Albert Krasniqi: Inspektorati i administratës, si polici shantazhuese

Aktuale

Albert Krasniqi: Inspektorati i administratës, si polici shantazhuese

Më: 13 janar 2022 Në ora: 18:42
Albert Krasniqi

Njohësi i zhvillimeve politike, Albert Krasniqi, e ka akuzuar Qeverinë se synon që përmes një inspektorati që do ta themelojë, t’i kontrollojë dhe disiplinojë zyrtarët publik të të gjithë administratës shtetërore.

Më anë të një postimi në Facebook, ai shprehet se këta inspektorë kanë të drejtë të hyjnë në zyrën e secilit zyrtar publik dhe të kenë qasje në pajisjet e tyre pa paralajmërim, pa leje dhe pa marrë parasysh orarin e punës.

“Inspektimi mund të zgjasë 30 ditë, e për raste të veçanta edhe më shumë, si dhe që mund të ketë edhe ri-inspektim”, shkroi ai.

Sipas tij, ky inspektorat, më shumë ngjan në një polici të brendshme që ka për qëllim të shantazhojë dhe ushtrojë presion psikik mbi zyrtarët publik sesa për vendosjen e rregullsisë.

Reagimi i tij:

Reformimi i administratës publike në Kosovë është i nevojshëm. Përveçse e mbingarkuar, në shumë raste rekrutimi është bërë në baza klienteliste dhe nepotiste.

Në Projektligjin për Inspektimin Administrativ, Qeveria ka planifikuar të themelojë një inspektorat, që përmes inspektorëve të saj do të kontrollojë dhe disiplinoj zyrtarët publik e të gjithë administratës shtetërore.

Këta inspektorë kanë të drejtë të hyjnë në zyrën e secilit zyrtar publik dhe të kenë qasje në pajisjet e tyre pa paralajmërim, pa leje dhe pa marrë parasysh orarin e punës. Inspektimi mund të zgjasë 30 ditë, e për raste të veçanta edhe më shumë. Mund të ketë edhe ri-inspektim.

Gjatë procesit të inspektimit, inspektorët kontrollojnë dhe mund të marrin të gjithë dokumentacionin, të intervistojnë palët dhe dëshmitarët, të fotografojnë persona, të kopjojnë audio-video incizime dhe dokumente të tjera.

Inspektorati ka kompetencë të iniciojë procedurë disiplinore kundër zyrtarëve publik, të shqiptojë gjobë (500-700 euro), gjoba mund të shqiptohet disa herë radhazi, të ndërpres punën e zyrtarit publik.

Ankesën e zyrtarit publik e shqyrton niveli politik, respektivisht një komision i emëruar nga Ministri i Punëve të Brendshme. Në rast se raportimi konsiderohet i rrejshëm, shpenzimet e procedurës i ngarkohen palës.

Ky inspektorat më shumë të ngjanë në një polici të brendshme që ka për qëllim të shantazhoj dhe ushtroj presion psikik mbi zyrtarët publik, sesa që ka për qëllim vendosjen e rregullsisë në administratës publike. Të gjitha fushat e inspektimit aktualisht janë të mbuluara përmes ligjeve të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat