Fjolla Ujkani deklarohet përsëri për profesorin nga Vushtrria

Aktuale

Fjolla Ujkani deklarohet përsëri për profesorin nga Vushtrria

Më: 31 janar 2022 Në ora: 12:06
Fjolla Ujkani, Lulzim Paci

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, ditë më pari deklaroi se ndaj profesorit të biologjisë, Lulzim Paci, i cili kishte publikuar një video në rrjetin e tij social “Tik Tok” duke vallëzuar, duhet të merren masa.

Ky i fundit u shpreh se ka marrë shumë komente negative, derisa u shpreh se askujt s’i ka bërë keq me ato veprime. Por, ligjvënësja nga Vushtrria refuzon ta komentojë këtë çështje.

Media ka kontaktuar me deputeten Ujkani dhe e njëjta ka refuzuar të flasë rreth kësaj teme, teksa thotë se është e hapur kërkesa e saj për “marrjen e masave ndaj profesorit”.

“S’kam çka e komentoj, është e hapur kërkesa jem. Pse me komentu?”, tha ajo.

Ujkani në një postim në Facebook më 27 janar tha se Gjimnazi “Eqrem Çabej” në Vushtrri dhe Drejtoria e Arsimit duhet të marrin masa ndaj Pacit.

“Të dashur qytetarë të Vushtrrisë, në veçanti juve nxënës të Gjimnazit ‘Eqrem Çabej’- Vushtrri, dhe juve prindër. Ditëve të fundit njëri nga profesorët e Gjimnazit ‘Eqrem Çabej’ është duke publikuar video të tij, të cilat janë veprime të pahijshme dhe degjeneruese. Andaj, i bëj thirrje drejtorit të Gjimnazit dhe drejtorisë së Arsimit në Vushtrri, që të marrin masa ndaj profesorit në fjalë. Sepse veprimet tij përmes videove lënë të kuptojnë, që një profesor i tillë nuk mund të arsimoj dhe edukoj kategorinë më të çmueshme të shoqërisë, rininë tonë”, shkroi ajo.

Profesori i biologjisë, Lulzim Paci, ka shpërthyer në lot teksa fliste sesi u bullizua pas publikimit të videove duke vallëzuar.

Ai deklaroi se ka marrë shumë komente negative, derisa u shpreh se askujt s’i ka bërë keq me ato veprime, përveç se sipas tij, i ka mbrojtur vlerat kombëtare.

Paci deklaroi se Ujkani ka qenë nxënëse në atë shkollë dhe sipas të gjitha gjasave nuk do ta padisë atë.

Ka folur edhe për telashet që ka shkaktuar gjithë kjo situatë në familjen e tij.

“I thashë vëllait tim, nëse të pyesin se çka e ke Lulzim Pacin, thuaj kushëri. Mos i thuaj vëlla”, deklaroi Paci derisa ia nisi të qajë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat