Krasniqi flet për mungesën e barnave e listat e pritjes: Ky vit më i lehtë sa i përket COVID-it

Aktuale

Krasniqi flet për mungesën e barnave e listat e pritjes: Ky vit më i lehtë sa i përket COVID-it

Më: 1 janar 2022 Në ora: 13:00
Valbon Krasniqi

​COVID-19 ishte kryefjalë edhe në vitin që shkoi, mirëpo viti 2022 pritet të jetë më i përballueshëm sipas drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi. Në një intervistë, ai flet për ankesat për mungesë të barnave esenciale, pritjet e gjata për ndërhyrje kirurgjike, projektet që realizuan si dhe zgjedhjen e drejtorëve të rinj të klinikave të Qendrës Klinike Universiate të Kosovëës (QKUK) dhe atyre të spitaleve rajonale.

Përkundër që në vendin tonë tashmë janë shënuar rastet e para me variantin Omicron, i cili karakterizohet për përhapje më të shpejtë, Krasniqi beson se viti 2022 do jetë vit më i lehtë sa i takon pandemisë COVID-19.

Krasniqi: 2022, vit më i lehtë pandemik

“Unë besoj që bota edhe Kosova do ta ketë një vit më të lehtë sa i përket pandemisë marr parasysh shumë faktorë, në radhë të parë tashmë njohuritë që i kemi për virusin, vaksinimin që e kemi në dorë si armë dhe me zbatimin e masave që tashmë janë të njohura sigurisht që bota pres që të kalojë një vit më të qetë”, u shpreh Krasniqi.

Drejtori i ShSKUK-së në një intervistë për KosovaPres ka thënë se gjatë këtij viti kanë arritur që pacientëve t’u sigurojnë shumicën e barnave nga lista esenciale.

Sipas tij, mungesat e herëpashershme kanë ndodhur për shkak të çrregullimeve të shkaktuara në treg nga pandemia COVID-19.

Krasniqi: Shumica dërrmuese e barnave kanë qenë në dispozicion

“Shumica dërrmuese e barnave gjatë tërë periudhës vjetore pothuajse kanë qenë në dispozicion, sigurisht që ka mungesa të herëpashershme për disa barna, por ato që janë më esenciale dhe më vitale për pacientët kanë qenë në dispozicion gjatë gjithë vitit. Mungesat e herëpashershme që paraqiten për arsye nga më të ndryshmet, pjesa më e madhe, qoftë për shkak të pamundësisë së sjelljes së barnave nga operatorët ekonomikë, qoftë për shkak të mungesës së tyre në treg, ju e dini që gjatë vitit ka pasur mungesa të insulinave, ka pasur mungesë të fraksiparinave edhe në tregun privat, dhe kjo sigurisht është shkaktuar si pasojë e çrregullimeve që kanë ndodhur në botë për shkak të pandemisë COVID. [...] Por në përgjithësi, ky vit karakterizohet me furnizim shumë më stabil, shumë më të qëndrueshëm dhe në masën shumë më të madhe sesa vitet paraprake”, theksoi ai.

Stabilitet në furnizim me barna nga lista esenciale, Krasniqi premton edhe gjatë vitit 2022 pasi që Qeveria e Kosovës ka ndarë 30 milionë euro. Ai thekson se buxheti për ShSKUK-në i paraparë për këtë vit është më i lartë sesa ai i vitit të kaluar.

Krasniqi: Buxheti krijon siguri rreth furnizimit me barna esenciale

“Edhe për vitin 2022 është paraparë një buxhet më i lartë sesa vitin paraprak dhe ajo çka është e mirëseardhur për neve është fakti se në listën esenciale të barnave planifikohet t’i kemi rreth 30 milionë euro, që është dukshëm më shumë sesa vitet paraprake. Megjithatë, përkundër kësaj rritjeje, nevojat e institucioneve shëndetësore janë shumë më të mëdha dhe ne presim që në rast nevoje dhe në rast se paraqiten kërkesa imediate atëherë ky buxhet të shtohet gjatë vitit të ardhshëm. Por, për momentin janë 30 milionë euro që neve na krijojnë një siguri dhe një stabilitet sa i përket furnizimit me barna nga lista esenciale”, u shpreh Krasniqi.

Pacientët në Kosovë ende po ballafaqohen me pritje të gjata për ndërhyrje kirurgjike në shumë klinika të QKUK-së.

Krasniqi thotë se listat më të gjata të pritjes janë në Klinikën Vaskulare dhe atë të Ortopedisë, megjithëse, sipas tij, në shumë klinika kanë arritur që ta stabilizojnë gjendjen dhe pritjet janë minimale.

Për drejtorin e ShSKUK-së, faktorët që po ndikojnë në listat e gjata të pritjeve janë kapacitetet e vogla të sallave kirurgjike dhe furnizimi me material të nevojshëm shpenzues.

Krasniqi: Në Klinikën Vaskulare dhe të Ortopedisë kemi listat më të gjata të pritjes

“Listat e pritjes janë rezultat edhe i krijimit të këtyre listave edhe më herët, ne kemi gjetur listë të pritjes që nga viti 2017-2018 në disa shërbime dhe sigurisht pandemia e ka përkeqësuar këtë. Por megjithatë në disa klinika kemi arritur që të zvogëlojmë listat e pritjes siç është për shembull Klinika e Pulmologjisë, Klinika e Kirurgjisë Abdominale ku pothuajse listat e pritjes tani janë shumë minimale. Listat më të gjata të pritjes vazhdojmë t’i kemi në Kirurgjinë Vaskulare dhe në Klinikën e Ortopedisë pa përjashtuar edhe disa klinika të tjera por në këto klinika po them edhe njëherë se kemi gjetur lista që nga viti 2017-18. Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare është duke u punuar me intensitet më të shtuar, po ashtu edhe në njësinë e Kardiokirurgjisë Invazive në koronarografi është duke u punuar po ashtu me një intensitet më të shtuar që pas uljes së rasteve me COVID, ndërkohë që në Klinikën e Ortopedisë jemi duke investuar në ndërtimin e aneksit të Klinikës për të shtuar numrin e sallave dhe po ashtu jemi në funksionalizim të njësisë spinale në Ortopedi”, deklaroi drejtori i SHSKUK-së.

Duke folur për projektet e realizuara gjatë vitit 2021, Valbon Krasniqi u shpreh se kanë arritur që të funksionalizojnë aparatin e CT-së në Spitalin e Gjakovës, në Spitalin e Ferizajt dhe atë të Vushtrrisë, ndërsa thekson se tashmë të gjitha spitalet janë pajisur edhe me aparaturën e mamografisë.

Derisa ka renditur disa nga projektet që kanë arritur t’i realizojnë, drejtori i ShSKUK-së shprehet se projekti për IVF nuk është finalizuar në mungesë të buxhetit.

Krasniqi: Kemi arritur të realizojmë shumicën e projekteve

“Kemi filluar për herë të parë me shërbimet e Brideterapisë në janar të këtij viti një terapi që përdoret për trajtimin me rreze të organeve gjenitale tek femrat. Kemi arritur po ashtu të ngrisim kapacitetet në diagnostikimin e kancerit të gjirit në fazën zero madje edhe me metodën e hibridizimit që nuk ka qenë në të kaluarën për shërbimet që janë aplikuar për herë të parë në institucionet tona publike. Javën e kaluar kemi arritur që të bëjmë intervenimin e studimit elektrofiziologjik të zemrës dhe rregullimin e ritmit me ablacion për herë të parë në institucionet publike të pesë pacientëve, për fat të mirë kanë kaluar mirë në këto procedura dhe janë në shtëpi. Pra, krahas pandemisë, ne jo vetëm që i kemi mirëmbajtur shërbimet që kanë qenë ekzistuese por kemi futur edhe shërbime të reja për herë të parë. Nuk kemi arritur që të funksionalizojmë shërbimin e IVF-së, kemi arritur të ndërtojmë infrastrukturën, kapacitet e njerëzve që kemi, ndërkohë që në mungesë të mjeteve buxhetore për të blerë pajisjet mjekësore nuk kemi arritur ta funksionalizojmë, por po shpresojmë që gjatë vitit të ardhshëm do gjejmë buxhet për të blerë pajisjet mjekësore”, tha ai.

Në fund të vitit të kaluar u zgjodhën edhe drejtorët e shumë prej klinikave të QKUK-së, të cilët udhëhiqeshin prej vitesh me ushtrues detyre. Krasniqi tha se synon që gjatë këtij viti të emërojë edhe drejtorët e spitaleve rajonale dhe shefat e reparteve që janë me ushtrues detyre.

Krasniqi: Vitin e ardhshëm planifikojmë zgjedhjen e drejtorëve të spitaleve rajonale

“Ne planifikojmë që të vazhdojmë me konkurse edhe për drejtorët e spitaleve të përgjithshme pasi edhe aty kemi nga 7 spitalet, 6 i kemi me ushtrues detyre dhe do të vazhdojmë shumë shpejt me shpalljen e konkursit dhe në të njëjtën kohë në klinikat e QKUK-së do të vazhdojmë me shpalljen e konkursit për ushtrues detyre të shefave të reparteve e kam fjalë që ka me vite të tëra që ushtrojnë këtë funksion dhe ne i kemi kushtuar rëndësi dhe e kemi pjesë të reformës në menaxhimin e institucioneve shëndetësore që secila pozitë menaxheriale të ketë të themi persona kompetent të zgjedhur dhe të aftë përmes konkursit në një garë konkurse dhe mos të vazhdojnë të mbesin me ushtrues detyre siç kanë qenë në të kaluarën”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat