në pronësi semafor mobil për menaxhimin e trafikut në rrugë, si dhe prezantojnë listën fiktive të punëtorëve kinse i kanë 10 (dhjetë) punëtorë të punësuar,  me të cilin veprim arrijnë të bindin autoritetin kontraktues dhe përfitojnë lidhjen e kontratës të datës 22.02.2021, me ç’rast përfitojnë në vlerë të kontratës në shumën prej 1,394,853.90 €uro”, thuhet në aktakuzë.

Ndërkaq, Bekim Syla dyshohet se si drejtor i kompanisë “CONS ENG”, i ka lëshuar një faturë fiktive firmës private që përfitoi tenderin milionësh të Komunës së Prizrenit.

“Po ashtu, të pandehurit G.P., dhe S.S., si pronarë dhe persona përgjegjës të personit juridik në kuadër të veprimtarisë së tyre afariste, me dije përdorin dokumentin e falsifikuar si origjinal, ashtu që paraprakisht merren vesh me të pandehurin B.S., si pronar i personin juridik, ku ky i pandehur iu lëshon faturën e datës 01.05.2020 me përmbajtje të rreme”, thuhet në aktakuzë.

Keqpërdorimet e dyshuara në këtë aktivitet të prokurimit publik u raportuan nga Organizata jo-qeveritare, AVONET, vitin e kaluar.

Siç raportoi AVONET-i, Komuna e Prizrenit i dha operatorit ekonomik “NABS” Sh.P.K. kontratë me vlerë 1,394.853.90 euro, me dokumente fiktive në procesin e instalimit të ndriçimit publik në këtë komunë.

AVONET, në monitorimin e rastit, kishte verifikuar pranë ATK-së faturën e dyshuar si të falsifikuar nga firma private “NABS” Sh.P.K.. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat