Vrasjet makabre që tronditën Kosovën gjatë 2021-ës

Aktuale

Vrasjet makabre që tronditën Kosovën gjatë 2021-ës

Më: 1 janar 2022 Në ora: 10:35
Gani Gjokaj, Ledion Hamzaj dhe Gentiana Mustafaj.

Viti 2021 ishte një vit i përgjakur për Kosovën. Vrasje të shumta përgjatë këtij viti tronditën vendin, e në mesin e tyre ishte vrasja e 18-vjeçares Marigona Osmani dhe tragjedia e trefishtë e nëntorit në Gllogjan.

Mbrëmjen e 26 nëntorit Kosova u trondit nga një vrasje makabre që ndodhi në Gllogjan të Deçanit. Autobusi me nxënës që po udhëtonte nga Gjakova për në Gllogjan u qëllua me kallashnikov, ku të vrarë mbetën shoferi i autobusit Gani Gjokaj dhe dy nxënës Ledion Hamzaj dhe Gentiana Mustafaj.

Policia e Kosovës ka arrestuar tre të dyshuar lidhur me këtë vrasje, të cilët aktualisht ndodhen në paraburgim. Të arrestuarit janë  H.M. dhe dy djemtë e tij, K. dhe M. M. nga Gllogjani.

Motivet e këtij sulmi, bazuar në burimet lidhen me një rast të vetëvrasjes të një vajze (emër i njohur për redaksinë) nga Gllogjani, pjesëtare e familjes së të dyshuarve për vrasjet.

Mirëpo, vrasja në Gllogjan nuk ishte e vetmja që tronditi Kosovën gjatë këtij viti. Rajoni i Dukagjinit u trondit edhe nga një tjetër vrasje në shtator.

Në Pejë ndodhi një vrasje e dyfishtë. Në këtë qytet pas të shtënave me armë zjarri të vrarë mbeten kandidati i PDK-së për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj dhe ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Deçanit,Blerand Kadiraj ndërsa mbeti i plagosur vëllai i këtij të fundit.

Astrit Ademaj dyshohet se u vra nga Blerand Kadriaj, kurse Blerandi dyshohet se u vra nga vëllai i Astritit, Avniu.

Zyrtarish s’dihet motivi i këtij rasti, por sipas familjarëve të Astrit Ademajt, vrasja ka ndodhur për motive politike.

Kosova u trondit edhe nga një krim makabër Në gusht të këtij viti që ndodhi në Ferizaj. 18-vjeçarja Margona Osmani u soll pa shenja jete në Spitalin e Ferizajt.

Ajo dyshohet se vdiq si pasojë e torturave fizike që për dy ditë ia kishte shkaktuar personi që po bashkëjetonte me të, Dardan Krivaqa, që tashmë është në paraburgim. Por, krahas Krivaqës i arrestuar për këtë krim makabër është edhe Arbër Sejdiu.

Por as muaji mars nuk ishte i qetë sa u përket krimeve të rënda në Kosovë. Me 13 mars në orët e para të mëngjesit, në lagjen “Emshir” të Prishtinës u gjenden pa shenja jete një grua 44-vjeçare dhe një mashkull po ashtu 44-vjeçar. Bëhet fjalë për një vrasje nga ish-bashkëshorti, që vrau gruan dhe më pas veten.

Një tjetër vrasje e rëndë që u krye sivjet ishte edhe ajo e Albert Krasniqit, i cili u vra nga babai i tij, Skënder Krasniqi. Ai është shpallur fajtor dhe dënuar me 3 vite e pesë muaj burgim për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.

Rasti kishte ndodhur më 27 janar të këtij viti, rreth orës 17:00. Skënder Krasniqi e kishte telefonuar vetë Policinë e Kosovës, për të raportuar se e kishte vrarë djalin. Pas tragjedisë, ai kishte qenë në gjendje të rëndë emocionale.

Natën e Vitit të Ri një vrasje tejet e rëndë ndodhi në Pozhoran të Vitisë. Atje për familjen Zuka pushimet u kthyen në tragjedi. Kryefamiljari dyshohet se vrau gruan dhe dy djemtë e më pas edhe veten. Familja kishte ardhur për pushime nga Zvicra

Vrasja e fundit që ndodhi këtë vit ishte ajo e Ali Malokut në Mitrovicë i cili u vra në dyqanin ku aji punonte. Për këtë rast policia ka arrestuar dy persona, 19-vjeçarin dhe 30-vjeçarin me inicialet M.H dhe G.R,.

Aktualisht të dy ndodhet në paraburgim, ndërkohë që vrasja ishte kryer pasi këta të fundit kishin hyrë për të vjedhur në dyqanin e viktimës.

Sipas statistikave të Policisë, deri në gusht të këtij viti janë kryer 19 vrasje, prej të cilave 12 kanë qenë të rënda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat