Albin Kurti a do të bëjë marrëveshje me Serbinë gjatë mandatit të tij?

Aktuale

Albin Kurti a do të bëjë marrëveshje me Serbinë gjatë mandatit të tij?

Më: 1 janar 2022 Në ora: 13:05
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti javën që shkoi tha se një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të arrihet brenda mandatit të tij qeverisë.

Mirëpo, njohësit e rrethanave politike në vend po e shohin me skepticizëm arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë gjatë kësaj kohe.

Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri thotë se kohëve të fundit dy palët e dialogut janë mjaftë të larguara dhe një marrëveshje e tillë mes dy vendeve vështirë se do të arrihet në mandatin e Kurtit.

‘’Është evidente se palët e dialogut tashmë janë më të larguara, tash kur është problem edhe aranzhimi i një takimi të një niveli të lartë e lëre më arritja e ndonjë marrëveshje, sepse BE-ja e ka problem edhe uljen në një tavolinë të Kurtit dhe Vuqiçit dhe kjo tregon se sa vështirë është të arrihet ndonjë marrëveshje’’, tha Muhaxhiri.

Ai e sheh si problematike arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë gjatë mandatit të Kurtit, pasi sipas tij, idetë dhe qëndrimet e kryeministrit janë në shpërputhje me qëndrimet ndërkombëtare dhe me realitetin.

‘’Kryeministri Kurti edhe sa ishte si kryeopozitar ka pas një qasje tejet të ashpër ndaj procesit të dialogut dhe të marrëdhënieve me Serbinë. Ka pasur shumë ide që kanë qenë shumë në shpërputhje edhe me qëndrimet ndërkombëtare e edhe me realitetin e tani ai e ka shumë të vështirë që ta bëjë një transformim radikal dhe t’iu përshtatet rrethanave të reja prandaj ka gjasa minimale që gjatë mandatit të tij të arrihet një marrëveshje me Serbinë’’, u shpreh Muhaxhiri.

Një marrëveshje historike me Serbinë dhe njohje nga ky vend, sipas Artan Muhaxhirit do të mund të arrihej vetëm nëse do të kishte investime e kompromise nga të dyja palët.

‘’Për t’u arritur një marrëveshje e përmasave të tilla historike duhet shumë investim e kompromise nga të gjitha palët dhe aktualisht kjo nuk është duke u parë. E ashtu edhe njohja e Kosovës nga Serbia nuk është realiste të pritet para se të fillojë etapa finale e dialogut e cila assesi nuk do të bëhet pa fuqizim të dialogut fillimisht’’, përfundoi Muhaxhiri.

Ndërkaq, ndryshe nga Muhaxhiri, analisti politik, Ilir Ibrahimi thotë se nëse Kurti do të merrte një rol konstruktiv në dialog dhe në anën tjetër edhe me një angazhim të administratës amerikane, edhe mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë.

‘’Deklarata e Kryeministrit Kurti se marrëveshja me Serbinë do të arrihet në mandatin e tij është inkurajuese. Uroj që kryeministri ta sheh këtë si mundësi reale dhe të marrë një rol konstruktiv në dialog. Duke pasur parasysh që edhe administrata amerikane po dërgon një ekip diplomatësh me përvojë, besoj me një qasje proaktive dhe konstruktive, kjo mund të arrihet’’, u shpreh Ibrahimi.

Për një njohje të Kosovës nga Serbia, Ibrahimi thotë se arrihet me presionin që mund t’i bëhet Serbisë nga palët ndërkombëtare. Sipas tij, pa njohje nuk mund të ketë përparime as në rajon.

“Serbia deklarativisht vazhdon ta mbajë qëndrimin se kurrë nuk do ta njohë Kosovën por praktikisht, gjithnjë e më tepër po shihet se pa arritjen e kësaj marrëveshjeje, rajoni nuk po mund të ec përpara. Këtë e ka të qartë edhe Serbia, e ajo që është me rëndësishme, këtë e ka të qartë edhe Brukseli e Washingtoni. Me presionin e duhur ndaj Serbisë, dhe me qartësimin e qëndrimit për të ardhmen e rajonit, besoj që edhe Serbia do ta shoh dhe pranojë realitetin’’, përfundoi Ibrahimi.

Një takim mes palës së Kosovës dhe Serbisë së fundi u mbajt më 15 dhjetor në Bruksel për targat mes dy vendeve.

Kujtojmë se që nga shtatori Qeveria e Kosovës kishte vendosur reciprocitet për targat e Serbisë. Ndërsa në tetor kishte filluar vendosja e tiketave ngjitëse në targat e veturave nga Serbia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat