Musliu-Shoshi tregon arsyen pse e lëshuan mbledhjen për intervistimin e ambasadorëve

Aktuale

Musliu-Shoshi tregon arsyen pse e lëshuan mbledhjen për intervistimin e ambasadorëve

Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 00:18
Ariana Musliu-Shoshi

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka treguar arsyen e lëshimit të mbledhjes së sotme të Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, e cila ishte thirrur për intervistimin e ambasadorëve të propozuar politikë.

Sipas Musliu-Shoshit, lëshimi i mbledhjes ka ndodhur për shkak të akuzave që kishte bërë pozita ndaj ish-diplomatëve politikë, duke i quajtur si të paaftë dhe që nuk e kanë përfaqësuar vendin në mënyrën e duhur.

“Ne ishim në mbledhje për të intervistuar disa nga ambasadorët e propozuar politikë dhe në atë mbledhje procesi filloi në rregull, por kur ishte fjala te zonja Pacolli, filloi me akuza ndaj ish-diplomatëve tanë, që ishin të emëruar politikë, se ishin të paaftë, nuk e kanë prezantuar Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme, në këtë pikë hasi në rezistencë nga ne sepse është e padrejtë të bëhet një vlerësim kolektiv për punën e ambasadorëve, pasi nuk ka pasur asnjë raport të punës së tyre, ose asnjë konkludim se cilat kanë qenë objektivat që janë kërkuar nga ta dhe cilat janë përmbushur dhe për këtë qasje të saj ne vendosëm ta lëshonim këtë mbledhje dhe rrjedhimisht është anuluar mbledhja për intervistimin e ambasadorëve”, ka thënë Musliu-Shoshi në Edicionin Special.

Sipas saj, përplasje të tilla ndodhin shpesh në këso mbledhjesh dhe, siç pretendon ajo, kryesisht ndodhin me iniciativën e pozitës, por Musliu-Shoshi thotë se asnjëherë nuk do të lejojnë që puna e diplomatëve të shahet e përbuzet.

“Përplasje të tilla ndodhin mjaft shpesh dhe normal ne nuk lejojmë që puna e madhe që është bërë, të gjitha anëtarësimet në organizata ndërkombëtare, të gjitha kanë qenë si rrjedhojë e punës dhe përkushtimit të këtyre diplomatëve, si atyre të karrierës, po ashtu edhe të këtyre diplomatëve politikë që puna e tyre duhet të vlerësohet dhe në asnjë mënyrë të shahet e të përbuzet”, ka shtuar ajo.

Ndërkaq, ajo foli edhe për arrestimin e sotëm të kryetarit të Partisë Socialdemokrate, arrestim të cilin ajo e vlerësoi si të padrejtë.

“Mendoj se nuk është e drejtë që të bëhet një arrestim i tillë, siç ka ndodhur, sepse e dimë që protesta ishte para dy dite dhe ka mundur të bëhej një arrestim brenda këtyre dy ditëve dhe të evitohen skena të tilla para fillimit të një emisioni në televizionet tona. Nuk është një shembull i mirë që përçohet te qytetarët dhe publiku dhe mendoj që duhet gjithqysh të evitohen sjellje të tilla nga policia”, përfundoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat