Valbon Krasniqi: Përhapja e shpejtë e bën Omicronin të rrezikshëm

Aktuale

Valbon Krasniqi: Përhapja e shpejtë e bën Omicronin të rrezikshëm

Më: 6 janar 2022 Në ora: 18:01
Valbon Krasniqi

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka thënë se përhapja e shpejtë e variantit Omicron të COVID-19, e bënë këtë variant të rrezikshëm.

Ai ka thënë se ky virus po prek rrugët e sipërme të frymëmarrjes, por që po prek shumë më pak mushkëritë.

“Është ende në studime për sa i përket karakteristikave, duket që ky variant i virusit ka fituar disa aftësi të transmetimit më të shpejtë dhe më të lehtë dhe të infektojë në masë më të madhe popullatën. Megjithatë studimet e para flasin për mundësi më të vogla të virusit që të shkaktoj forma më të rënda të virusit. Duket që virusi të ndalet më tepër në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, të shkaktojë trakoite dhe bronhite dhe shumë më pak infeksione të rrugëve të poshtme të mushkërive, rrallë pneunomi”, ka deklaruar ai.

Tutje Krasniqi ka thënë se sa më gjatë që qëndron COVID-19, aq më të shpeshta mund të jenë mutacionet e tij.

“Ne kemi thënë që nga fillimi i pandemisë, që përderisa virusi gjen popullatë receptive, popullatë në të cilën mund të mbijetojë dhe të infektojë, mund të jetë prezent në mesin tonë. Sa më gjatë që jeton, aq më të mundshme dhe më të shpeshta mund të jenë mutacionet të cilat paraqiten dhe gjithmonë është mundësia të paraqiten variante të reja të virusit”, ka shtuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat