​Osmani bën thirrje për unitet: Pavarësisht dallimeve të gjithë duam një Kosovë të begatë

Aktuale

​Osmani bën thirrje për unitet: Pavarësisht dallimeve të gjithë duam një Kosovë të begatë

Më: 31 dhjetor 2021 Në ora: 18:33
Foto ilustrim

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në adresimin e saj për fundvit tha se viti që po e lëmë pas është karakterizuar me sfida të mëdha globale dhe të brendshme, porse mbetem shpresëplotë për të ardhmen si vend dhe si popull duke u shprehur e bindur se ditët më të mira janë përpara.

Presidentja Osmani deklaroi se qytetarët e Kosovës meritojnë një qeverisje të mirë dhe se institucionet janë duke punuar që përfaqësimi të jetë me integritet si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Osmani: Qytetarët meritojnë qeverisje të mirë

“Në fillim të këtij viti qytetarët tanë votuan për një ndryshim të rëndësishëm. Natyrisht, pritshmëritë tuaja janë të larta, sepse ju meritoni një qeverisje të mirë që funksionon në interesin tuaj. Pavarësisht sfidave të shumta, me të cilat janë ballafaquar vendet nga e gjithë bota, dua t'ju siguroj se institucionet e vendit tonë po punojnë ditë e natë për t'ju përfaqësuar me integritet, brenda apo jashtë vendit. Por, mbi të gjitha, dua t'ju them se ne po punojmë shumë për ta siguruar një jetë më të mirë dhe më të dinjitetshme për të gjithë në mbarë vendin”, u shpreh Osmani.

Pasi ka falënderuar qytetarët për kontributin për një vend më të mirë, Osmani ftoi për unitet duke thënë se jemi shumë pak për të qenë të ndarë dhe se pavarësisht dallimeve që mund të kemi na bashkon qëllimi për një Kosovë më të begatë. 

Osmani: Duhet të veprojmë si të bashkuar 

“Në kohë vështirësish, ne duhet të përpiqemi të shohim përtej vetvetes dhe të fillojmë të veprojmë sa më të bashkuar sepse ne jemi shumë pak për të qenë të ndarë. Qoftë në shtëpi apo në punë, qoftë në luftimin e pandemisë apo mbrojtjen e mjedisit, në kohë si këto, ne duhet të punojmë shumë për ta kultivuar dhe përqafuar ndjenjën e unitetit. Kjo ngase, ne mund të kemi dallime politike apo dallime botëkuptimesh, por besoj fuqishëm se të gjithë e kemi të njëjtin synim final: ta shohim Kosovën si një vend të begatë dhe me mirëqenie të lartë ku të gjithë ndihen krenarë, duke e konsideruar shtëpi të tyre. Nuk kam dyshim që nëse punojmë së bashku, mund ta arrijmë këtë, por edhe më shumë se kaq”, deklaroi Osmani. 

Në fund, Osmani uroi me dëshirat më të mira të gjithë qytetarët e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat