Nga pushkatimet tek shpenzimet e larta, përgjimet, poshtërimet e agjentëve të Sigurimit të Shqipërisë

Aktuale

Nga pushkatimet tek shpenzimet e larta, përgjimet, poshtërimet e agjentëve të Sigurimit të Shqipërisë

Nga: Idriz Morina Më: 9 janar 2022 Në ora: 13:00
Enver Hoxha, dhe mbështetësit e tij deri në vdekje dhe pastaj, si Ramiz Alia

Sa ishin shpenzimet e Shërbimit Informativ të Shqipërisë në vitin 1988 dhe kush e mbante rekordin e shpenzimeve për atë vit?

Në Shqipërinë e varfër, ku njerëzit ishin buzë ekzistencës, megjithatë kishte një buxhet jo të vogël për aparatin represiv të drejtuar nga Shërbimi Informativ.

Drejtoritë qendrore shpenzonin mbi 80% të buxhetit

Sipas të dhënave që i sjellë hulumtuesi Kastriot Dervishi, nën titullin ‘shpenzimet e fshehta të Sigurimit të Shtetit për vitin 1988’, duke e njohur strukturën e tij, Dervishi shkruan në faqen e tij në Fb, se gjatë atij viti buxhetit të shtetit i ka kushtuar 800 mijë dollarë amerikan. Ndërsa, përfitues kryesor ishin dy drejtoritë qendrore, që shpenzonin mbi 80% të buxhetit apo mbi 650 mijë dollarë në vit.

“Shpenzimet e fshehta të dy drejtorive të Sigurimit të Shtetit ishin 5.814.500 lekë (me kursin e atëhershëm të shtetit mbi 800 mijë dollarë). Shumën më të madhe, këtu e përfitonin dy drejtoritë në qendër (4.8 milionë)”, shkruan Dervishi.

Ajo që bie në sy, te zërat e shpenzimeve buxhetore është edhe emri zyrtar “bashkëpunëtorët e birucave”, ndërsa vetë detyrat bashkëpunëtorëve konsideroheshin “vullnetare dhe patriotike”, dhe se për ta kishte “vetëm ndonjë shpërblim për raste të veçanta”.

Ndërsa, sipas detyrave të Sigurimit të Shtetit, sipas dokumentacionit të pasqyruar nga Dervishi ishin: “1-Mbrojtja e kufijve; 2-Sigurimi i jetës së udhëheqësve të partisë e të shtetit; 3-Zbulimi, parandalimi, goditja e veprimtarisë armiqësore e keqbërëse; 4-Ruajtja e forcave të armatosura nga veprimtaria armiqësore e keqbërëse; dhe 5-Mbrojtja e ekonomisë socialiste”.

Pra, një nga detyrat ishte edhe ‘mbrojtja e ekonomisë socialiste”, e cila në Shqipëri kishte dekada që ishte e dështuar dhe madje po kthehej në fatalitet për vetë shtetin dhe shqiptarët.

Por, detyrat kryesore sigurimi i kishte në kualifikimin në pikën 8: “Dega e 8-të që ishte më e rëndësishmja, trajtonte: "të deklasuarit, klerin reaksionar, elementin antisocialist, elementin antiparti", si dhe: propagandën armiqësore, tendencën e terrorit dhe letrat anonime, kampet e burgjet, internim-dëbimet dhe pastërtinë e reparteve të policisë”, shkruan Dervishi.

Shërbimi Sekret i Shqipërisë, për herë të parë u krijua me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, me 1912, përkatësisht me 17 Dhjetor 1912, kur u mor vendimi për themelimin e Shërbimit Sekret Shqiptar. “Të organizohet një shërbim i msheftë për vise të shkeluna të Shqipërisë”, thuhej në vendim, i cili informacion citohet nga faqja e Shërbimit Informativ të Shqipërisë. Sipas tij vendimi, detyra e krijimit të tij iu dha disa vetave, ndërmjet të cilëve ishin Lef Nosi e Bajram Curri.

Në vitin 1922, ai quhej Sekretari Sekrete dhe, në vitet 1923-1939, Zyra Sekrete.

Ndërsa, pas Luftës së Dytë Botërore, “u krijua Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila funksionoi deri në vitin 1946, kohë kur u krijua Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Në vitin 1966 u bë riorganizimi në tre drejtime: Drejtoria e Parë e Kundërzbulimit, Drejtoria e Dytë e Udhëheqjes dhe Drejtoria e Tretë e Zbulimit Politik, struktura që u ruajtën deri në fillim të vitit 1991”.

Nga viti 1991 deri në vitin 1999, ai u quajt Shërbimi Informativ Kombëtar, ndërsa nga viti 1999 ndryshoi emrin.

“Në vitin 1999, me Vendimin nr. 61, datë 22.11.1999, të Gjykatës Kushtetuese, u ndryshua emërtimi, nga Shërbim Informativ Kombëtar (SHIK), në Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH)”, informacion që gjendet në vebfaqen e SHISH-it.

“Operativi Çerçizi piu urinën e operativit Birçe”

Një nga rastet më qesharake, dhe neveritëse që Dervishi ua sjellë në kujtesë shqiptarëve është, rasti që ai e ka titulluar si: “Shokët e Sigurimit, operativi Çerçizi piu urinën e operativit Birçe (ngjarje e vërtetë)”.

Ky rast tregon disa të vërteta, psikologjike, sociale dhe ekonomike.

Njerëzit e angazhuar në këtë shërbim, aq shumë ishin të stërvitur, për t’iu nënshtruar regjimit, sa që pranonin të kryenin detyrat në kundërshtim me kushtet më elementare të punës, të cilat ua cenonin drejtpërdrejt karakterin. Po ashtu këto rrëfime dëshmojnë për raportet sociale në shoqëri, mënyrën klasike të përgjimit të njerëzve në shtëpi dhe në institucione, duke e përcjellur nga ‘tavani’. Pra, një pasiguri totale e jetës.

Mënyra e përgjimit tregon po ashtu, gjendjen kritike ekonomike, ku spiunët, nuk kishin mjetet elementare për kryerjen e detyrës, nuk kishin banjo dhe as mundësi të improvizimit të saj.

“Nga mesi i viteve ‘60, shokët e teknikës operative të Sigurimit të Shtetit, për të ndjekur nga afër përgjimet që i bëheshin një të internuari antiparti, dërguan në Zvërnec dy shokë të specializuar. Vendi ku ndiqej përgjimi ishte shumë afër vendit ku banonte subjekti. Por, kushti ishte që shokët nuk duhej të dalloheshin që mos t’i shihte i internuari. Vendpërgjimi kishte krevat, ndonjë karrige por jo banjë. Kështu që në orë të caktuar, nevojat personale duheshin kryer me shpejtësi e vigjilencë të lartë revolucionare, ahere kur armiku nuk e kishte mendjen”, shkruan Dervishi.

Gjumi dhe kryerja e nevojave fiziologjike ishin problemi kryesor për spiunët.

“Me të mbërritur, shokët ndanë orarin e detyrave, njëri në përgjim e tjetri në gjumë. Gjatë kohës që Birçja po përgjonte kishte shumë nevojë të kryente nevojat personale, por detyra nuk duhej braktisur. U sforcua shumë, por në fund nuk duroi më. Një komunist i mirë i gjente vetë zgjidhjet. Për të mos dëmtuar procesin agjenturial -operativ dhe detyrat që i kish ngarkuar organizata bazë e partisë, Birçja pasi nuk kishte ku të urinonte, gjeti një zgjidhje rrethanore, mbushi kanën e ujit plot me urinën e tij. Çerçizi flinte e gërhiste. Kur dorëzoi turnin, Birçja harroi t’i thoshte Çerçizit se çfarë kish bërë dhe të kish kujdes me kanën mos ta provonte atë. Kur Birçja u zgjua, pa se kana ishte tharë e bërë bosh. Çerçizi i etur e kish pirë të gjithën. I habitur, Birçja e pyet. Çerçizi ia kthen: “Kisha shumë etje, por ky uji se ç’kishte një gjë të kripur, besoj ngaqë jemi afër detit”, shkruan Dervishi në njërin nga postimet e tij në fb.

“I lidhur duar e këmbë në pushkatim”

Por, këto mund të dukeshin gjëra të lehta dhe neveritëse, të njerëzve që ndoshta edhe i meritonin ato ndodhi, karshi atyre që do të nxirreshin për pushkatim.

Hulumtuesi Dervishi, ka sjellur në kujtesë edhe rregulloren se di do të silleshin policia ndaj një të dënuari me vdekje – pushkatim. Sipas saj, ata do të mbaheshin të lidhur këmbë e duar, por, varësisht prej rrethanave, duart mund t’i prangoseshin pas, me një zinxhir të fortë. Po ashtu këto rregulla vlenin edhe kur transportoheshin.

“Pjesë nga rregullorja mbi veprimet që kryheshin para, gjatë dhe pas ekzekutimit të vendimit të gjykatës ndaj të dënuarve me vdekje:

116 - Para se të nxirren nga dhomat e izolimit, të dënuarit i lidhen fort duart me hekura prapa me litar ose zinxhirë të gjatë, që mbahet nga një polic, kurse përgjegjësi i dhomave të izolimit dhe nënoficeri i rojës e mbajnë për krahu. Afër makinës vendosen në të dy krahët roje të armatosura, ndërsa sipër saj, qëndrojnë dy policë të tjerë. Sapo të hipin në makinë, të dënuarit i lidhen fort edhe këmbët me hekura ose zinxhirë. Pas kësaj hipin në makinë edhe forcat e tjera, të cilat qëndrojnë në të dy krahët e makinës deri në fund të saj, kurse i dënuari vendoset në mes të makinës. Në makinë përpara qëndron shefi i policisë, ndërsa komandanti i repartit rri prapa së bashku me policët.

119-Me të mbërritur në vendin e caktuar, në fillim zbresin nga makina policët që do të shërbejnë si roje fikse e të lëvizshme në pika të ndryshme e pasi ata kanë zënë vendet e shërbimit, zbresin me radhë nga makina policët e tjerë ashtu siç hipën e së bashku me ta edhe i dënuari që mbahet prej litari, deri sa shkohet në vend ku do të bëhet ekzekutimi. Duart e këmbët e të dënuarit nuk i zgjidhen, në këtë rast ai qëndron i ulur”, thuhej në rregullore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat