Ish-ministri Stavileci: Shtrenjtimi i rrymës, Qeveria s’ka njohuri elementare

Aktuale

Ish-ministri Stavileci: Shtrenjtimi i rrymës, Qeveria s’ka njohuri elementare

Më: 1 shkurt 2022 Në ora: 17:56
Blerand Stavileci

Komente nga më të ndryshme të palëve të interesit janë dërguar të hënën në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) rreth shtrenjtimit të rrymës.

Gjitha këto komente janë bërë pas debateve të shumta se energjia elektrike do të shtrenjtohet prej mbi 100 për qind për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovat energji elektrike në muaj, përkundër një subvencionimi nga ekzekutivi i vendit prej 75 milionë euro.

Shtrenjtimi i energjisë elektrike është arsyetuar nga kryeministri Kurti, i cili këtë e ka mbështetur me rritjen e çmimit të importit të energjisë si dhe mungesën e prodhimit vendor, përderisa kjo po kundërshtohet ashpër nga partitë opozitare, si dhe nga ekspertët e fushës.

Kundër shtrenjtimit të rrymës së fundi janë mbajtur dy protesta e një debat Parlamentar.

Por, si po e sheh ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, propozimin për shtrenjtim të energjisë.

Stavileci në një prononcim thotë se kjo Qeveri po futet në krizë të re dhe se kjo po ndodhë për shkak të veprimeve të saja.

Sipas tij, kjo Qeveri për zbutjen e problemit me energji elektrike po bën edhe diskriminimin e qytetarëve.

“Kur nuk ka dijeni elementare dhe veprime esenciale, pastaj ajo me vetëdije po futet në kriza të reja, të cilat shkaktojnë kaos dhe konfuzion aq të madh saqë edhe diskriminimit të qytetarëve i vie radha të jetë mjet për gjoja zbutjen e problemit, e në fakt problemin lërë që s’po e zgjidhin fare por po e thellojnë edhe më shumë”, ka thënë Stavileci.

Stavileci thotë se për të ardhmen e sektorit energjetik duhet të bëhen planifikime afatgjate.

“E, ardhmja e sektorit energjetik do të duhej të varej nga projektet të cilat kanë arsyeshmëri teknike, ekonomike, sociale dhe mjedisore. Për këtë arsye bëhen analiza dhe pastaj planifikimet afatgjata në mënyrë që të kemi strategji me të cilën sigurojmë furnizim të mjaftueshëm dhe të rregullt, kemi kapacitete financiare për ta realizuar, nuk rëndojmë xhepat e qytetarëve dhe ruajmë mjedisin tonë”, është shprehur ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat