A do të dërgohet Njësia Speciale në veri për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave?

Aktuale

A do të dërgohet Njësia Speciale në veri për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave?

Më: 4 janar 2022 Në ora: 14:34
Njësia Speciale

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se e ka ndaluar prodhimin e kriptovalutave në Kosovë. Këtë vendim, Rizvanolli ka thënë se e ka marrë bazuar në rekomandimet e Komitetit Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.

Por, veriu i Kosovës, përkatësisht komunat e populluara me qytetarë serbë në Mitrovicën e Veriut, njihen si “fabrika” të prodhimit të kriptovalutave dhe nuk i përfillin vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Kurti, i cili së shpejti i bën një vjet në krye të ekzekutivit, pa ndonjë sukses në qeverisjen e tij, tani është në kërkim të vazhdueshëm të veprimeve populiste.

Aksionet në veri, shumica e të cilave ishin gjatë fushatës elektorale në vitin që lamë pas, ishin mburrja kryesore e Qeverisë Kurti.

Megjithatë, ditë më parë, vetë ministri Xhelal Sveçla kishte alarmuar për “rrjedhje të informacioneve”, pas një aksioni të zhvilluar në Komunën e Zubin Potokut, me ç’rast ishin kontrolluar tri lokacione/hapësira të dyshimta për aktivitete të jashtëligjshme të minimit të kriptovalutave.

“Në një nga lokacionet është vërejtur infrastruktura por mungonin pajisjet për këtë veprimtari të jashtëligjshme. Duke marrë parasysh këtë fakt, Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetime intensive për rrjedhje të informatës zyrtare. Ftoj të gjithë qytetarët tanë që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës duke lajmëruar çfarëdo veprimtarie joligjore, të kujtdo qoftë, duke kontribuar kështu drejtpërdrejtë në sundimin e ligjit për të gjithë dhe kudo në Kosovë”, kishte shkruar Sveçla.

Edhe ministrja Rizvanolli ka thënë se institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e kriptovalutave në lokacionet e identifikuara ku bëhet prodhimi i tyre.

“Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave. Këto obligime kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Rizvanolli. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat